Dritan Osmani është autori i një libri me poezi, i cili megjithëse jeton jashtë Shqipërisë vargjet i gjen mes Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ai ka botuar shpesh në organet tona të shtypit si “Rilindja” apo “Drita” e gjetkë.

Ai ka nisur enkas për 27.al një poezi që ia ka kushtuar të parëve tanë që panë genocidin grek, por kurrë nuk e harruan tokën e tyre.

Dritan Osmani nuk është nostalgjik, as melankolik, as romantik, ai rrëfen me vargje një të vërtetë therrëse që përshkruan dejet e një shqiptari të Çamërisë.

Për Çamërinë

Prindërit tanë flisnin për ditë me ullinjtë e vrarë të Çamërisë,

i thërrisnin si fëmijë

në natën e thellë të gjakut të humbur,

tek endeshin rrugëve të

Fierit,

Vlorës,

Durrësit,

gjithandej Shqipërisë.

 

Ecnin ngaherë me sytë nga Jugu,

se i thërriste Grikohori,

Filati,

Mazreku,

Margëlliçi,

Çamëria i thërriste,

i thërrisnin

muret qindra vjeçare të shtëpive

që qanin me erën

si fëmijë të humbur

mes gjëmës së gjakut.

 

Dhe e kishin tokën e Çamërinë në sy,

në zhurmët e hapave,

në duart që rrisnin borzilok që sillte së bashku me mbrëmjen

flladin e tokës që lanë.

Ashtu siç kishte qenë dikur Çamëria,

mes paqes së plote të ullinjve,

e paqtë

siç e lanë dikur Çamërinë,

mes ullinjve të vrarë,

e gjakosur.

 

Dhe mbajtën në shpirt fjalët e fundit

të vëllezërve që humbën,

mbajten pikën e fundit të gjakut që rrodhi rrugëve të Gumenicës,

Grikohorit,

Paramithisë,

Filatit,

Çamërisë

që rrjedh ende,

dhe kështu mbeten njerëz.

 

E thërrisnin Çamërinë çdo ditë para se të merrnin autobuzët mëngjeseve

me bukën në sqetull.

E thërrisnin në darkë para se nata t’u mbyllte sytë e tyre dhe të prindërve

që humbën.

Pikonin rrëshirë dhimbjesh

pemët gri të kujtimeve,

dhe jepnin e merrnin gjak me Çamërinë.

 

Ishin vetë Çamëria,

dhe u mungonte Çamëria

si sterat e vajit të ullirit,

që rrisnin njerëzit dhe tokën.

U mungonte Çamëria

që ende i pret e do i presë gjithë kohës.

 

E ruajtën kujtimin për vendin

në sepetet me erë manxurane që i sollën

mes shiut të pafund të dhembjes

që bie gjithkohshëm

tokës së lashtë të Çamërisë.

 

E ruajmë kujtimin e Çamërisë

si sytë e prindërve që na kujdesin ende

në çdo hap që hedhim,

si kujtimin e ullinjve që si fëmijë

presin paqen.

 

Mbajmë në shpirt fjalët e fundit të prindërve e gjyshërve

që humbën jetën e paqen

mbajmë në duar pikën e fundit të gjakut

që rrodhi rrugëve të Gumenicës,

Grikohorit,

Paramthisë,

Filatit,

Çamërisë e rrjedh ende,

dhe kështu mbetemi njerëz.

* Dritan Osmani Tarragona, Spanjë, Shkurt 2017