Albspirit

Media/News/Publishing

Meta kërkon President konsensual me opozitën

Vazhdimësia e koalicionit Rama-Meta nuk konfirmohet ende, të paktën publikisht, ndonëse të dy palët mund të kenë arritur një marrëveshje. Në përfundim të takimit të sotëm Rama-Meta, ka folur për mediat kreu i LSI-së. Meta tha se qëllimi kryesor i këtij takimi ishte arritja e përpjekjeve për të garantuar paprekshmërinë e votës së shqiptarëve. Sa i përket zgjidhjes së krizës politike, Meta tha se është rënë dakord që të kërkohet ndërmjetësimi i Partisë Popullore Europiane.

“Duke e kuptuar vështirësinë e opozitës për të patur besim, kemi vendosur t’i drejtohemi zyrtarisht PPE ku edhe PD është anëtare, që të asistojë sa më shpejt të jetë e mundur në këtë dialog në mënyrë që ky ngërc të marrë fund sa më shpejt dhe vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të lira.  Dua të theksoj rolin që PPE ka luajtur gjatë kësaj periudhe në mbështetje të integrimit të BE-së. Shpresoj që sot do t’i drejtohemi presidentit të PPE-ve dhe komisionerit z.Hahn  për zhbllokimin e kësaj situate”, u shpreh Meta.

Kreu i LSI-së foli gjithashtu për një president të ri konsensual për vendin, ndonëse mazhoranca i ka votat për ta zgjedhur e vetme.

“Kemi vendosur të vazhdojmë procedurat kushtetuese për presidentin e ri, por pa paraqitur asnjë kandidaturë pa dialoguar dhe pa arritur konsensus edhe me opozitën ndonëse kemi votat në parlament”, theksoi Meta.

Lidhur me vazhdimin e koalicionit me PS-në, ai iu shmang një përgjigje direkte, duke e kaluar thjesht me këtë përgjigje:

“Kjo nuk është cështja më e rëndësishme. Më e rëndësishme është të punojmë për dialog”.

Zërat thonë se tashmë Rama-Meta e kanë arritur një marrëveshje për vazhdimin e koalicionit edhe për 4 vitet e ardhshme, por tani përpjekja bëhet për të nxjerrë opozitën nga çadra.

Ditë më parë kreu i LSI-së u shpreh se nuk do hynte në zgjedhje pa opozitën, ndonëse Rama nga ana tjetër duket i vendosur për të shkuar i vetëm në zgjedhjet e 18 qershorit. Mbetet për t’u parë në ditët në vijim se cilat do të jenë zhvillimet, ndërsa afron data e zgjedhjeve.

Pak pasi kreu i LSI-së Ilir Meta foli për dialog me me opozitën me ndërmjetësimin e Partisë Popullore Europiane, ka ardhur përgjigjja e Lulzim Bashës nga çadra e protestës. Ai ka përsëritur edhe njëherë kërkesën e opozitës për qeveri teknike. Pa qeveri teknike nuk ka e s’ka për të pasur rrugë tjetër tha Basha. Lidhur me atë që tha Meta se Basha është në krizë mosbesimi, kreu i opozitës tha se në krizë mosbesimi janë Rama e Meta.

Please follow and like us: