Albspirit

Media/News/Publishing

Ramiz Alia: Kadare të mbajë qëndrim ose të dalë në anën e armikut

Shqipëria po kalonte kohë të vështira. Shpërthimi i dyerve të ambasadave, tashmë e kishte lëkundur pushtetin komunist, i cili kërkonte të ruante pozitat me çdo kusht. Ramiz Alia duhej të gjente një rrugë. Përpunimi i opinionit publik, zgjimi i militantëve, “mbajtja afër” e studentëve, bisedat me intelektualët, hapja e vendeve të reja të punës ishin disa nga masat që duheshin marrë për t’i paraprirë “së keqes”. Në librin e tij më të ri, i cili pritet të dalë këtë muaj, “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, gazetari Dashnor Kaloçi boton edhe një procesverbal “sekret” të një mbledhjeje të udhëheqjes së PPSH­së, në korrik të vitit 1990. Nuk bëhej fjalë për pluralizëm, pasi kjo do të thoshte t’u hapje dyert të ikurve, që të ktheheshin e të krijonin parti politike, madje nuk mund të flitej as për bashkim me Kosovën, pasi nacionalizim do të thoshte pajtim me Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. E mira ishte të ruheshin pozitat aktuale. Në kohën kur Shqipëria, nga vendi “shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut”, ishte kthyer në një vend të papunësh e emigrantësh të shpërndarë nëpër Europë, që vidhnin për të mbijetuar, Ramiz Alia kërkonte të shfrytëzonte edhe zërin e intelektualëve të kohës. Ai e dinte se qëndrimi i shkrimtarit Ismail Kadare do të ishte shumë i rëndësishëm në këtë moment. Pavarësisht spekulimeve që janë bërë me shprehjen gjoja të thënë nga Kadare për emigrantët si “jashtëqitja e kombit”, dokumenti i korrikut të 1990-­s na tregon krejt të kundërtën. Kadare i kishte kthyer tri herë rresht gazetarët e “Zërit të Rinisë”, duke mos pranuar të jepte një intervistë. Pasi iu referua ky fakt, Alia do të shprehej: “Këtë situatë në Tiranë e nxiti dhe e krijoi armiku. Ja ç’kërkon armiku! Po ti që hesht, me kë je?! A është në nderin e intelektualit tonë të mos i thotë një fjalë presidentit Mitteran që e ftoi Ismail Kadarenë për vizitë në Francë, pikërisht në këtë kohë kur kryheshin tërë ato veprime të kurdisura armiqësore dhe propaganda e tyre borgjeze villte vrer kundër Shqipërisë?”…

Shoku Ramiz Alia: Dakord, Pirro. Por çështja shtrohet se këta shokë që drejtojnë, e bëjnë edhe politikën, atë nuk mund ta bëjmë vetëm unë e ti. Ekonomia dhe politika lidhen ngushtë me njëratjetrën. Duhet të punojmë të gjithë bashkë, në të gjitha frontet. Në qoftë se ne merremi kryesisht me politikë, shokët që drejtojnë ekonominë, të merren me ekonomi, të këshillohen me një grup specialistësh të sektorit përkatës dhe t’i shohin në plan politik këto çështje që krijojnë probleme. Partia duhet t’i vëzhgojë e t’i luftojë këto të meta, ashtu siç duhet të punojë me kujdes me njerëzit që i ngrenë problemet në mënyrë tendencioze, ose qëndrojnë thjesht në rolin e konstatuesit. Këtyre njerëzve u duhet kundërvënë më parë platforma jonë themelore dhe, pasi të kemi rënë dakord për këtë, atëherë t’u themi “ejani të luftojmë bashkë kundër këtyre fenomeneve të dëmshme”. Në Kavajë, për shembull, armiku gjeti terren të favorshëm veprimesh, sepse kishte edhe shumë të papunë. Po pse Komiteti i Partisë i Durrësit, apo ai i rajonit të Kavajës të mos mendonin më parë për të hapur fronte pune?! Përse pritën ata derisa të shkonte Pali e t’u sugjeronte të prodhonin sende poçerie për t’i vënë njerëzit në punë? Dihet nga të gjithë se në Shqipërinë e Mesme, përveç Farkës, Kavaja ka qenë qendra më e madhe dhe me traditë për prodhime poçerie, ndërsa tani atje nuk prodhohen më poçeri. Po të organizohet një kooperativë poçerie, mund të zihen me punë edhe 500 forca të lira. Qypat e Kavajës mund të çohen deri në Zagori, Sarandë e Vlorë, ku ka shumë nevojë. Kudo ka mundësi për punësimin e forcave të lira, por këto mundë­ si duhen studiuar. Edhe në Tiranë ishte shqetësues ky problem. Tani Komiteti i Partisë në Tiranë e mori në dorë situatën dhe po kërkon rrugëzgjidhje. Po përse nuk kërkoheshin më parë këto rrugëzgjidhje?! Si ta shpjegojmë apatinë e pasivitetin e komunistëve të organeve tona të Partisë dhe të pushtetit, përballë parullave çoroditëse të armikut?!

Shoku Xhelil Gjoni: Kjo ndodh se jo të gjithë njerëzit kanë formim, besim e bindje të shëndosha për rrugën e vijën tonë.

Shoku Foto Çami: Duhet përpunuar opinioni, të krijohen bindje për ndryshimet që kanë ndodhur e ndodhin për rrugën e vijën tonë.

Shoku Ramzi Alia: Ne duhet të jemi kurdoherë në sulm ndaj çdo parulle që hedh armiku dhe për këtë duhet ndërtuar një punë e veçantë. Për shembull, u hap fjala në Tiranë se bota kërkon fuqi punë­ tore dhe ka ndonjë që pyet: “Pse të mos çojmë fuqi punëtore në eksport?”. Askush nuk ka nevojë sot për fuqi punëtore të pakualifikuar. Në Çeki u hoqën nga puna emigrantët vietnamezë. Shqiptarët që hynë në Ambasadën Italiane e shkuan në Itali, po i çojnë vetëm në bujqësi. Edhe ata vetë tani po thonë: “Pse, për të punuar në bujqësi erdhëm ne?! Kurse të tjerët që shkuan në Francë, filluan të vjedhin”. Radio Parisi njofton se policia franceze po kërkon refugjatët shqiptarë që kanë dalë e po vjedhin njerëzit e shtëpitë në qytetin e Resit. Për refugjatët që shkuan në Gjermani, janë vënë shpallje: “Shqiptarë, mos na vidhni biçikletat”. Si është e mundur të mendohet që vendet e Europës, apo vendet e tjera të botës duan të marrin nga ne fuqi punëtore?! Edhe në qoftë se diku mund të ketë nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar, a mund të pranojmë ne të shkatërrojmë ekonominë tonë, duke i çuar gjetiu njerëzit tanë më të kualifikuar? Veç kësaj, kujt do t’i shërbente ky lloj morali që pranon shitjen e fuqisë punëtore? E rëndësishme është të përpiqemi t’u gjejmë njerëzve punë, t’u krijojmë mundësi të punojnë brenda atdheut, për interesat e tyre dhe të Shqipërisë. Prandaj duhet ndërtuar një punë shumë efektive, që njerëzit të binden për këtë çështje themelore dhe pastaj së bashku të luftojmë për çka duhet rregulluar. Por kjo punë ndesh mjaft vështirësi dhe kërkon sakrifica. Mirëpo mos do të ishte më e ndershme dhe më e moralshme braktisja e atdheut?! Mos duhet që përpara vështirësish ta lëmë pushtetin, t’ua shesim vendin të tjerëve?! Me këtë gjuhë u duhet folur atyre që ngrenë duart e heshtin përpara parullave të armikut, qofshin djem, vajza të reja apo intelektualë. Në mënyrë të veçantë duhet punuar me organizatat e Partisë e komunistët. Sot më shumë se kurrë, flet shembulli dhe qëndrimi i secilit komunist, kudo e përpara çdo situate. Kemi 25 mijë komunistë në Tiranë. A janë të gjithë luftëtarë e militantë? Fatkeqësisht duhet pranuar se midis tyre ka edhe mjaft komunistë që nuk vlejnë. Duhet të gjejmë e t’i ngremë në këmbë pikërisht ata që janë më militantët, më të vendosur dhe më aktivë. Edhe organizata e Rinisë në këtë situatë duhet të mbështetet te veprimtarët e saj më të gjallë e më aktivë. Fotoja, Pirroja, dhe ti, Lisien, këtu në Tiranë duhet të hartoni një program pune edukative për të ngritur në këmbë opinionin e shëndoshë. Mund të mbani rreth jush edhe disa intelektualë të njohur e me autoritet, si Dritëro Agolli etj… se Ismail Kadareja nuk po ndihet.

Shoku Lisien Bashkurti: Ismailit i kemi shkuar tre herë në shtëpi për t’i kërkuar një intervistë për gazetën “Zëri i Rinisë”, por nuk pranoi ta përgatiste….

Shoku Ramiz Alia: Po pse nuk shkruani në gazetë që Ismail Kadare nuk pranoi të jepte intervistë!? Kështu do ta vinit para përgjegjësisë morale dhe para opinionit të mbarë rinisë.

Shoku Lisien Bashkurti: Kur bisedoi me të gojarisht, Remzi Lani i tha se intervistën tjetër që ia paraqiti “Zërit të Rinisë” me dëshirën e tij, ia botuam menjëherë, kurse tani ka nevojë vetë redaksia t’i drejtohet atij. Në njëfarë mënyre e vuri para përgjegjësisë…?!

Shoku Ramiz Alia: Këtyre njerëzve ne kemi të drejtë t’u themi: “Këtë situatë në Tiranë e nxiti dhe e krijoi armiku. Ja ç’kërkon armiku! Po ti që hesht, me kë je?!”. A është në nderin e intelektualit tonë të mos i thotë një fjalë presidentit Mitteran që e ftoi Ismail Kadarenë për vizitë në Francë, pikërisht në këtë kohë kur kryheshin tërë ato veprime të kurdisura armiqësore dhe propaganda e tyre borgjeze villte vrer kundër Shqipërisë? Demokracia e humanizmi, për të cilat flet Ismaili, nuk janë të drejta abstrakte, as nuk mund të konceptohen si të tilla. Për cilët njerëz kërkohen këto të drejta, në qoftë se nuk gjejnë shprehjen konkrete tek interesat e atdheut e të popullit? Jashtë këtyre interesave çdo lloj demokracie është demagogji. A mund ta mohojë kush tani se temat për Partinë, Enver Hoxhën, Atdheun, socializmin janë boshti kryesor që përshkon tërë veprën e Ismailit, që nga poemat “Përse mendohen këto male”, “Shqiponjat fluturojnë lart” e deri te romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Dimri i madh”, “Koncert në fund të dimrit” etj? Situata e tanishme kërkon që Ismaili me emrin dhe qëndrimin e tij prej intelektuali të njohur t’i bëjë një shërbim të ri popullit, Partisë dhe Atdheut. Ky qëndrim do ta lartësonte, ndryshe a mund të qëndronte në krahun tjetër e të premtonte si Tuxhmani se ka gabuar dikur kur ishte i ri? Është koha kur ndonjë intelektuali të tillë i duhet thënë: “Ti që flet me kaq zjarr për demokracinë, lirinë e individit, e indinjohesh pse polici përdor shkopin, e sheh se ç’po bën i huaji kundër lirisë së Shqipërisë? Kujt do t’i vlenin botimet e tua, kur nuk thua një fjalë për këto që sheh? Desha të tërheq vëmendjen se ka disa tipa njerëzish me prirje negative e formim jo të shëndoshë. Në përgjithësi, ata janë intelektualët e rinj, si ndonjë pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, ndonjë punonjës në Kinostudio, apo në shtypin letrar, ndonjë piktor etj. Me ta duhet punuar me durim e duhen mbajtur afër për t’ua thyer mitet për të mos i lejuar të bëhen përçues të një vije të gabuar.

Shoku Xhelil Gjoni: Ndoshta ka nevojë të organizohen me këta njerëz disa debate në grupe të ngushta për probleme të ndryshme që kërkojnë të sqarohen. Për shembull, ka pasur mjaft pyetje për çështjen e marrjes së kredive. Mund të ftohen në auditorë të ndryshëm njerëzish, shokë kompetentë e me nivel, si Farudin Hoxha. Po kështu mund të veprohet për çështje të tjera. Diskutohet mjaft për problemin e Kosovës, si dhe për pozicionin e inteligjencës kosovare. Reaksioni dhe në këtë çështje përpiqet të hedhë vrer kundër nesh. Flitet për problemin e bashkimit me Kosovën me ne, për të cilën thonë se është e interesuar edhe Amerika, që pas këtij bashkimi vetvetiu mund të arrihet një zgjidhje e përgjithshme.

Shoku Ramiz Alia: Ka dhe nga ata që e përziejnë këtë çështje me pozitën e disa intelektualëve kosovarë që propagandojnë se duhet braktisur ideologjia dhe të merremi me nacionalizmin. Parulla e tyre është Shqipëria Etnike. Por të pranosh nacionalizimin, do të thotë të pranosh Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. Ne nuk mund të sakrifikojmë idealet tona për një Shqipëri të tillë etnike. Mund të ketë ndonjë tjetër që ekzaltohet për një shtëpi europiane, krejt të hapur, me plot kate e apartamente po të dojë, veç me një ideologji të borgjezisë!! E theksoj se përballë këtyre dëshirave e parullave nuk duhet të tërhiqemi, por të hidhemi në sulm. Veprimtaria jonë duhet të jetë e efektshme. Mitingu që u organizua në Tiranë, për shembull, ishte mjaft i mirë dhe e arriti qëllimin, por ai nuk u shoqërua më pas me punë intensive. Duhet të njihen mirë të tëra problemet që më pas të zgjidhen. Mund të krijohet edhe një shtab kundër parullave armiqësore. Sot nuk mund t’u flitet masave me slogane e fjalë të përgjithshme. Ndonjëherë është më e efektshme një bisedë e çiltër qoftë edhe me 2­ 3 veta ku rrihen mendimet dhe konkluzionet janë bindëse. Do të ishte mirë të organizohej dhe ndonjë takim me një grup intelektualësh prej 15 vetash. Me ta duhet biseduar më parë se si e shohin situatën aktuale dhe pastaj një nga një t’u thyhet me argument ndonjë pikëpamje e gabuar. Po kështu duhet vepruar edhe me disa të rinj, përpara se të mblidhen organizatat e rinisë. Me inteligjencën duhet ndërtuar një punë e veçantë e programuar sipas kategorive, duke u ndalur sidomos në disa institucione e qendra të mëdha si Kinostudio, Lidhja e Shkrimtarëve, Radio­Televizioni etj. Duhet të gjallërohet tërë veprimtaria me të rinjtë universitarë e shkollarë, si në formë dhe në përmbajtje. Veprimtari të mëdha, për shembull, të zhvillohen me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor në mjedise të ndryshme, në formë mitingjesh koncertesh dhe lojërash sportive. Që tani dhe gjatë gjithë muajit gusht duhen marrë masa për organizim të rregullt të jetës nëpër konvikte. Nëpërmjet tërë llojeve të veprimtarive duhet synuar që rininë ta mbajmë kurdoherë pranë e ta ushqejmë me ideologjinë tonë, sepse pas dështimit që pësoi në fazën e parë të programit të tij armiku, do të synojë mbështetjen te rinia studentore. Atij i intereson të prekë këtë shtresë delikate të përbërë nga bijtë e popullit për të atakuar vijën e Partisë. Në rast se ndaj veprimeve të disa huliganëve e patëm më të lehtë të mbanim qëndrim e të ngrinim opinionin ngaqë populli i njihte si të tillë, është shumë vështirë ta ngresh këtë opinion kundër atyre elementëve të rinisë studentore që mund të bien në prehrin e armikut. Opinioni i shëndoshë duhet mbajtur në këmbë e duhet hedhur në veprim edhe ndaj familjeve, pjesëtarët e të cilëve hynë nëpër ambasada. Kujdes i duhet kushtuar edhe informacionit për popullin lidhur me zbatimin e vendimeve të pleniumeve të fundit për problemet e ndryshme. Nga organet qendrore, si dhe nga disa organe të bazës ka shumë zvarritje në zbatimin e vendimeve të marra në Pleniumin e 8­të të KQ­së të PPSHsë për ndërtimin e banesave private. Populli ka nevojë për informacion më të gjerë. Përse ngurohet, për shembull, të jepet informacion publik nëpërmjet mjeteve të propagandës për studime të tilla si ai i rritjes së pagave që janë nën 600 lekë? Ky studim ka kohë që ka filluar. Situatat kërkojnë që dhe çdo shok i udhëheqjes së Partisë e të shtetit, pa qenë nevoja për fjalime të mëdha nëpërmjet televizionit apo takimeve direkte me popullin të zbërthejë tezat e pleniumeve të fundit. Ai mund të sjellë një informacion më të plotë për sektorin që mbulon për problemet dhe rrugëzgjidhjet që kërkohen. Kjo do ta rriste më shumë përgjegjësinë e secilit prej nesh, por dhe do t’u priste rrugën mjaft thashethemeve e parullave armiqësore se në udhëheqje ka përçarje, ka konservatorë e liberalë. Natyrisht në këto pozita nuk qëndron asnjë nga shokët tanë, por ngadalësia dhe burokracia kudo që shfaqen nuk mund të mos lënë gjurmë në ndërgjegjen e popullit. Ato duhen luftuar me këmbëngulje e punë të palodhur, duke gjallëruar e perfeksionuar vazhdimisht edhe tërë mjetet e format e informacionit dhe të propagandës sonë.

Shefi i Sektorit të Përgjithshëm Fatmir Zaloshnja.

Please follow and like us: