Krerët e diplomacive nënshkruan protokollin e anëtarësimit në NATO të Malit të Zi
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që u zhvillua në Bruksel.
Në këtë takim, që i parapriu Samitit të NATO-s që do të mbahet në korrik në Varshavë, Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s trajtuan një sërë çështjesh të rëndësishme për NATO-n dhe sigurinë euro-atlantike, si mënyrat për t’iu përgjigjur kërcënimeve dhe sfidave të sigurisë në krahun lindor dhe atë jugor të Aleancës, pritshmëritë aleate për Samitin e Varshavës, progresin e bërë në kuadër të misionit të NATO-s “Resolute Support” në Afganistan, si dhe kuadrin politik të bashkëpunimit të NATO-s me BE.
Punimet e Ministerialit u hapën me takimin e Ministrave të Jashtëm të Aleancës ku ishte i ftuar edhe Mali i Zi.
Gjatë këtij takimi, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve aleate nënshkruan edhe protokollin e anëtarësimit në NATO të Malit të Zi, që në të ardhmen e afërt pritet të bëhet anëtari i 29 i NATO-s.
Shqipëria ka qenë dhe mbetet një promotore e politikës së dyerve të hapura të Aleancës, pasi integrimi Euro-Atlantik është një vizion për një komunitet më të sigurt dhe të qëndrueshëm trans-atlantik.
Akti i sotëm i anëtareve të Aleancës ashtu si zgjerimet e mëparshme, është dëshmi e qartë e suksesit të politikës së dyerve të hapura, si dhe aftësi e aleancës në projektim të stabilitetit në hapsirën Euro-Atlantike.
Gjithashtu, Ministrat e Jashtëm aleatë ndanë pikëpamje mbi zhvillimet aktuale në sigurinë Euro–Atlantike si dhe domosdoshmërinë e angazhimit të Aleancës në përballjen me sfidat e sigurisë që vijnë nga kufijtë lindorë dhe jugorë të hapsirës euro-atlantike.