Basha-ambasadorit Lu: Hiqini vizën Ramës, u kap me presh në duar
Kreu i demokratëve, Lulzim Basha i ka drejtuar një kërkesë publike ambasadorit amerikan Donald Lu. Basha thotë se kjo është një kërkesë popullore, prandaj SHBA duhet t’ia heqë vizën amerikane Ramës.
“I përsërit ambasadorit amerikan kërkesën popullore që ti heqë vizën amerikane Edi Ramës që është faktuar si shkelës i ligjit amerikan mes donacionit ilegal në fushatën e presidentit Obama. Nuk ka e nuk mund të ketë dy standarde, dikujt i hiqet viza, e dikush e mban vizën edhe kur kapet me presh në duar. Përsëris kërkesën publike, hiqi vizën amerikane Edi Ramës”, tha Basha.
Lideri i opozitës ka përsëritur sërish kërkesën për zgjedhjen e presidentit nga populli. “Presidenti i takon popullit dhe do zgjidhet nga populli me votë direkte”. Sipas tij, heshtja e Ramës dhe Metës për këtë propozim të qartë e të prerë e ka një kuptim. Sipas tij, ata “heshtin se është futur populli në mes dhe populli ka prishur pazarin, populli e prish pazarin e republikës së vjetër, ja ku duket qartë komploti i republikës së vjetër”, tha Basha./dritare.net