SHBA-Australi, thirrje Kinës të veprojë ndaj Koresë së Veriut
Shtetet e Bashkuara dhe Australia i bënë thirrje Kinës të luajë një rol më madh për t’i bërë presion Koresë së Veriut të braktisë programin e saj bërthamor. Në një periudhë tensionesh në rajonin Azi-Paqësor, Nënpresidenti Pence kërkon të forcojë lidhjet ekonomike dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë.
Duke folur për gazetarët në konferencën e përbashkët për shtyp në Sidnei pas takimit me Kryeministrin e Australisë, Malcolm Turnbull, Nënpresidenti amerikan Mike Pence tha se të gjitha opsionet mbeten mbi tavolinë, por se SHBA-ja ka besim tek roli që do të luajë Kina.
“Armët bërthamore në duart e regjimit të Phenianit, me një program raketash balistike dhe me potencialin për raketa ndërkontinentale, përfaqësojnë një rrezik për stabilitetin dhe sigurinë e këtij rajoni dhe ndoshta edhe për territorin e SHBA-së. Vazhdimi i strategjisë botërore të 25 viteve të fundit ndaj Koresë së Veriut është thjesht i papranueshëm”, tha Nënpresidenti Pence.
Nënpresidenti Pence tha se grupi luftarak i udhëhequr nga aeroplanmbajtësja USS Carl Vinson që është duke shkuar drejt gadishullit korean, do të jetë brenda pak ditësh në Detin e Japonisë.
Kryeministri Turnbull tha se Kina mund të ushtrojë ndikimin e saj ekonomik ndaj Koresë së Veriut.
“Kina ka mundësinë dhe ne mendojmë edhe përgjegjësinë që të ushtrojë presion ndaj Koresë së Veriut për ta ndalur trajektoren e saj të papërgjegjshme dhe të rrezikshme. Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me SHBA-në, si gjithmonë”, tha Kryeministri Turnbull.
Nënpresidenti Pence konfirmoi se administrata Trump do të respektojë marrëveshjen e debatuar për refugjatët me Australinë, sipas të cilës SHBA-ja do të pranojë 1250 azilkërkues. Presidenti Trump e ka emërtuar këtë një marrëveshje të pamend.
Ky është segmenti i fundit i turit 10-ditor të Nënpresidentit Pence në rajonin Azi-Paqësor, gjatë të cilit ai vizitoi edhe Korenë e Jugut, Japoninë dhe Indonezinë.
Kjo është edhe vizita e parë e lartë e një zyrtari të administratës Trump në Australi, ndërsa SHBA-ja po kërkon të forcojë lidhjet ekonomike dhe bashkëpunimin e sigurisë në një periudhë mosmarrëveshjesh në Detin e Kinës së Jugut dhe tensionesh në gadishullin korean.