Albspirit

Media/News/Publishing

Albert Çaçi: Kim dhe valixhja bërthamore

Aktualisht sot në botë janë një grup shtetesh që posedojnë armë bërthamore dhe formojnë një të ashtuquajtur klub atomik. Këtu hyn Rusia me 8500 testata bërthamore. SHBA me 7700, Britania e Madhe me 225, Franca me 300 dhe Kina me 240.

Këto shtete janë edhe anëtare me të drejtë vote në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe kanë firmosur TNP-në (traktatin e mospërhapjes së armëve atomike). Në këtë traktat hyjnë ato shtete që kanë patur armë bërthamore deri para 1 janarit 1967 dhe mbas kësaj date është e ndaluar teorikisht që shtete të tjera të zhvillojnë armë të tilla.

Por India dhe Pakistani, në kundërshtim me këtë traktat, që natyrisht nuk e kanë firmosur, kanë prodhuar armë atomike në një lloj pariteti midis tyre nga rreth 100 testata. Një shtet tjetër, që është pothuajse e sigurt që disponon rreth 80 testata nukleare, është Izraeli,   por që qeveria izraelite as e pohon as e mohon dhe nuk lejon inspektime për këtë problem.

Dhe në fund është Koreja e Veriut e Kim Jong-ut që mendohet se disponon nga 6-10 testata atomike.

Nëse për tri shtetet e mësipërme, që posedojnë këto armë në kundërshtim me TNP-në, praktikisht askush nuk shprehet dhe nuk insistojnë për inspektime, siç ndodhi me Iranin për Korenë e Veriut. Të gjithë janë në një mendje që në asnjë mënyrë nuk duhet të zhvillojë armë të tilla, madje duhet të shkatërrojë edhe ato ekzistuese, në shkëmbim të heqjes së embargos dhe hapjes ndërkombëtare. Ky pozicion ka arsyet e veta, por në mënyrë të thjeshtë, sistemet politike në Iran dhe Korenë e Veriut nuk japin siguritë e nevojshme, pasi India, Izraeli dhe më pak Pakistani, konsiderohen si vende demokratike.

Të gjithë liderët e vendeve që disponojnë armë bërthamore i disponojnë kodet e lëshimit  të gjithë triadës nukleare-aviacion, raketa dhe nëndetëse në një valixhe nukleare që i shoqëron ata 24 orë në 24. Klinton, gjatë fushatës së fundit elektorale, nxori pa dashje një sekret, duke thënë se presidenti amerikan është në gjendje që për vetëm 4 minuta të nisë një kundërsulm atomik. Për këtë arsye, valixhja i shoqëron liderët në çdo sekondë të ditës dhe natës.

Para pak kohësh, në televizionin koreanoverior u shfaq edhe Kim Jong 2 me valixhen e tij.

Me pamjen e një fëmije buçko të qethur ballaboks deklaroi jo pa krenari që këto bomba “më duhen që të mos përfundoj si Sadami apo Gedafi”.

A e shpëton dot valixhja Kimin, që të mos ketë fatin e Sadamit? Këtë në Uashigton e kanë shumë të qartë. Ata e dinë shumë mirë që s’ka valixhe dhe tunel që e shpëton Kimin, por problemi është shumë kompleks, pasi është një enigmë e madhe reagimi i Koresë së Veriut dhe pasojat shkatërruese që mund të sjellë në atë pozicion gjeografik.

Koreja e Veriut, një vend komunist 80% kodrinoro-malor, që e bën shumë të vështirë një sulm tokësor, me një popullsi 24 milionë banorë kundrejt 50,5 të Koresë së Jugut, ndodhet në një pozicion gjeografik shumë sensibël.

Në veri është Rusia, në verilindje është Kina, në jug Koreja e Jugut me 28000 ushtarë amerikanë të dislokuar, pra praktikisht në jug është SHBA dhe ne lindje, përtej detit të Japonisë, ndodhet vetë Japonia. Me përjashtim të BE-së, të gjitha fuqitë e botës janë të involvuara përreth gadishullit korean, duke e bërë një vend perfekt për nisjen e një lufte të tretë botërore. Prandaj çdo veprim në këtë skakierë të botës kërkon një maturi të madhe.

Pse ka nisur konflikti?

Koreja e Veriut, në 2006, nisi procesin e prodhimit të armëve bërthamore, duke shkaktuar një reagim të ashpër, sidomos të Koresë së Jugut dhe Japonisë, vende që nuk disponojnë armë bërthamore, por që për fuqinë ekonomike dhe teknologjike që kanë mund të pajisen me shpejtësi. Mjaftojmë të kujtojmë se Japonia është në gjendje që brenda 3 muajve të prodhojë 500 testata nukleare, por duke zbatuar traktatet e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe për një zgjedhje të saj politike, nuk e ka bërë këtë. Por kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafund. E njëjta gjë edhe për Korenë e Jugut, madje SHBA-ja, përveç sistemit antiraketë Thiad po shikon mundësinë e dislokimit të armëve bërthamore për të mbrojtur edhe trupat e dislokuara aty. Ndërkohë Kina ka zhvendosur 150 000 ushtarë pranë kufirit korean për çdo eventualitet. Po kështu, edhe Rusia ka nisur zhvendosjen e dy divizioneve të korracuar dhe ka nisur pas shumë viteve fluturimet e avionëve bombardues TU-160 me armë bërthamore në detin e Japonisë pasi porti i tyre jetik për Lindjen e Largët, Vladivstoku, ndodhet vetëm 100 km larg kufirit korean.

Veprimet e Kimit për pajisjen me armë bërthamore janë konsideruar një provokim i pastër për rajonin, pasi askush nuk ka kërkuar ndryshimin e regjimit ose largimin e Kimit, aq më tepër që ky është një vend i mbyllur hermetikisht, dhe lloji i rebelit të moderuar “Made in Lindje e Mesme” këtu nuk ekziston, pasi bëhet fjalë për një regjim satrap dhe jo për opozitë.

Pyetja shtrohet, a mund të mbrohet ushtarakisht Koreja e Veriut?

Në Pentagon janë të bindur se Koreja e Veriut nuk është as Siria, as Libia, Afganistani apo Iraku dhe përballë nuk do të jenë jihadistët me fustanella.

Bëhet fjalë për një vend komunist, që zbaton teoritë e Enverit “gjithë populli ushtar”.

Me një popullsi prej rreth 24 milionë banorë, ka rreth 1.2 milion ushtarë aktivë, ku 220 000 janë trupa speciale të gatshme për të sulmuar në jug, rreth 3 milion rezervistë dhe rreth 5 milion paramilitarë. Është vendi më i tunelizuar në botë (edhe bomba kolosale e SHBA-së e hedhur në Afganistan ishte një mesazh për tunelet e Kimit). Ka me dhjetëra mijëra km tunele deri në 600 metra thellësi, ku mban sistemet e raketave (madje edhe vetë Kimi ka tunelin e tij personal që lidh pallatin e tij në Pyongjang me portin Nampo 100 km të gjatë për t’ia mbathur në Kinë në rast rreziku). Gjithashtu, disponon rreth 5000 ton armë kimike, të cilat mbushin edhe 300 raketat scud.

Rreziku më i madh i kundërveprimit qëndron tek 11 000 grykët e zjarrit të artilerisë të vendosura në paralelin e famshëm 38 dhe që përfshijnë në rrezet e tyre Seulin, kryeqytetin e jugut, që ndodhet vetëm 48 km larg, në të cilin  banojnë rreth 11 milion  banorë dhe së bashku me rrethinat 24 milionë banorë.

Praktikisht, ndaj gjuajtjeve me artileri nuk ka asnjë sistem mbrojtës efikas dhe është llogaritur që brenda një ore mund të shkatërrojë qytetin, duke shkaktuar miliona të vdekur.

Zotëron rreth 5000 tanke, 800 avionë  dhe 70 nëndetëse dhe ka një arsenal të konsiderueshëm raketor, ku perfshihen edhe disa raketa balestike ICBM që pretendojnë se mund të godasin edhe Alaskën dhe territorin amerikan.

Natyrisht, një sulm masiv i  SHBA-së do ta kthente Korenë e Veriut në epokën e gurit bashkë me Kimin dhe valixhen e tij, por askush  nuk jep garanci  për pasojat dhe prishjen e raporteve strategjike së bashku me rrezikun e frikshëm të nisjes së një lufte botërore ku në mes janë armët bërthamore.

Deri tani, Kimi, që nuk del asnjëherë jashtë vendit, ka bërë balerinin, pasi nuk janë marrë shumë seriozisht me të. Presidenti Klinton madje tentoi të niste bisedimet 5 plus 1 (SHBA-ja,  Kina, Rusia, Japonia dhe dy Koretë), por ato dështuan. Presidenti Obama, përveç një retorike verbale, tregoi se nuk kishte dëshirë të hapte një luftë të re kur po tentonte të mbyllte ato në Irak e Afganistan. Kina vazhdonte ta mbeshteste ekonomikisht, po ashtu edhe Rusia.

Kartat u ndryshuan me ardhjen e Trumpit.

Trump ka treguar se është një tjetër lloj presidenti që nuk është parë deri tani në Shtëpinë e Bardhë. Është i vendosur, loz jashtë skemave klasike diplomatike dhe mbi të gjitha, është i paparashikueshëm.

Sulmoi Sirinë pa pyetur OKB-në, njoftoi Rusinë 2 orë para, pasi ishte i detyruar nga marrëveshja që kishte nënshkruar me ta në Siri, njoftoi presidentin kinez kur po hanin darkë një orë pas sulmit dhe për BE-në u kujtua të nesërmen.

Natyrisht, të gjithë besojnë dhe shpresojnë  se e ka të qartë se Koreja nuk është Siria, por sidoqoftë, Armada- siç i pëlqen Trumpit ta quajë ushtrinë amerikane -është nisur dhe më datën 24 prill, tri aeroplanmbajtese  dhe 5 nëndetëse atomike të pajisura me të gjitha llojet e raketave do të jenë pranë brigjeve koreane.

Ai ka kërkuar që këtë çështe ta zgjidhë Kina së bashku me Rusinë si te vetmet vende që dialogojnë me Pyong Yangun.

Kina po ndihet shumë nervoze, pasi Kimi nuk pranoi të presë përfaqësuesin kinez duke qenë se mendon që Kina e ka shitur tek SHBA-ja për shkak të ujdive ekonomike që po bën me Trump.

Shpresoj-deklaroi Trump-që Kina ta zgjidhë këtë problem dhe Kimi të sillet mirë dhe të mos provokojë me prova të tjera raketore dhe bërthamore, pasi në të kundërt SHBA-ja do ta zgjidhë vetë problemin.

Ç’do të ndodhë?

Një problem shumë i vështirë, ndoshta më i vështiri që pas krizës së raketave në Kubë, ku bota ishte pronë e një konflikti nuklear.

Ka vetëm një element pozitiv në këtë histori, që tri fuqitë më të mëdha botërore: SHBA, Rusia dhe Kina nuk e kanë konfliktin mes tyre ose për probleme ekonomike, që shpesh çojnë në të tilla  konflikte, por e kanë me një shtet rakitik, të parëndësishëm, që logjikisht nuk ia vlen të merren armët për ta zgjidhur.

Le të shpresojmë se do të gjejnë një zgjidhje pozitive diplomatike, përndryshe na ngelet vetëm që t’i lutemi zotit edhe ne që jemi 10 000 km larg qendrës së ciklonit.

Please follow and like us: