Albspirit

Media/News/Publishing

Zgjedhje 2001/ Kur Gjykata Kushtetuese vulosi me padrejtësi mazhorancën socialiste

 

Dushku dhe zgjedhjet që u vendosën në fshatrat e Lushnjës, roli i Fatos Nanos, Edi Ramës e Ilir Metës dhe protagonistëve të tjerë të momentit politik. Një histori që përsëritet në 26 vjet

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, do të ishin përgjigja më e mirë për të gjitha reformat që i kërkohen Shqipërisë nga perendimi. Në se vendi ynë do të arrinte të zhvillonte zgjehdje të lira e demokratike, nuk do të ishte aspak e nevojshme që pas tyre të merrej me marrëveshje për reforma të mëdha. Nga zgjehdjet e lira burojnë liria dhe demokracia në nëj vend. Në të vërtetë Shqipëria ka një rapor të keq me historinë e zgjehdjeve. Elita politike e pas viteve ’90, e cila e ka orgjininën në sistemin komunist, nuk ka investuar asnjë moment për zgjehdjet e lira. Për 26 vjet Shqipëria nuk ia doli të zhvillojë një proces zgjedhjesh pa kontestime. Në këtë histori zgjedhjesh të manipuluara, të shituara apo të blera spikasin parlamentaret e vitit 2001.

Zgjedhjet e 24 qershorit të vitit 2001 renditen ndër zgjedhjet më të kritikuara nga vëzhguesit ndërkombëtar për parregullsitë serioze me të cilat u shoqërua i gjithë procesi. Këto zgjedhje do të mbahen mend për fenomenin e “Dushkut” që mori dhe emrin e fshatit të Lushnjes me votat e të cilit në raundin e dytë dolën disa deputetë duke shfrytëzuar boshllëkun e ligjit. Këto zgjedhje i fitoi koalicioni i majtë i drejtuar nga PS, ndërsa fushata drejtohej nga krerët e kësaj partie, atëherë Fatos Nano kryetar i PS, ndërsa Ilir Meta kryeministër i qeverisë së kësaj partie. Deri pak muaj para fushatës elektorale, PS ishte përfshirë në një debat të brendshëm që dukej sikur do të rrezikonte fitoren. Por në prag fushate, krerët e PS-së u angazhuan në fushatën elektorale dhe u shfaqën të bashkuar nëpër podiume. Nano e Meta filluan të dilnin përsëri bashkë në takime elektorale, duke premtuar se do ta drejtonin PS drejt fitores tjetër në zgjedhjet parlamentare. Ata drejtuan bashkarisht një fushatë të ashpër kundër opozitës, e cila, nga ana tjetër, drejtohej nga kryetari i PD-së, Sali Berisha. Fushata u përqendrua te rikthimi në kujtesë i ngjarjeve të vitit 1997. Në zgjedhjet e 24 qershorit, PS fitoi 46% përkundrejt koalicionit të djathtë “Bashkimi për fitore”, të kryesuar nga PD, me 34%. Pas përfundimit të procesit zgjedhor, 73 nga 140 vendet e Parlamentit ishin të PS-së.

Menjëherë pas zgjedhjeve Fatos Nano deklaroi që kandidat për kryeministër do të jenë vetëm anëtarët e Kryesisë. U diskutuan si të mundshëm tre kandidatë për kryeministër: Arben Malaj, Ilir Meta e Spartak Poçi. Në mbledhjen e Kryesisë të 15 korrikut, socialistët miratuan një projekt-rregullore të funksionimit të marrëdhënieve qeveri-parti. Parashikohej miratimi i posteve ministrore prej Kryesisë së partisë. Më pas, mbledhja e 3 gushtit miratoi tri kandidaturat e mësipërme për kryeministër dhe kandidatë për kryetar Kuvendi, Namik Doklen e Kastriot Islamin. Me anë të projekt-rregullores Nano i rriti kompetencat e Kryesisë së partisë, të cilën ai drejtonte. Sipas statutit të partisë, Nano nuk mund të ishte Kryeministër, pasi neni përkatës në këtë statut fliste për ndarjen e posteve, të kryetarit të partisë me atë të Kryeministrit.

KPD e 20 gushtit zgjodhi Kryeministër përsëri Ilir Metën, me 84 vota pro, ndërsa Namik Doklen kryetar Kuvendi me 74 vota pro. Nano deklaroi se ky proces i zgjedhjes së Kryeministrit dëshmoi vlerat e PS-së. Ai u shpreh në KPD: “Jemi të dënuar të punojmë bashkë dhe jo të përjashtojmë njëri-tjetrin”. Në njëfarë mënyre dukej se po shuhej edhe një herë lufta politike ndërmjet dy grupeve, atij të Nanos dhe atij të Metës.

Meta paraqiti kabinetin para Kryesisë, e cila e miratoi. Më pas edhe Presidenti Meidani e dekretoi qeverinë e re. Ndërkohë PD kishte shpallur bojkotin parlamentar. PD nuk i njohu rezultatet e zgjedhjeve të 24 qershorit. Procesi pati kritika edhe nga ndërkombëtarët. Në këto zgjedhje lulëzoi një fenomen i ri, që dukej si përfundim i pafajshëm i një veprimi logaritmik, por vinte në dyshim cilësinë e votës së lirë në një vend demokratik, ai i quajtur “Dushku”, për shkak të emërtimit të zonës prej nga morën mandatet 9 deputetë. Në librin e Afrim Krasniqit, “Historia e zgjedhjeve në Shqipëri”, pasqyrohet qartë analiza e fenomenit të Dushkut, si dhe të tjera fenomene negative që shoqëruan këto zgjedhje. Më poshtë botohen pjesë nga libri i Krasniqit.

 

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 shënojnë një ngjarje tjetër të rëndësishme në politikën dhe historinë e zgjedhjeve shqiptare. Partia Socialiste dhe aleatët e saj në qeveri kishin rastin të organizonin zgjedhjet e para parlamentare në 11 vjet. Ato duhej të dëshmonin se ishin të aftë të administronin procese zgjedhore, të garantonin lirinë e votës dhe konkurrencës dhe të arrinin standardet e zgjedhjeve të lira e demokratike, për cenimin e të cilave ishte ndëshkuar PD-ja më 1996. Në dallim nga zgjedhjet e vitit 1997, të cilat ishin zgjedhje emergjente, ato të vitit 2001 zhvilloheshin në kushte normale, me institucione funksionale dhe të stabilizuara dhe ishin një provë tjetër e aftësisë së këtyre institucioneve për të garantuar procesin elektoral dhe vullnetin e popullit.

Në aspektin politik, zgjedhjet zhvilloheshin vetëm një vit përpara mbarimit të mandatit të Presidentit të Republikës dhe si të tilla, bashkë me mandatin qeverisës do të duhej të ofronin një përgjigje edhe për zgjedhjet presidenciale. Kryetari i PS-së, Fatos Nano, ushqente aspirata të qarta për postin e Presidentit, dhe për këtë, kishte mbështetjen e plotë të gjithë pjesës tjetër drejtuese të PS-së, përfshirë edhe kryeministrin Ilir Meta, qeverinë e tij dhe aleatët e koalicionit. Për zgjedhjen e presidentit Kushtetuta kërkon një minimum prej 84 votash, të cilat në kushtet e një konkurrence të fortë politike, kërkojnë domosdoshmërisht një konsensus të gjerë politik.

Duke e ditur se është e pamundur marrja e konsensusit të opozitës për zgjedhjen në postin më të lartë shtetëror, kryetari i PS-së dhe bashkëpunëtorët e tij kërkuan forma të tjera, të cilat duhet të bënin të mundur arritjen e numrit 84 të deputetëve. Koalicioni qeveritar “Aleanca për Shtetin” pati konflikte të brendshme politike lidhur me raportet e bashkëpunimit dhe zonat e lira për aleatët. Duke mos gjetur konsensus me aleatët, PS-ja vendosi të dalë e vetme në zgjedhje. Ky vendim i çoi në një pozitë shumë të vështirë aleatët e saj politikë, PSD-ja, PBDNJ-ja, PA-ja dhe PAD-ja, të cilët e kishin thuajse të pamundur përfaqësimin në parlament. Përballë një koalicioni të ndarë të së majtës, PD-ja krijoi një aleancë zgjedhore PR-ja, PBK-ja, PLL-ja dhe BLD-ja me emrin “Bashkimi për Fitoren”, në emrin e së cilës u regjistruan të gjithë kandidatët e PD-së.

Gjykata Kushtetuese, përcaktuese për mazhorancën e re

Pavarësisht nga këto zhvillime të pazakonshme, beteja e vërtetë e zgjedhjeve nuk u zhvillua në zonat elektorale, por në KQZ dhe sidomos në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit,  drejtuar nga Fehmi Abdiu, ish-deputet, kryetar i komisionit parlamentar të ligjeve dhe ish-funksionar i rëndësishëm politik i PS-së, luajti një rol aktiv në trajtimin e ankesave dhe shpërndarjen e mandateve parlamentare. Nga 100 zona elektorale në zgjedhjet e vitit 2001, rezultatet e 59 zonave elektorale u ankimuan në Gjykatën Kushtetuese. Në total në gjykatë u paraqitën 64 kërkesa, pjesa më e madhe e tyre lidhej me shpalljen e balotazhit midis dy kandidatëve kryesorë, të Partisë Socialiste dhe koalicionit “Bashkimi për Fitore”. Nga ky numër i madh kërkesash 30 u përkisnin kandidatëve të majtë, 31 kandidatëve të djathtë dhe 3 kandidatëve të pavarur. Në 9 raste u paraqitën kërkesa nga dy subjektet e së njëjtës zone elektorale. Gjykata pranoi 16 kërkesa nga subjekte të ndryshme politike, 8 nga subjektet e majta, 6 nga subjektet e djathta dhe 2 nga kandidatët e pavarur. Pjesa tjetër e 34 kërkesave u rrëzuan, nga të cilat 20 u përkisnin subjekteve të majta dhe 18 të djathta. Në 5 raste Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës asi vendimet e KZZ-së nuk ishin ankimuar në KQZ. Të tilla janë kërkesat e paraqitura nga kandidatët Th. Miço, Z. Beqiraj, A.Lika, B. Lako dhe H. Kovaçi. Në tre raste gjykata vendosi pushimin e çështjeve, 1 për kandidatin e majtë, 1 të djathtë dhe 1 të pavarur, konkretisht kandidatët B. Allamani, M. Çeço dhe F. Çakulli. Në gjashtë raste, 5 për forcat e djathta dhe 1 për forcat e majta, gjykata ka vendosur moskalimin e çështjes në seancë gjyqësore. Nga totali prej 64 vendimeve të gjykatës, 38 janë marrë me votim unanim të të gjithë anëtarëve, pjesa tjetër prej 24 vendimesh janë marrë me shumicë votash. Megjithëse Gjykata zyrtarisht156 u shpreh se “nuk është një organ që zbulon provat, por i verifikon dhe i vlerëson ato kur paraqiten nga subjektet”, në katër raste ajo mori atributet e Gjykatës së Faktit dhe vendosi hapjen e kutive të votimit, (kërkesat e kandidatëve M. Çeço, A. Starova, P. Bare dhe 156 Vendime të Gjykatës Kushtetuese. “Procesi Zgjedhor 2001”. Tiranë 2001. Gjithashtu në shtatë raste të tjera, sidomos në zonën 13, 60 etj, ajo hyri në detajet teknike të provave, kërkoi dokumente shtesë si prova dhe mori vendime pa marrë në konsideratë të gjitha ankesat dhe provat e palës tjetër. Vendimi më i rëndësishëm i Gjykatës Kushtetuese lidhej me zonën 60. Gjykata rrëzoi secilën nga 6 ankesat që u paraqitën në këtë zonë, duke bërë një arsyetim të detajuar rreth koncepteve “zgjedhje të lira”, “ e drejta e zgjedhjes”, “raundi i parë”, “sistemi kushtetues”, etj. Gjykata rrëzoi çdo pretendim dhe theksoi se “nëse subjektet e ndryshme zgjedhore përdorën taktikat zgjedhore, sipas strategjisë së tyre politike, por brenda rregullave të ligjit, ky nuk është një problem që i përket për zgjidhje Gjykatës Kushtetuese”.

Në përfundim të procesit ankimues në Gjykatën Kushtetuese, sipas të dhënave të vetë gjykatës, kandidatët e majtë kanë përfituar në 21 raste dhe pjesërisht në 4 raste. Në dy raste Gjykata vendosi rrëzimin e vendimit të KQZ dhe dhënien direkt të mandatit për deputetë (A. Dade e E. Sherifi). Po ashtu nga vendimet e gjykatës kandidatët e djathtë përfituan në 22 raste dhe pjesërisht në 4 raste. Në fakt, duke iu referuar brendësisë së vendimeve dhe gjykimeve të Gjykatës Kushtetuese rezulton se në 48 rastet e shqyrtimit të ankesave të palëve, vetëm në pesë raste mori vendime në favor të kandidatëve të opozitës. Në rastet e tjera, gjithsej 43 raste, Gjykata i dha të drejtë ankesave të kandidatëve të majtë. Ka raste, siç janë ato të shqyrtimit të listës proporcionale dhe vendimit pro kandidatit të PD-së, që në fakt u morën kundër një partie tjetër aleate të PD-së, PBK-së, kështu që nuk mund të konsiderohen vendime të krahasueshme midis të majtës dhe të djathtës. Në këtë mënyrë, PS-ja ia arriti, ashtu si PD-ja më 1996, të përdorë institucionet më të larta ligjore e kushtetuese në vend për të legjitimuar fitoren e saj të fryrë elektorale. Në tërësi, vendimet e Gjykatës u kritikuan ashpër edhe për shkak të brendësisë së tyre. Duke analizuar 157 vendime të Gjykatës Kushtetuese shpallura në një botim të posaçëm të bërë nga kjo gjykatë më 2001, rezulton se të njëjtat argumente që ka përdorur për të motivuar një vendim pro kandidatëve të majtë (parregullsi në lista, parregullsi në dokumentacion, fillimi me vonesë i votimit në disa qendra, presionet ndaj komisionerëve, votimi familjar, mungesa e firmës së të gjithë anëtarëve të komisionit, dyshimi për vërtetësinë e firmave, etj) janë rrëzuar dhe nuk janë pranuar si të tilla në gjykimin e ankimimeve të kandidatëve të djathtë. Në shtatë raste flagrante Gjykata vlerëson se këto mangësi kanë të bëjnë me periudhë zgjedhore dhe jo me ditën e votimit, ndaj si të tilla hidhen menjëherë poshtë. Në zonën 13 Gjykata gjykoi se firmat e komisionerëve ishin falsifikuar nga mbështetësit e kandidatit të djathtë dhe pranoi si të vërteta dokumentet paralele të sjella nga kandidati i majtë. Muaj më vonë këto dokumente kaluan në ekspertizë dhe u provua se firmat e cilësuara të falsifikuara nga Gjykata Kushtetuese në fakt ishin të sakta dhe dokumentet e cilësuara të sakta nga kjo gjykatë, në fakt rezultonin të falsifikuara. Ky rast tipik, i përmendur në të gjitha raportet ndërkombëtare për zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, hedh dyshime mbi të gjithë integritetin e vendimeve të saj, të cilat patën ndikim direkt në jetën politike dhe ndryshuan raportet politike në parlament.

Zona 60, të gjitha detajet e skenarit të Dushkut

Pas raundit të dytë, loja më e ashpër politike u përqendrua për të fituar sa më shumë mandate nga lista e 40 mandateve shtesë. Ndryshe nga rasti i lojës me kandidatët e pavarur, ku PD-ja u gjend e përgatitur dhe pati një përgjigje direkte, në rastin e skemës së mandateve shtesë, ajo u gjend tërësisht e papërgatitur. Ajo ishte aq e papërgatitur, saqë injoroi tërësisht, madje kritikoi edhe thirrjet alarmuese të medias, kryesisht gazetave “Albania” për skenarin e manipulimit të zgjedhjeve për mandatet plotësuese. PS-ja kishte hartuar një plan rezervë, i cili funksionoi në mënyrë të përkryer, duke i dhënë asaj më shumë deputetë sesa Tirana dhe Durrësi së bashku. Konkretisht, në raundin e parë të zgjedhjeve nuk u zhvilluan votimet në zonën 60 në Lushnjë. Kjo zonë, e cila ditën e zgjedhjeve u trajtua vetëm si një incident i vogël moskoordinimi midis KQZ-së dhe administratës zgjedhore vendase, shumë shpejt do të bëhej zona elektorale më e rëndësishme e historisë shqiptare të zgjedhjeve. Zona 60 përmbledh komunat e Tërbufit, Dushkut, Golemit, Ballagatit, Hysgjokajt dhe Karbunarës me rreth 27,043 zgjedhës të regjistruar. Në garën nominale për deputetë u regjistruan 9 kandidatë, Asllan Haxhiu (PS), Myslim Murrizi (PD), Ingrid Shuli (PSD), Dritan Koleshi (AD), Kudret Gjyshja (PA), Shefqet Kaba (PBDNJ), Enver Tabaku (PDK), Kadri Mançe (PKB), Shefqet Dobro (PL.Mon) dhe Andrea Bello (PK). Gara midis kandidatëve si dhe për votimin për subjektet politike u zhvillua më 8 korrik 2001. Më 11 korrik, Komisioni Zonal i Votimit mori vendim për pamundësinë e shpalljes së rezultatit të votimit dhe përsëritjen e zgjedhjeve. Një sërë anulimesh, ankimesh, votimesh të pjesshme dhe tre vendime të njëpasnjëshme të Gjykatës Kushtetuese më 4 gusht 2001 i dhanë fund komedisë së zonës 60, duke aplikuar kështu një skemë elektorale, e cila më 2001 i dha koalicionit të majtë 10 deputetë më shumë, por që më 2005, do të shndërrohej në bumerang për të. Për të kuptuar më mirë zhvillimet në zonën 60 dhe ndikimet e saj në parlamentin e ardhshëm, le të shohim detajet e mëposhtme: mbi bazën e ligjit elektoral partitë përfaqësohen në parlament dhe kanë të drejtë të përfitojnë nga 40 mandatet shtesë të listës proporcionale, vetëm nëse ato sigurojnë 2.5% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve. Në kushtet e votimit të 24 qershorit 2001, shifra 2,5% e votave kombëtare ishte e barabartë me 33,497 votave për partinë. Në fakt, më 24 qershor kufiri prej 2,5% u kalua vetëm nga katër subjekte elektorale, Partia Socialiste, Bashkimi për Fitore, Partia Demokrate e Re dhe Partia Socialdemokrate. Siç shihet edhe në tabelën e mëposhtme, nëse ndarja e 40 mandateve shtesë do të bëhej bazuar në votat e marra ditën e zgjedhjeve, pra pa zonën 60, atëherë koalicioni qeverisës do të  kishte 8 deputetë më pak ose katër deputetë më pak sesa numri i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit të Republikës dhe miratimin e ligjeve kushtetuese. Opozita do të kishte 8 deputetë më shumë, dhe kështu, një mundësi reale për të bllokuar zgjedhjen e presidentit dhe kalimin e vendit në zgjedhje të parakohshme. Nga subjektet elektorale, përfituesit e 40 mandateve do të ishin koalicioni i opozitës, PSD-ja dhe PDR-ja. Tri partitë e tjera politike, Aleanca Demokratike, Partia Agrare dhe Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk kishin minimumin e domosdoshëm të votave për të hyrë në parlament.

Skema e aplikuar në zonën 60, të njohur tashmë si zona  e Dushkut, për shkak të emrit të komunës së saj kryesore, deformoi shifrat elektorale dhe dha një rezultat të papritur. PS-ja shpërndau disa dhjetëra mijëra fletëpalosje ku bënte thirrje që mbështetësit e saj të votonin për dy partitë aleate, PAD-në dhe PA-në. Të gjithë liderët e majtë, anëtarët e qeverisë dhe figura drejtuese të administratës qendrore u angazhuan për dy javë në zonën 60, në përpjekje për të bindur votuesit për votim taktik, pra për kalimin e votave të tyre në favor të dy partive aleate. PD-ja, nga ana e saj, fillimisht u gjend e papërgatitur dhe më pas ishte e pafuqishme për të bllokuar skemën e ndjekur nga PS-ja. Javën e fundit të fushatës PD-ja ndryshoi taktikë dhe tentoi ta zbusë efektin taktik të socialistëve, duke u bërë thirrje strukturave të tyre të mbështesnin me vota PBDNJ-në, një parti, e cila për momentin, për shkak të bindjeve personale të kryetarit të saj Vasil Melo, ndodhej më pranë PD-së sesa PS-së. Pra, PD-ja iu kundërvu skemës së Dushkut me të njëjtën skemë, por me një aleat më pak. Incidentet dhe njoftimet për manipulim shoqëruan ditën e votimit dhe procesin e numërimit të votave në këtë zonë.

Zona 60 dha rezultate të pazakonta: partia e parë doli Partia Agrare me 3,614 vota, më pas PBDNJ-ja me 2,542 dhe PAD-ja me 2,307 vota. Në këtë mënyrë, tri partitë kapërcyen kufirin minimal për hyrjen në parlament dhe siguruan nëntë mandate shtesë për koalicionin e majtë në qeveri. Deputetët që u zgjodhën me votat e zonës 60 janë: Asllan Haxhia (PS), Neritan Ceka (PAD), Arben Imami (PAD), Preç Zogaj (PAD), Lufter Xhuveli (PASH), Ndue Preka (PASH), Refet Delvina (PASH), Vasil Melo (PBDNJ), Vangjel Dule (PBDNJ) si dhe Ligoraq Karamelo (PBDNJ). Dy partitë e tjera, PSD-ja dhe sidomos PDR-ja morën një goditje të madhe në këto votime, pasi futja e tri partive të tjera politike në parlament uli koeficientin e përfitimit prej tyre të mandateve shtesë elektorale. Pa zonën 60 PSD-ja do të kishte një deputet më shumë, kurse Partia Demokrate e Re dy deputetë më shumë. Siç shihet në tabelën e mëposhtme, zona 60 konsiderohej një zonë e sigurtë nga PS-ja, ndaj kjo është një arsye për të besuar se zgjedhja e saj si një zonë eksperimentale me aleatët, nuk ishte e rastësishme. Nëse lexoheshin rezultatet e arritura në votimin për kandidatët, rezultonte se kandidati i PS-së kishte fituar 7,371 vota ose 6,660 vota më shumë sesa subjekti Partia Socialiste në votimin për partitë. Kjo diferencë ishte përafërsisht e barabartë me numrin e votave (5,921), të cilat PS-ja u dhuroi dy aleatëve të saj, PAD-së dhe PA-së për të hyrë me nga tre deputetë në parlament. Edhe numri i votave i kandidatit të PD-së në këtë  zonë dhe 2-3 kandidatëve të tjerë të djathtë ishte thuajse i përafërt me numrin e votave që morën PD-ja dhe PBDNJ-ja së bashku në votimin taktik për subjektet elektorale. Të dhëna të tilla dëshmojnë se kalkulimet taktike të ndjekura nga PS-ja dhe PD-ja funksionuan me korrektësi të plotë, pavarësisht se kjo skemë duhej zbatuar nga qytetarët e thjeshtë të njërës prej zonave rurale më të zakonshme në Shqipëri.

 

Kandidatet në mazhoritar       Numri i votave

Asllan Haxhiu (PS)                             7,371

Myslim Murrizi (PD)               3,882

Ingrid Shuli (PSD)                              481

Dritan Koleshi (AD)               189

Kudret Gjyshja (PA)               162

Andrea Bello (PK)                              151

Shefqet Kaba (PBDNJ)                      68

Enver Tabaku (PDK)                          62

Shefqet Dobro (PLM)                         55

Kadri Mance (PKB)                            29

 

Ndaj skemës së përdorur në zonën 60 pati një reaksion zinxhir, nga PD-ja, PSD-ja, PDR-ja, kandidati i opozitës dhe organizatat monitoruese, por KQZ-ja dhe Gjykata Kushtetuese më 28 gusht 2001 u dha përgjigje përfundimtare të gjitha pretendimeve, duke lënë në fuqi pasojat e skemës taktike të zonës 60. Ajo u kritikua ashpër në raportet ndërkombëtare për zgjedhjet, rriti kritikat e brendshme ndaj PS-së dhe moralit të saj qeverisës dhe pas disa muajve çoi në një krizë politikë, e cila do të mbyllej me kompromisin, që PD-ja të kompensohej me të drejtën e zgjedhjes së presidentit konsensual, si një çmim për fitoren e fryrë dhe taktike e PS-së. Me vdekjen e kryetarit të PBDNJ-së Vasil Melo, lidershipi i ri u afrua më shumë me PS-në, kështu që edhe votat dhe tre mandatet e mbështetura nga PD-ja në zonën 60 shkuan në favor të koalicionit të majtë. Dy vjet më vonë, për shkak të zhvillimeve brenda partive politike dhe koalicionit qeverisës, dy nga tre deputetët e PAD-së të zgjedhur nga votat taktike të zonës 60, do të bashkoheshin me opozitën, kurse pas zgjedhjeve të vitit 2005, dy nga tre partitë përfituese të Dushkut do të bëheshin aleatë qeverisës të Partisë Demokratike. Raporti i Misionit të Vlerësimit të Nevojave i ODHIR/OSBE-së 2005 në analizë retrospektive mbi zonën 60 do të shkruante se “në vijim të një ndërprerjeje të shpërndarjes së materialeve zgjedhore për raundin e parë të zgjedhjeve në zonën e atëhershme 60, raundi i parë i zgjedhjeve në këtë zonë u shty për dy javë dhe u zhvillua në ditën e zhvillimit të raundit të dytë. Në zonën 60, gjatë këtyre dy javëve, PS-ja bëri fushatë që zgjedhësit të hidhnin votën e tyre për maxhoritarin për kandidatin e PS-së të regjistruar në atë zonë, dhe votën e proporcionalit për një prej tri partive, Partia Aleanca Demokratike (PAD), Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNj) dhe Partia Agrare (PA), të perceptuara gjerësisht si aleate të PS-së. Asnjë prej këtyre tri partive nuk e kishte kaluar pragun 2,5 për qind pas numërimit të votave pas raundit të parë. Për rrjedhojë, në zonën 60, kandidati i PS-së fitoi 58,8 për qind të votave në maxhoritar, PS-ja fitoi 5,6 për qind të votave proporcionale dhe tre aleatët de facto të PS-së fituan nga 2000 deri në 3600 vota (nga 16 deri në 28 për qind të votës proporcionale në zonë). Kjo mjaftonte që PAD-ja, PBDNJ-ja dhe PA-ja të fitonin të drejtën për pjesëmarrje në shpërndarjen e 40 mandateve plotësuese dhe secilës iu dhanë tri mandate”.

Please follow and like us: