Gjirokastër, gjyqe dhe divorce në 1937
Dokumentet e rralla/Zonjat që kërkonin shkurorëzim me bashkëshortët që i kishin harruar pasi ishin larguar në emigrim
Një varg shpalljesh nga gjykata e Gjirokastres publikuar në datat 20 dhe 22 janar 1937 zbulojne një prej plagëve të gjithhershme të shoqërisë shqiptare, emigrimin. Dhe kjo zbulohet përmes kërkesave për shkurorëzim të disa grave, të cilat prej vitesh nuk merrnin as lajm e as letër prej burrave të tyre në emigrim.
Zonja Rabo ishte abandonuar nga bashkëshorti e saj, dhe gjyqi i zhvilluar me dyer të hapuna i kishte dhënë asaj shkurorëzimin e kërkuar, duke e shpallur të akuzuarin fajtor për abandonimin. Vendimi qe dhënë me 20 janart 1937 pasi ishin bërë hetime dhe ishte zbuluar se ai ndodhej në Australi “me banim të paditun”…
Po ashtu po kjo gjykatë kishte publikuar në 22 janar 1937 dy thirrje për gjyq për bashkëshortët e zonjës Kleopatra dhe zonjës Elpiniqi. Bashkëshorti i Kleopatrës, zoti Vasil, akuzohej nga bashkëshortja se e kishte “lënën ligsht për ma tepër se një vit”. E po për të njëjtën arsye thirrej në gjyq me kërkesë për shkurorëzim edhe bashkëshorti i Elpiniqit, i cili ishte hetuar se jetonte në nje adresë “të paditun” në Buenos Aires në Argjentinë.
Ndërsa dy seanca paqësimi ishin rezervuar po nga Gjykata e Gjirokastrës, për dy bashkëshortë të tjerë gjirokastritë, që po ashtu i “kishin lënë ligsht gratë e tyre për ma shumë se nji vit”. Dy bashkëshortët njëri me banim të paditun në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tjetri në Greqi, sipas thirrjes së Gjykatëqs duhej të paraqiteshin me çdo kusht në këto seanca, në të kundërt veprimet gjyqësore do të ndërmerreshin në mungesë të tyre.
Njoftimet e veçanta të Gjykatës së shkallës së parë Gjirokastër ishin botuar në shtypin e kohës dhe ne i sjellim për lexuesit tanë bashke me fotot e botimit.