Anila Kalleshi: Si mora “Çmimin e Artë Europian” në Barcelonë
Atë e sheh çdo ditë në televizionet më prestigjioze shqiptare. Njihet për punën e palodhur në fushën e dietologjisë, gjithnjë në luftë kundër obezitetit. Emri i saj tashmë është i famshëm edhe ndërkombëtarisht, për shkak të dhjetëra çmimeve, të cilat i ka rrëmbyer në 18 vite karrierë. Të gjithë lexuesit e kanë kuptuar tashmë se po flasim për dietologen e njohur, Anila Kalleshi. Përveçse një karriere të gjatë, ajo mban mbi supe edhe tre mastera në fushën e dietologjisë, të marra nga tre vende të botës. Por këtë herë ajo rrëfehet për eventin më të fundit, të organizuar në Spanjë, ku triumfoi edhe një tjetër trofe. Çfarë ndodhi me këtë “Çmim të artë”, që mban emrin e filozofit grek, Sokrati… International Socrats Award (ISA). Dhe si përzgjidhen konkurrentët e këtij evenimenti mbarëkombëtar?
Ju sapo jeni kthyer nga Spanja, ku keni marrë pjesë në një event të rëndësishëm në fushën e mjekësisë, ku edhe kësaj here nuk jeni ndarë pa një çmim në fushën e Dietologjisë. Mund të zbuloni diçka më shumë për lexuesit?
Eventi që u zhvillua në Spanjë është një Asamble e Bizneseve Botërore, që organizon ceremoni të përvitshme në të gjithë botën. Këtë herë u zhvillua në Spanjë, ku përfaqësues nga e gjithë bota, personazhe të fushës së mjekësisë, në këtë rast ishin spitalet, farmacistët, mjekët më të njohur në botë, të cilët kishin prezantuar të rejat më të fundit të tyre në fushën në të cilën ata aplikonin. Kishin arritje të reja, promovime, eksperienca të reja, të suksesshme në biznesin e tyre. Unë, për të qenë e nominuar për marrjen e këtij çmimi, kisha aplikuar dhe dorëzuar një sërë materialesh, rezultatet më të suksesshme të miat për këtë periudhë nga klientë të ndryshëm, të shoqëruar me video dhe me foto, para dhe pas trajtimit.
Cilat janë ato kritere që kanë më së shumti rëndësi për marrjen e këtij çmimi?
Të gjitha skedat teknike të aparaturave, që unë përdor në qendër. Të gjitha daljet e mia publike, duke filluar nga televizionet, revistat, gazetat, të cilat kanë shkruar për mua dhe rreth punës time përgjatë këtij viti, botimet periodike. Tashmë njihen që kam botuar gjashtë libra, pra kam gjashtë libra që mbajnë autorësinë time. Të gjitha këto janë pjesë e asaj që unë quaj CV-në e punës time, që është kriter për të marrë pjesë në një event të tillë. Nderohet si dietologia më e mirë, specifikuar për luftën kundër humbjes së peshës
Po çmimi me të cilin u nderuat?
Juria është e përbërë nga njerëz shumë të njohur të shkencës, kryesisht të fushës së mjekësisë. Ceremonia e çmimit që mora u zhvillua në Hotel Claris me pesë yje, në Barcelonë. Çmimi që mora kishte të bënte pikërisht me arritjet e mia të këtij viti, në fushën në të cilën aplikoj. Po ta vësh re, edhe në çmim është përcaktuar si: “Çmimi i artë europian për cilësinë dhe biznesin, në fushën e humbjes së peshës”. Është i personalizuar për këtë aktivitet që unë kam. Ishte një zonjë nga Xhamajka, që kishte një qendër të tillë dobësimi dhe që nuk arriti dot të kualifikohej për të marrë këtë çmim. Për shumë pak pikë nuk e arriti dot. Humbja e peshës në mënyrë të shëndetshme, a është pika juaj e fortë si dietologe, tashmë me njohje ndërkombëtare? Dihet që obeziteti është sëmundja e shekullit. Sëmundjet e tjera si: diabeti, hipertensioni etj., kanë një problematikë të caktuar, ndërsa obeziteti lidhet me disa sëmundje. Pra, mund të shkaktojë disa sëmundje radhazi, duke filluar që te diabeti, kolesteroli, hipertensioni, kancere të ndryshme, të cilat janë të lidhura me mbipeshën, ndaj dhe fokusi i çdo çmimi natyrisht është tek marrja apo cilësimi i asaj, që është më e shëndetshme. Dhënia e eksperiencave më të shëndetshme të mundshme, që mund të ekzistojnë. Kuptohet që humbja e peshës mund të realizohet në shumë mënyra, qoftë edhe me një dietë të rëndomtë të marrë nga një faqe internet, por duhet të dihet që kjo dietë e pakontrolluar mund të shkaktojë dëme të jashtëzakonshme në organizmin tuaj. Njerëzit kryesisht kanë tendencën të zgjedhin gjërat e shpejta, të thjeshta, por me një dietë të pakontrolluar mosmarrja e vitaminave e mineraleve të duhura, shkakton dëmet që sapo përmendëm. Duke shkaktuar kështu deficiencë në organizëm dhe krijon problematika më të rënda, se sa mbipesha që kishin më parë. Ajo çfarë unë trumbetoj gjithmonë, është një rënie e shëndetshme në trup të shëndetshëm, kjo do të ishte zgjidhja e duhur. Dhe duke parë që rezultatet e tyre ishin shumë të sakta, duke iu referuar edhe analizave të gjakut, duke parë sesi kishin lëvizur treguesit e tyre, mu atribua “Çmimi i artë europian për cilësinë dhe biznesin, në fushën e humbjes së peshës”.
Me këtë çmim, a ishte kriter që ju keni qenë e suksesshme gjatë këtij viti jo vetëm në dobësimin e personave, por edhe i keni ndihmuar ata në mosmarrjen e peshës së humbur?
Unë kam marrë një master në Amerikë për Ruajtjen e Peshës së Humbur dhe kjo për mua ka qenë një shkollë vërtetë shumë e saktë, sepse ‘ok’, deri në njëfarë mënyrë funksionon të humbasësh peshë. Çdokush nga ne mund të mbajë një dietë çfarëdo dhe e humb peshën me një dietë drastike, që siç e thamë, shkakton probleme në organizëm. Ky njihet si efekti “Jo-Jo” i dietave, sepse pasi ndërpriten dietat, kilet merren, madje edhe dyfishin e peshës që kemi pasur para aplikimit të dietës. Ajo çfarë unë quaj më të suksesshme në qendrën time është kjo: që çdokush që ka arritur të humbasë peshë, ka arritur ta ruajë këtë peshë pa problem fare, pasi në fund ka ditur se si të ushqehet dhe ato produkte që nuk duhet t’i konsumojë.
Cila ishte rivalja juaj më e fortë, së cilës mund t’ia kishit frikën se mund t’jua rrëmbente çmimin?
Konkurrentë ishin rreth 80 vetë nga e gjithë bota. Unë do të thoja që ishte një konkurrente nga Franca, që me të vërtetë kishte pajisje fantastike. Kishte një metodë që ishte më e shpejtë se ajo që unë aplikoj, por juria e pa të udhës që fituesja duhet të isha unë. Ne u bëmë shumë mike dhe besoj se u vlerësua më shumë teknika jonë nga ana e jurisë. Përse merrni pjesë në gjithë këto çmime? Keni një dëshirë për të ndjekur çfarë ndodh më kërkimin shkencor në fushën e mjekësisë apo me spektër më të ngushtë në fushën e dietologjisë, fushë të cilën ju e zotëroni? Qëllimi im është për të provuar veten, nëse vërtetë jam akoma në treg, pra jam me standard bashkëkohor, ndërsa mendoj se kërkimi shkencor në këtë fushë evoluon dhe unë duhet gjithnjë të jem e përditësuar me të renë e shkencës, me fjalën e fundit. Teknikat dhe teknologjitë ndryshojnë çdo ditë. Prandaj dhe unë nuk kam investuar asnjëherë në kolltukë apo në mure shumë të shtrenjtë, por kam investuar me pajiste të teknologjisë së fundit. Të cilat janë të kushtueshme. Unë, në 18 vite punë, më shumë rëndësi i kam kushtuar blerjes së aparaturave të shtrenjta për të qenë në ‘trend’ me kohën. Unë, me pjesëmarrjen time në këto kompeticione, arrij të kuptoj që jam akoma në treg dhe jam shumë mirë dhe jam shumë fortë, dhe pse jo, kënaqësia që të ndihesh e vlerësuar jo vetëm nga ata që dëgjoj çdo ditë. Nga falënderimet e klientëve të mia, por pse jo, të mos jem e vlerësuar në të gjithë botën… Sot, unë disponoj licencë për të punuar në Oxford, në Londër në Amerikë dhe në të gjithë botën, përveçse në Australi dhe Kanada, ku ende nuk e kam fituar këtë të drejtë.
Mendon që çmimet ndikojnë në besueshmërinë e klientëve?
Padyshim që duhet të rritet besueshmëria te klientët. Sepse unë tashmë jam e testuar fuqimisht nga një shoqëri kompetente për këtë gjë. Dhe të vish në qendrën time nuk është njëlloj si të shkosh në një qendër tjetër, që mund të gjesh rëndom nëpër Tiranë, ku persona jokompetentë vendosin që të bëjnë këtë punë. Por kur flasim për mbipeshën, kjo ka lidhje me shëndetin dhe duhet të jetë një person që ka mbaruar një shkollë mjekësore patjetër dhe një person që ka mbaruar të paktën kurse fizioterapie, që ka një kulturë të përgjithshme rreth shëndetit. Unë njoh persona, të cilët nuk kanë mbaruar akoma shkollën e mesme, të cilët marrin përsipër të bëjnë një biznes të tillë. Mendon që je e vetmja në Tiranë? Unë mendoj që po hapen pa fund qendra të tilla, ky biznes po mbin si kërpudha nëpër Tiranë. Unë kam pasur shumë njerëz, që vinin me mendimin për t’u dobësuar, por më bënin pyetje rreth biznesit, pra dëshironin të përfitonin nga puna ime. Më bënin pyetje të çuditshme, pasi donin të hapnin vetë një qendër të tillë. Njerëzit e tjerë e shikojnë si biznes, ndërsa unë e shikoj si një klinikë shëndetësore që merret me shërimin e mbipeshës, me zgjidhjen e problemit të mbipeshës dhe jo një parukeri, që mjafton të këtë dy aparatura dhe merremi me dobësimin. Shumica marrin dy dieta të gatshme dhe ja servirin klientit. Ndërkohë unë sapo kam mbaruar një master në Romë, disponoj një master në dietologji, gjithashtu kam një master tjetër në Amerikë. Jam me tre mastersa shkencorë mjekësorë.
Cili është ndryshimi mes klinikës tënde, që përfaqësohet nga ju, (pasi njerëzit nuk vijnë për pajisjet, sesa vijnë për asistencën tuaj) dhe qendrave të tjera në ngjashme ne vend?
Unë nuk e kam parë asnjëherë si biznes, unë ende vazhdoj të realizoj kualifikime në këtë fushë. Kam zhvilluar vite të tëra shkolle, supermjaftueshëm. Më 10 mars kam dhënë provimin e fundit. Gjë që do të thotë, se unë në 38 vite vetëm shkollohem. Konkurrentët që hapin një parukeri e bëjnë edhe dobësim, nuk kanë minimum asnjë diplomë fizioterapie. Thjesht e blejnë si biznes, vendosin të marrin disa aparatura, dhe në fund bëjnë gjëra të papërgjegjshme duke rrezikuar edhe shëndetin e pacientëve.
Pajisjet që ju përdorni, a i përdor edhe vetë për të ruajtur formën dhe a kanë efekte anësore? Absolutisht po. Unë i përdor edhe vetë dhe nuk kanë fare efekte anësore. Në qoftë se, që në momentin e parë unë bëj një anamnezë, që nuk besoj se e bën asnjë qendër tjetër, unë në këtë anamnezë të detajuar arrij të kuptoj, se cilat janë shkaktarët apo faktorët që kanë ndikuar në peshën e këtij personi dhe duke njohur të gjitha shkaqet e arsyet, unë përpiqem që të bëj dietën e duhur. Por, që në fillim personi njihet me kundër-indikacionet, pra nëse është një person që ka problem me zemrën, ka variçe të fryra, probleme me dializën, mosha e tretë, fëmijët nuk duhet në mënyrë kategorike të futen në këto aparatura. Një gjëndër tumorale e ndalon rreptësishtë personin të bëjë këtë terapi. Të gjithë këta persona janë të përjashtuar nga dobësimi me metodën e aparaturave.
Helena Avdyli, prill 2016
Please follow and like us: