Xhaferi: Ivanovi ka 10 ditë kohë për mandatimin e kryeministrit të ri
Kryetari i porsazgjedhur i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, deklaron se Presidenti Gjorgje Ivanov ka 10 ditë kohë në dispozicion për të mandatuar kryeministrin e ri të vendit.
Qëndrimi i Ivanovit ka qenë deri më tani refuzues, por Xhaferi zotohet t’i shfrytëzojë kompetencat e tij si kryetar e të vazhdojë me procedurat parlamentare konform Kushtetutës. Nëse brenda kësaj periudhe, kreu i shtetit nuk e dorëzon mandatin e krijimit të ekzekutivit, atëherë Parlamenti do ta zgjedhë vetë qeverinë, ishte komenti i Xhaferit në intervistën e dhënë “Kohës ditore”.
Duke iu referuar episodit tronditës të 27 prillit, zyrtari nënvizoi se personat përgjegjës do të japin llogari, duke përfshirë këtu edhe vetë deputetët që u dolën në krah protestuesve të dhunshëm. 12 persona të dyshuar për ngjarjen e përpara disa ditëve u ndaluan së fundmi nga policia. Sipas ministrisë së Brendshme maqedonase, numri i atyre që përballen me akuza penale për incidentin ku u plagosën më shumë se 100 vetë, është 20. Ajo nuk e ka bërë publik identitetin e plotë të të arrestuarve.