Albspirit

Media/News/Publishing

Retorikë e ashpër në negociatat Britani-BE

Avokatët e familjes shpesh i këshillojnë klientët e tyre që janë në mesin e një divorci ku palët janë të acaruara, që t’i kufizojnë kontaktet e drejtpërdrejta me bashkëshortët dhe se është në interesin e tyre më të mirë që hollësitë e problemeve të tyre financiare t’ua lënë në dorë avokatëve. Fatkeqësisht, javën e kaluar një çift në procesin e divorcit, dështoi ta ndiqte këtë këshillë.

Kryeministrja britanike Theresa May dhe Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Evropian, në një darkë pune patën rastin të diskutonin për kushtet e daljes së Britanisë nga BE. Takimi nuk ishte i suksesshëm.

Sipas njoftimeve të medias, zoti Juncker i kishte thënë zonjës May pas takimit, se “Po largohej nga zyra e kryeministres 10 herë më skeptik se sa kur kishte hyrë aty më parë”. Një ditë pas darkës, ai njoftoi kancelaren gjermane Angela Merkel se kryeministrja May po jetonte në “një galaktikë tjetër”. Që atëherë, të dyja palët i kanë informuar mediat për versionin e vet të atyre që u diskutuan në darkë dhe se kush ishte fajtor për tensionet në rritje mes Londrës dhe Brukselit.

Të mërkurën, kryeministrja May, e cila ka shmangur komentet e drejtpërdrejta mbi darkën, duke ia lënë këtë punë ndihmësve të saj, filloi fushatën zgjedhore të partisë së saj me një sulm të fuqishëm dhe të pazakontë ndaj zyrtarëve të BE-së, duke i akuzuar ata për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet britanike, për dëmtimin e bisedimeve për daljen e Britanisë nga BE dhe për dëmtimin e ekonomisë britanike.

Askush nuk besonte se negociatat për daljen e Britanisë nga BE, që parashikohet të zgjasin dy vjet, do të ishin të lehta. Por retorika e ashpër në ditët e fundit, madje edhe para fillimit të bisedimeve zyrtare dhe acarimi në rritje mes Londrës dhe Brukselit, po fillon t’i bindë disa vëzhgues se shanset e Britanisë për dalje nga BE pa marrëveshje mes palëve dhe pa një marrëveshje të rëndësishme tregtare, po shtohen me kalimin e kohës.

Financierët ndërkombëtarë mendojnë se rreziqet janë të larta. Ata po shqyrtojnë mundësinë që Britania nuk do të sigurojë të ashtuquajturat të drejta të pasaportave, që i lejojnë institucionet financiare me qendër në Londër të zhvillojnë tregti me vendet e BE-së si në kushtet kur Britania të ishte ende anëtare e bllokut. Të mërkurën, gjigandi bankar i Shteteve të Bashkuara, JP Morgan u bë kompania më e fundit financiare ndërkombëtare që njoftoi se do të lëvizte një pjesë të personelit përpara daljes zyrtare të Britanisë nga BE.

Shkëmbimi i akuzave të ashpra mes Brukselit dhe Londrës mund të shihet si pjesë e manovrave përpara negociatave serioze.

Bashkimi Evropian e ka forcuar qëndrimin në mënyrë të dukshme. Zyrtarët e Brukselit kanë rritur vetëm brenda një jave faturën e daljes së Britanisë nga 78 deri në 130 miliardë dollarë, për të mbuluar detyrimet që Londra është angazhuar se do t’i përdorë për projekte të ndryshme në BE. Ata gjithashtu kanë njoftuar se Britania nuk do të ketë asnjë aksion në kompanitë e Bashkimit Evropian, pas daljes nga blloku.

Kryenegociatori i BE, Michel Barnier ka paralajmëruar se fatura financiare e daljes nga BE është e panegociueshme dhe se pasojat për Britaninë do të ishin të jashtëzakonshme nëse Londra del nga BE pa i paguar detyrimet e veta.

Ndërkohë, edhe May ka bërë kërcënime para bisedimeve, dhe po e paraqet veten si mishërimin e ish kryeministres së famshme konservatore me vullnet të fortë, Margaret Thatcher, në fushatën zgjedhore britanike që filloi zyrtarisht të mërkurën, thotë gazetari i Jonathan Freedland, i gazetës “The Guardian”.

Çfarë mund të jetë më e ngjashme me Thatcher-in, se sa premtimi i kryeministres Theresa May për të qenë “një grua tepër e fortë” gjatë negociatave të ardhshme për Brexit-in? Kjo frazë është një version më i butë i epitetit “Gruaja e Hekurt”, epitet i kryeministres së parë britanike. Të dyja kryeministret kanë shfrytëzuar mirë rrënjët e thella të mitologjisë kombëtare: mbretëresha luftëtare që mbron ishujt nga armiqtë”, – argumenton ai.

Në fillim të fushatës së saj zgjedhore, kryeministrja May aludoi se ajo është kandidatja e vetme e aftë për të mbrojtur Britaninë nga Brukseli. “Zgjedhja me të cilën ndeshet vendi tani është shumë e thjeshtë, sepse ka vetëm dy njerëz që mund të jenë kryeministër pas 8 qershorit për të negociuar Brexit-in. Kjo është një zgjedhje midis meje dhe udhëheqësit të Partisë Laburiste Jeremy Corbyn,” – tha ajo.

Acarimi shpesh mund të dalë jashtë kontrollit, duke çuar në grindje, apo divorce të paplanifikuara. Duket se tani po formohen armiqësi personale. Zoti Juncker të mërkurën u përpoq të përdorte një ton më pajtues, duke lavdëruar udhëheqësen “e fortë” britanike dhe duke thënë se ai kishte “respekt të thellë” për kryeministren May. Por ekziston një zemërim i thellë nga të dyja palët; zyrtarët britanikë ishin të zemëruar me rrjedhën e bisedimeve në darkën e javës së kaluar dhe akuzuan zotin Juncker dhe ndihmësit e tij për publikimin e përmbajtjes së bisedimeve.

Dan Mulhall, ambasadori i Irlandës në Britani, u bëri thirrje udhëheqësve të të dyja palëve që të “qetësohen”. Por nuk është e qartë në se lojtarët kryesorë janë të gatshëm ta dëgjojnë këtë këshillë.

Please follow and like us: