Eliza Dushku, imazhi i kampionatit Botëror të Fluturimeve të Lira në Vlorë
Aktorja shqiptare me famë ndërkombëtare Eliza Dushku mbërriti mesditën e sotme në Shqipëri, ku do të jetë e pranishme si imazhi kryesor i kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira, që do të zhvillohet nga data 5-14 maj në qafën e Llogarasë në Vlorë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, një ditë më parë aktorja Dushku shkruante “Ju kujtohen ca pamja të bregdetit dhe maleve shqiptare në dokumentarin tim? Ato i ka realizuar Alket Islami dhe do të jem e pranishme në ngjarjen e organizuar nga ai” ka shkruar Eliza.
Ajo falënderon të gjithë njerëzit që janë pjesë e jetës së saj dhe thotë se është e lumtur dhe krenare me origjinën e saj shqiptare. Bashkë me lajmin ajo ka postuar edhe një fotografi ku ka të veshur fanellën e këtij organizimi shqiptar, “World Paragliding Accuracy Championship”.
Konfirmimin për pjesëmarrjen e Eliza Dushkut si imazh i këtij kampionati e ka bërë më herët themeluesi i Aeronautikës Shqiptare, Alket Islami.
Në këtë kampionat të organizuar për herë të parë në vendin tonë do të marrin pjesë mbi 50 shtete, plot 200 pilotë konkurues dhe 800 pjesëmarrës të tjerë shoqërues. Ekipi kombëtar shqiptar do të jetë i përbërë nga 7 pilotë sportistë, të cilët do të synojnë të përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë.
Ky aktivitet organizohet nga Federata shqiptare e Aeronautikës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe do t’i shërbejë vendin tonë për promovimin e turizmit, zhvillimin dhe njohjen e tij në nivel global në zonën ku do të zhvillohet kampionati.
Shqipëria fitoi të drejtën për të zhvilluar kampionatin e 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira, duke triumfuar ndaj Kinës dhe Gjermanisë dy vendeve të tjera që morën pjesë në konkurim, në mbledhjen e Federatës ndërkombëtare të Aeronautikës të mbajtur në Beograd në vitin 2014.