Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Minxhozi: Kavaja e shtyrë konsolidon 18 qershorin

Sonte është e ligjshme të ketë festë në Çadër. Në pamje të parë opozita ka të drejtën të festojë shtyrjen e zgjedhjeve të Kavajës, ku kishte premtuar se do të pengonte procesin e votimit. Në Kavajë nuk do të votohet në 7 maj, por jo vetëm për shkak të presionit të opozitës, por edhe për pasojë të një vendimi realisht të matur të kryeministrit Rama, i cili duket se mendoi për betejën kombëtare, e jo për një “cep elektoral”.

Leximi dhe interpretimet për shtyrjen e zgjedhjeve të Kavajës është normale që të jenë të ndara. Sepse të ndara janë interesat politike dhe elektorale që lidhen me këtë ngjarje. Ajo që publiku shqiptar fitoi në këtë mes, është një tullë më pak në murin e sherrit që po ndan skenën politike dhe që ka stresuar të gjithë shoqërinë shqiptare në më shumë se dy muajt e fundit.

Nuk dihet nëse Kavajë do të ndodhte diçka e errët në 7 maj, nga ato që tranzicioni na ka mësuar t’i shënojmë në kalendarin e kujtesës kolektive si “data të zeza”. E sigurtë është që Kavaja nuk do të jetë një mollë sherri, e kjo e bën konfliktin për zgjedhjet e përgjithshme edhe më të dukshëm, edhe më evident. Mes momentit aktual dhe 18 qershorit tashmë nuk egziston më “lentja” e 7 majit.

Evitimi i ajsbergut të vogël dhe krejt të panevojshëm kavajas, është një gjest sa i përgjegjshëm, aq edhe i zgjuar taktikisht i Edi Ramës. Sepse, përtej faktit që Kavaja, me degëzimet e saj të rrezikshme të ditës së votimit, mund të absorbonte energji të kota në fushën e shahut të zgjedhjeve kombëtare, ajo paraqitet edhe si një njësi zgjedhore me peshë krejt simbolike në kandarin e madh të votave. Rikonfirmimi i mandatit të Elvis Roshit nga ana e PS, është një shqetësim fare periferik, krahasuar me ndarjen e tortës së madhe të pushtetit legjislativ e ekzekutiv për katër vitet e ardhshme. Dhe në këtë aspekt, Rama kishte shumë për të humbur në 7 maj, kurse Basha shkonte aty thjesht me parimin “sa më keq aq më mirë”.

E parë nga jashtë duket sikur shtyrja e zgjedhjeve në Kavajë do t’i kontribuojë uljes së gjakrave dhe shanseve për dialog. Mund të ndodhë pikërisht e kunderta. Pas fashitjes së gëzimit të fitores djathtas dhe të tulatjes e hutimit majtas, ajo që mund të mbetet si produkt i prekshëm i shtyrjes së zgjedhjeve të 7 majit në Kavajë, mund të përmblidhet në dy pasoja direkte: nga një anë opozita mund të bëhet edhe më refraktare, me besimin e shtuar se presioni prodhoka fitoren. Mund të shohim forcimin e gjuhës dhe të sjelljes së kreut të PD Basha dhe të eksponentëve të tjerë të opozitës, si dhe insistimin e shtuar të tyre në tezën e qeverisë teknike. Në anën tjetër, mund të shohim një reagim të ngjashëm edhe nga qeveria. Edi Rama mund të thotë fare mirë se e dha ç’kishte për të dhënë, si kontribut të paqes e stabilitetit të vendit. Paralajmërimi i tij se është i disponueshëm për Bashën deri të hënën, pra pasnesër, është prova e parë se këtej e tutje kreu i shumicës mund të jetë edhe ai shumë më refraktar në sjellje dhe veprime.

E parë kështu, Kavaja e shtyrë duket se afron dhe konsolidon në thelb 18 qershorin. Gjithmonë nëse opozita do të sillet nën efektin “rakisë elektorale” të Kavajës, pa lëvizur nga kushtet e saj të njohura. Mosmbajtja e zgjedhjeve në qytetin e vogël të Shqipërisë së mesme eliminon vërtetë një problem delikat rendi që lidhej me ditën e zgjedhjeve, por pritet të vështirësojë procesin e negociatave për krizën e 18 qershorit në Tiranë. Dhe në këtë mes, me raportet e pabarabarta që ka krijuar kriza e zgjedhjeve kombëtare, është e qartë që Lulzim Basha ka pak për të festuar nesër, kur tamtamet e daulleve të Kavajës do të kenë pushuar.

Please follow and like us: