Konica pe Korçe e kandidatit monist te PS
Dritan Shano
Lexova në portalin Newsbomb* se në prezantimin e kandidatëve për deputet të parlamentit të ardhshëm monist në qytetin e Korçës, dikush nga kandidatët donte të shprehte nderimin e vet, dhe njëherësh edhe njohjen e vet të thellë për figurat e Korçës.
Në këtë lodhje të madhe, kishte listuar edhe Konicën mes figurave Korçare. Faik Konica i bën nder cdo fshati e qyteti shqiptar, edhe pse Korça ndriçon aq fort me të shtëpisë së vet sa nuk do kishte kurrsesi nevojë për çfarëdo ndihme të tillë, e cila nëse nuk do vinte “e patëkeq” nga injoranca e thellë do ishte fyerje e madhe për qytetin sidomos nga ata që nesër, monist ose jo, do jenë përfaqësues të tij.
Do ishte e udhës që Kryetari i Partisë Socialiste të thërriste një mbledhje urgjente në qendër, të gjithë grupit të kandidatëve për deputet të Korçës, ku Raqka të referojë dhe ta informojë këtë grupi se Faik Konica, përfundimisht, nuk është nga Korça.
Po ashtu, dikush edhe më i studiuar, të informojë me email, apo me ndonjë pusullë operative tjetër të gjithë grupin e kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste se Faik Konica ishte nga Konica e Janinës.
Kështu mund të evitohet që në vijim ndonjë kandidat tjetër për deputet i Partisë Socialiste të tentojë ta përvetësojë Konicën për zonën ku kandidon, dhe të thotë, për shembull, se Konica është figurë e nderuar e Lezhës apo e Kavajës, apo e njësisë 10 në Tiranë.