Albspirit

Media/News/Publishing

Kasem Seferi: Quo vadis politikanë?

Liria në marrëdhëniet që ka politikani shqiptar me elektoratin e vet shihet, njëherazi, si ndarje, por edhe si bashkim i asaj lëvizje që ia mundëson politikanit qëndrueshmërinë në një “valle politike” në një fushatë zgjedhore.

Çështja e raportit midis politikanit dhe lidershipit të partisë, veçanërisht, në lidhje me forcimin e lirisë, është problemi më i mprehtë, që ka ngërthyer hapsirën dhe nivelin e demokracisë në çdo parti politike.

Tashmë është e qartë për të gjithë se liria individuale e politikanit nuk mund të arrihet pa një makineri politike komplekse, pa një ekuilibër inteligjent ndërmjet politikanit dhe lidershipit të partisë, sikundër është vërtetuar herët nga përvoja e Perëndimit.

Nuk mund të ketë liri, pa pasur debat dhe mendim të pavarur, arsye kjo që shpjegon përse forcat politike në Shqipëri nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë brejtjes që u ka sjellë koha dhe marrëzia e liderëve.

Arsyeja është fare e qartë: pushteti autoritarist i lidershipit, i konsideruar perversion i vetë pushtetit, nuk është forma më e mirë për t’i bërë ballë brejtjes që shkakton koha por, gjithashtu, nuk është rezultat vetëm i investimit dhe i veprimtarisë së një lidershipi.

Një dukuri e tillë është rrjedhojë e uzurpimeve të dyanëshme dhe të njëpasnjëshme që i është bërë pushtetit të lidershipit.

Ja përse duhen analizuar me shumë kujdes veprimet e liderëve të partive politike shqiptare, që për të mbrojtur interesat e tyre të ngushta, kanë krijuar të gjitha kushtet ku kultivohet prirja drejt pushtetit autoritarist në politikë dhe në ekonomi, në drejtësi dhe në media, që duke fshehur me dinakëri dallimin që ekziston ndërmjet pushtetit që ngrihet mbi autoritarizmin dhe pushtetit që ngrihet mbi rregulla, kanë përmbushur tekat apo interesin personal, mveshur në vullnetin luhatës të liderit.

Merret me mend në demokraci se, çdo lider liberal, me vullnet të lirë dhe bindje, nëpërmjet një pakti shoqëror dhe politik, e delegon sovranitetin e tij.

Çdo parti politike bazohet në delegimin e përkohshëm të sovranitetit të tij, për të ndërtuar një trup politik, i cili nuk mund të jetë as tiranik dhe as autoritarist.

Pakti elastik që ngrihet mbi bazën e lirisë dhe institucioneve të një partie politike duhet ta ruajë dhe ta bëjë atë sa më të efektshme, ku ndarja e pushteteve, ose të paktën dallimi midis tyre, në përkufizimin e rregullave nuk duhet të ngatërrohet me zbatimin e tyre.

Kësisoj, dobësia për të mos qenë i gatshëm për të negociuar nuk duhet ngatërruar me paaftësinë për t’i bërë të tjerët të mos e shohin dhe të mos e kuptojnë autoritarizmin e panevojshëm të liderit dhe lidershipit, ndryshe, pakti i ndërsjellë dhe i domosdoshëm bie, sepse pala që dhunon premtimet, në këtë mënyrë, e çliron palën tjetër nga detyrimi.
Tipari themelor i politkanit me liri të kufizuar, është nënshtrimi i tij ndaj pushtetit autoritarist sepse ai që nuk rrjeshtohet në drejtimin e pushtetit autoritarist, pëson menjëherë ndëshkimin, veçimin dhe dëbimin, ose mjetet që e mbajnë kohën jashtë kufijve të një politike moderne.

Sa shembuj ka në Shqipëri në këta njëzet e mës humë vjet?!

Lideri mashtrues dallohet nga gënjeshtrat që u thotë njerëzve për të mbështetur më mirë pushtetin e tij mbi ata, ose për të shkaktuar konflikte, të cilat nuk janë gjë tjetër, ose interesa të kuptuara keq ose keqkuptime të krijuara me qëllim.

Në këtë mënyrë të tillë liderë politikë kanë arritur të krijojnë figurën e lidershipit autoritarist, që shfaqet si një institucion në shërbim të të privilegjuarve të tyre, ndryshe nga marrëdhëniet e politikës moderne që burojnë nga arsyeja dhe kërkojnë që ato të jenë të njëjta për të gjithë, veçanërisht, përsa i përket barazisë së shanseve në një parti politike.

Një lider politik që i kundërvë dëshmisë së ndjenjës së perceptimit të tij për të vërtetën, të vërtetat e përvojës, duke mos refuzuar komunikimin me të tjerët, është një politikan që e zotëron të vërtetë, që angazhohet dhe vishet me një mision që proçesi i përfaqësimit ta bëjë ndërhyrjen e tij në politikë të mundshme dhe të dëshirueshme.

Një lider politik që nuk respekton premtimet dhe rregullat, që komandon gjithçka nëpërmjet vullnetit dhe trilleve të tij, në qoftë se harron, atëhere përvoja e hidhur e pushtetit autoritarist ka treguar se çdo njeri që ka pushtet, priret drejt abuzimit me të.

Qeverisja e keqe e një partie politike, bçn që nevojat artificial të zevendësojnë nevojat natyrore: çdo individ nuk është më vetvetja, por luan një rol dhe mban një maskë dhe ajo bëhet një parti politike opake e sfilitur nga servilizmi, interesat e veçanta dhe egoiste, më saktë një parti politike prej së cilës është zhdukur çdo lloj fryme qytetare.

Ata që janë përpjekur ta trajtojnë politikën të ndarë morali nuk kanë kuptuar përse një parti politike legjitime duhet të përbëhet nga individë të pavarur, të lirë dhe të barabartë përpara së drejtës, të cilët marrin pjesë drejtpërsëdrejti në çështjet e politikës dhe së bashku, si qytetarë, formojnë popullin sovran.

Mosbesimi ndaj pushtetit politik të liderit është rezultat i prirjes për të abuzuar me autoritetin dhe zhytjen e tij në arbitraritet, gjë që e bën pushtetin e lidershipit despotik dhe prish paktin shoqëror duke u kthyer në një pushtet ilegjitim, që ruhet vetëm nëpërmjet forcës që ushtron pushteti i lidershipit.

Pushteti i dalë nga masa e partisë politike mbi bazën e një konsensusi të shprehur me votë të lirë, zevendësohet si i tillë kur vendimet merren pa u këshilluar me masën e partisë.

Në jetën e çdo partie politike në Shqipëri të gjithë anëtarët kanë të njëjtën vlerë, por në vendim – marrje peshojnë vetëm ata të cilëve anëtarët e partisë ua kanë deleguar pushtetin dhe çdo tejkalim i këtij pushteti të deleguar, është abuzim me pushtetin dhe tipar i autoritarizmit në drejtimin e një partie politike.
Zgjedhja e pjesës më të madhe të personelit politik (kandidatë për deputetë, deputetë, ministra, zevendësministra dhe personelin drejtues të institucioneve shtetërore) në shpërpjestim me përfaqësimin dhe marrëdhëniet e ndërsjella, ka çuar drejt autoritarizmit në menaxhimin e partive politike dhe autoritarizmi në drejtimin e partive politike është nxitur dhe motivuar nga kërkimi i kënaqësisë personale të liderit dhe njerëzve që e mbështesin nga frika që u ka krijuar pakënaqësia e pjesës tjetër të partisë.

Ja ku jemi sot. Ja përse nuk ka zgjidhje në kohën e duhur. Ja përse ka kriza politike. Ja përse vuajmë pa një ide për Shqipërisnë sikundër bën thirrje Sami Repishti nga përtej oqeanit.

Please follow and like us: