Rrëmujë në Uashington pas shkarkimit të Comeyt
Drejtori i FBI-së, James Comey, po bënte përpjekje të zgjeronte hetimet e agjencisë së tij për marrëveshje të mundshme midis Rusisë dhe fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, pak ditë para se të shkarkohej nga Trump, raportojnë mediat amerikane.
Shtëpia e Bardhë insistoi se Comey është shkarkuar për “gabime” që nuk lidhen me hetimet për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.
“Presidenti ka humbur besimin te drejtori Comey dhe, sinqerisht, ai e ka shqyrtuar largimin e tij që nga dita kur është zgjedhur president”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.
Por, sipas mediave amerikane, Comey i ka kërkuar Departamentit të Drejtësisë para shtesë, për të angazhuar më shumë njerëz në hetimet e që po bën FBI. Comey më pas i ka informuar ligjvënësit për kërkesën e tij për më shumë fonde.
Dick Durbin, demokrat në Senat, tha se nuk është i sigurt se kërkesa e Comeyt nxiti shkarkimin e tij, porse “është e qartë se shkarkimi është përpjekje për të ngadalësuar hetimet”.
Departamenti i Drejtësisë dhe Shtëpia e Bardhë kanë mohuar se Comey ka kërkuar më shumë para dhe se çështja e financimit ka ndonjë lidhje me shkarkimin e tij.
Administrata amerikane ka thënë se pushimi nga puna i Comeyt ka të bëjë me keqmenaxhimin e një hetimi të FBI-së mbi emailet e kandidates demokrate për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton. Trump ka shprehur habinë përse demokratët nuk e mbështetën shkarkimin e Comeyt për këtë arsye.
Demokratët janë ankuar për hetimin e Clintonit nga Comey, veçanërisht për vendimin e tij që vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve të rihapë disa hetime, por ata kanë dënuar shkarkimin e tij, për shkak të rolit kritik të Comeyt në hetimet e Rusisë.
Liderët demokratë në Senat kanë bërë thirrje për emërimin e një prokurori special, për të hetuar Rusinë, pas shkarkimit të Comeyt.
Liderja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se do të përpiqet të detyrojë votimin mbi një ligj që krijon një komision të pavarur për të hetuar çështjen e Rusisë.
Pelosi tha se hetimet duhet të hiqen nga lidershipi i Departamentit të Drejtësisë, i emëruar nga Trump.
Trump është presidenti i parë pas Richard Nixonit që shkarkon një zyrtar të sundimit të ligjit, i cili mbikëqyr hetime që kanë lidhje me Shtëpinë e Bardhë.
Nixon ka shkarkuar prokurorin special që ka udhëhequr hetimet e skandalit Watergate. Furia që ka shpërthyer pas shkarimit të tij ka çuar në dorëheqjen e Nixonit. Dhe, veprimi i Trumpit e lë të pasigurt fatin e hetimeve të çështjes së Rusisë.