Kriza politike, pritet që Basha të japë sot përgjigjen për paketën McAllister
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pritet të japë sot një përgjigje zyrtare për paketën e Brukselit ose e njohur ndryshe si paketa McAllister. Burimet bëjnë me dije se zëvendës/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee do të jetë edhe sot në Tiranë për të pritur këtë përgjigje pas takimeve intensive të një dite më parë që rikthyen shpresat për një marrëveshje.
Një ditë më parë në takimin me gazetarët, Hoyt Brian Yee tha se paketa që u prezantua nga McAllister është një paketë e drejtë që mund të çojë drejt zgjidhjes. Pavarësisht pjesëmarrjes së Partisë Demokratike në zgjedhje, Yee u shpreh se nëse ato çertifikohen si të rregullta nga OSBE, Shtetet e Bashkuara do t’i njohin. Diplomati amerian theksoi se bojkoti i zgjedhjeve nga demokratët dëmton Partinë Demokratike dhe imazhin e vendit.