Albspirit

Media/News/Publishing

Ema Andrea rrëfen gruan e tradhëtuar

Ajo është Ana. Një grua që teksa pi cigare përpiqet të kuptojë çfarë të fshehte ka gjetur i shoqi tek gruaja e re që është përballë saj. Nuk ka asgjë më torturuese për një femër, kur zbulon se i shoqi ka dashur ndoshta më shumë një grua tjetër.

Një skenar i ndjerë i shkruar nga Bujar Alimani, kërkon të vendosë përballë njëra tjetrës dy femra dhe përmes tyre të kuptojmë jetën e një burri. “Vëthi i munguar” është filmi më i ri i regjisorit Alimani, i cili vjen më 17 maj në kinemanë “Imperial”, pas shfaqjes në kinematë e Nju Jorkut.

Një film i bërë ashtu nxitimthi, por që duket se do të mbetet gjatë në ekranin e kinemasë për vetë konceptin me të cilin është ndërtuar.Regjisori ka treguar se gjithë filmin e ka realizuar në pak ditë. Në role kryesore intepretojnë Ema Andrea dhe Adele Gjoka.

Për Ema Andrean ky rol është një përballje jo e lehtë. “Ana ka ardhur tek unë në një mbrëmje vere dhe pas dy mbrëmjesh takimi intesiv u krijuam nën regjinë e Bujar Alimanit. Eshtë një grua që mëson tradhëtinë e bashkëshortit nga testamenti i tij.

Vendos të përballet me të dashurën e bashkëshortit për të kuptuar më shumë, ndoshta për tu njohur me dhembjen deri në ekstrem apo ndoshta për tu hakmarrë. Por përballja nuk do të jetë aq e lehtë”, thotë ajo për “Shqip”.

Ema Andrea vjen për publikun me këtë ekranizim, pas suksesit që pati me rolin Dorës, në veprën “Equus” e Peter Shaffer nën regjinë e Dino Mustafic .Ndërsa regjisori Alimani ka vetëm pak kohë që ka mbyllur xhirimet e filmit me metrazh të gjatë “Delegacioni”.

Please follow and like us: