Çfarë pritet nga takimi Trump – Erdogan?
Një javë pasi Presidenti Donald Trump shkaktoi zemërimin e Turqisë pasi autorizoi dërgimin e armatimeve për kurdët sirianë, ai pret Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, në një takim në Shtëpinë e Bardhë. Bisedimet pritet të përqendrohen tek kjo mosmarrëveshje, si dhe tek aspekte të tjera të konfliktit në Siri.
Shtetet e Bashkuara e shikojnë formacionin kurd YPG si një element kyç në luftën kundër Shtetit Islamik dhe në përpjekjen për t’i larguar ata nga Raqqa, kryeqyteti de facto i grupimit. Por, Turqia e konsideron YPG-në si terroriste, për shkak të lidhjeve të tyre me Partinë Punëtore Kurde, e cila udhëheq prej tre dekadash një rebelim të brendshëm në Turqi.
Presidenti turk Erdogan e konsideroi vendimin amerikan për të ofruar armë, si “në kundërshti me marrëdhënien tonë strategjike me SHBA-në”.
Si Turqia, ashtu edhe SHBA-ja, kanë mbështetur rebelët në Siri gjatë luftës 6-vjeçare kundër forcave të Presidentit sirian Bashar al-Assad dhe aleatëve të tij. Gjithashtu, vendet aleate të NATO-s janë përfshirë ndjeshëm në luftën kundër Shtetit Islamik, që kur ky grupim mori pjesë të mëdha të Irakut verior dhe perëndimor, si dhe të Sirisë lindore në mesin e vitit 2014.
Zoti Erdogan mendohet se do të ngrejë gjatë takimit me Presidentin Trump edhe çështjen e Fethullah Gulenit, klerikut të strehuar në SHBA dhe të akuzuar nga Presidenti turk për organizimin e një puçi të dështuar vitin e kaluar. Turqia ka kërkuar që SHBA-ja ta ekstradojë zotin Gulen, por deri tani kërkesa nuk ka marrë përgjigje pozitive.