Albspirit

Media/News/Publishing

Qëndrimi i Presidentit Trump ndaj NATO-s

Gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë Shteteve të Bashkuara, presidenti Trump do të takohet në Bruksel me udhëheqësit e tjerë të vendeve anëtare të NATO-s. Disa prej tyre janë të shqetësuar rreth angazhimit të presidentit ndaj aleancës, në të cilën Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol kryesor që nga formimi i saj në fillim të Luftës së Ftohtë. Njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës për Shtëpinë e Bardhë, Steve Herman.

Presidenti Trump shprehu ndryshim mendimi pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s muajin e kaluar.

“Thashë se është e padobishme, por jo më”, deklaroi ai.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump i shqetësoi anëtarët e NATO-s duke u zotuar se do të mbante një qëndrim nacionalist dhe izolacionist. Por, kjo në fund të fundit ishte e parealizueshme, thonë disa analistë.

“Ai ishte shumë i informuar më parë. Nuk është e qartë se sa më i informuar është sot, por është shumë e vështirë të hedhësh poshtë një aleancë e cila ka qenë e rëndësishme për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara që nga viti 1949”, thotë analisti James Goldeier.

Këshilltarët kryesorë thonë se zoti Trump do ta përcjell këtë mesazh në Bruksel.

“Presidenti Trump e kupton se ‘Amerika e Para’ nuk do të thotë ‘Amerika vetëm’. Përkundrazi, përkushtimi në interesat amerikane nënkupton forcimin e aleancave dhe partneriteteve që na ndihmojnë të shtrijmë ndikimin tonë dhe të përmirësojmë sigurinë e popullit amerikan”, thotë H.R. McMaster, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare.

Por, zoti Trump këmbëngul në një pikë – se të gjithë anëtarët e NATO-s duhet ta ndajnë barrën në mënyrë të barabartë duke iu përmbajtur një premtimi të mëparshëm për të kontribuar dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto në buxhetet e tyre ushtarake.

“Pyetja është – cilat janë rezultatet e këtij investimi? Ata kanë shumë për të bërë se kanë qenë mbrapa. Sa kanë filluar të bëjnë investimet e nevojshme. Dhe pastaj, sigurisht, duhet të realizosh një forcë shumëkombëshe dhe ta integrosh atë në një njësi luftimi të ndërlidhur”, thotë analisti Stephen Blank.

Përkrahësit e NATO-s thonë se me një Rusi më agresive, problemet në Lindjen e Mesme dhe një fushatë të vazhdueshme për të luftuar terrorizmin në Afganistan dhe gjetkë, aleanca është po aq e rëndësishme sa më parë. Ata shpresojnë se udhëheqësit e tjerë në samitin e Brukselit mund ta bindin Presidentin Trump për këtë.

Please follow and like us: