Albspirit

Media/News/Publishing

Ramona Tullumani, Xhilda e bukur shqiptare në Sofje

Soprano Ramona Tullumani interpretoi me sukses në premierën e operas “Rigoletto” në Teatrin e Operas dhe Baletit të Sofjes (Bullgari), duke marrë duartrokitje te shumta të publikut dhe vlerësime te kritikës.

Këtë herë së bashku me tenorin shqiptar, Adrian Xhema, këngëtarja lirike nga Shqipëria u rikthye në Sofje me një interpretim të shkëlqyer të rolit të Xhildës. Në pothuajse tre orët e shfaqjes, publiku e shoqëroi me duartrokitje të zgjatura interpretimin e sopranos së bukur shqiptare.

Ndërkohë, Tullumani u vlerësua, si për interpretimin, edhe për teknikën e përsosur të zërit. Kritika vendase vuri në dukje se variacionet e arieve janë të bukura dhe të sigurta, duke krijuar një sjellje skenike të veçantë dhe interpretim profesional cilësor. Sopranoja nga Tirana u vlerësua, jo vetëm për bukurinë e timbrit të zërit, por edhe për interpretimin e shkëlqyer të rolit të Xhilës, një personazh aq kompleks.

Vetë soprano shqiptare u shpreh se rikthimi i saj në skenën e Teatrit të Operas së Sofjes është gjithmonë një kënaqësi, sfidë dhe vlerësim i veçantë. “Është gjithnjë kënaqësi për mua të interpretoj në skenën e Operas së Sofjes, por nuk mund të harroj publikun e dashur shqiptar, që aq shumë më ka mbështetur dhe vlerësuar ndër vite. I falenderoj të gjithë. Ata janë pjesë e suksesit tim”, u shpreh Tullumani.

Ramona Tullumani është ngjitur disa herë në skenën e Operas së Sofjes në interpretimin e operave “La Traviata”, “Rigoleto” dhe “Xhani Skiki”. /ata/

Please follow and like us: