‘Amazon’ do dhurojë 1 milion dollarë për lirinë e shtypit
Themeluesi i kompanisë Amazon Jeff Bezos ka premtuar të dhurojë 1 milionë dollarë për të mbështetur lirinë e shtypit, deklaroi të mërkurën Komiteti i Gazetarëve për Lirinë e Shtypit.
“Kjo dhuratë bujare do të na ndihmojë që të vazhdojmë të zgjerohemi, të ofrojmë mbështetjen tonë ligjore dhe edukative për shumë organizata të tjera shtypi dhe të shtojmë shërbimet tona për gazetarët e pavarur, redaksi jofitimprurëse dhe autorë dokuemtarësh”, tha kryetari e Komitetit të Gazetarëve, David Boardman.
“Do të kemi më shumë mundësi që të ndihmojmë mediat lokale, organizatat e prekura më rëndë nga goditja e industrisë së informacionit, mbijetesa e të cilave është po aq thelbësore për demokracinë amerikane sa edhe ato institucione që janë të vendosura në Uashington dhe Nju Jork”.
Ky dhurim nga Bezos, i cili ka në pronësi edhe gazetën “The Washington Post”, është më e madhja që ka marrë ndonjëherë kjo organizatë.
Komiteti i Gazetarëve njoftoi gjithashtu se do të mbështesë organizatën “First Look Media” dhe do të ndihmojë në menaxhimin e fondit të saj për lirinë e shtypit. “First Look Media” është ngritur nga themeluesi i eBay, Pierre Omidyar.
Si Bezos ashtu edhe Omidyar e kanë vënë theksin muajt e fundit tek nevoja për mbështetjen e shtypit të pavarur.
Muajin e kaluar oranizata filantropike e zotit Omidyar, Rrjeti Omidyar premtoi 100 milionë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme për të mbështetur gazetarinë dhe për të luftuar lajmet e rreme.