Albspirit

Media/News/Publishing

Edi Rama: Gjynah Astriti, kaq vite në fushën e betejës…

Shoh një habi të madhe rretherrotull me skuadrën që Lulëzim Basha nxorri në fushë.
Mesa kuptoj jam ndër shumë të rrallët që s’jam habitur dhe thjesht habitem pse habiten të tjerët. Dikush më tha, “Kjo ishte njësoj si De Biazi të futej kundër Spanjës, me portierin e tretë, me 3 mbrojtësa të vrarë, me mesfushën me 3 goca volejbolliste plus Loro Boriçin (dmth Saliun), në sulm bjeri t’i biem dhe pa stol rezervash… Sala se bënte kurrë këtë skuadër!”. “Po çfarë lidhje ka, i thashë, Luli nuk është as De Biazi, as Saliu, që me njëri-tjetrin e kanë një gjë të përbashkët: E ndjejnë shumë kohë përpara ndeshjes, erën e gjakut të fushës së betejës!”
Lulëzim Basha nuk ka fituar asnjë betejë e nuk ka humbur asnjë betejë po ashtu, sepse në fakt, nuk ka bërë dhe nuk bën dot beteja. I mjafton t’i quajë humbjet fitore, t’i festojë me buzën vesh më vesh dhe pastaj t’ia fusë gjumit i lehtësuar që iku edhe një kokëçarje tjetër! Ai i gëzohet pushtetit si një fëmijë lodrës që i dhurojnë, po nuk i pëlqen hiç asfare puna që i kanë dhënë bashkë me pushtetin. Eshtë si ata trashëgimtarët e gabuar të froneve që i çonin mbretëritë në rrënim, duke shijuar deri në fund jetën në oazin e oborrit.
E do pushtetin si fëmija që qan e i bie këmbës, për një lodër në vitrinën e një dyqani. Po s’është në gjendje ta vrasë fort mendjen asnjë minutë, se si të administrojë dhe fuqizojë kapitalin politik e njerëzor të skuadrës së tij. E njësoj si fëmija, që të gjuan me shqelm kur i thua boll qave apo kur nuk i’a var të qarave të tij, ai e sheh skuadrën si burimin e dhimbjeve të kokës që duhet fikur, jo si burimin e fuqisë së vet që duhet rritur.
Kështu që më erdhi sinqerisht keq që Astrit Patozi, po mesa duket jo vetëm ai, as kaq s’kishin kuptuar gjithë këto vite nga natyra e liderit të tyre dhe raporti i tij me skuadrën. Po jo vetëm kaq. Astriti mbante mend që i thashë në replikën time të fundit me të në Kuvend (meqë ra fjala, ishte ndër fare të paktët që ma vinte trurin në lëvizje kur më sulmonte) nuk e di a do jesh në parlamentin e ri(?). Dhe aludonte se ndoshta, kushedi, unë kur i’a thashë atë që do t’i ndodhte, dija gjësend për fatin e tij nga bisedat e mia me Lulin për Marrëveshjen Politike! M’u dhimbs vërtet, burrë i mençur po naiv, që ende, as sot, s’e kupton sa thjeshtë funksionon Lulëzim Basha; kryetari që nuk fiton dhe nuk humbet kurrë, sepse kurrë nuk bën dot një betejë.
Gjynah Astriti, kaq vite në fushën e betejës, s’e ka marrë vesh akoma pse fëmijët i prishin pa asnjë gajle lodrat e tyre, njësoj siç trashëgimtarët e gabuar të froneve rrënojnë mbretëritë, pa e humbur gjerësinë e buzëqeshjes as ditën kur mbyllin sytë përgjithmonë.

Please follow and like us: