Albspirit

Media/News/Publishing

Ermal Shehu: Jargavitësit e partive politike!

 

Guxoi në 90-ën rinia shqiptare të ndërmerrte aktin më sublim…! Shembjen e diktaturës komuniste gjysëm shekullore…! Asaj diktature që me veprimet e saj depersonalizoi qytetarinë, për ta kthyer në ingranazhe të një mekanizmi gjigand, që në thelb mbillte terror, varfëri, mizerje!
Ishin 90-at, vitet që rindezën shpresën e ndryshimit, pa të cilën cdo shoqëri e konsideron veten moralisht të vdekur.
Sot, pas 26 vitesh, natyrshëm lind pyetja: “A është realiteti i sotëm ai për të cilin u luftua”?!
Fatkeqësisht jo! Përditë po shohim në Shqipëri një degradim të vlerave dhe drama e kësaj tragjikomedie qëndron në faktin se ngjarjet zhvillohen në një sistem demokratik!
Askush nga të rinjtë e viteve 90’ me siguri që nuk e ka menduar, se mes të rinjve të sotëm do kishte një përqindje të lartë servilash, të përunjurish, fizikisht e mendërisht, që marrin edhe “guximin” të jenë modele përfaqësuese. Ka plot të tillë të rinj “pensionista” nëpër organizime partiake apo drejtues forumesh që janë “zgjedhur” në ato “poste” për faktin e vetëm se i karakterizon injoranca, të cilën e shesin për urtësi, servilizmi, të cilin e shesin për besnikëri, mediokriteti, të cilin e shesin për konservatorizëm, rrugaçëria, të cilën e shesin për trimëri, pabesia, të cilën e shesin si pragmatizëm, e çdo lloj antivlere tjetër që bart karakteri njerëzor, të cilat i shesin për vlera! Në fakt ky është një rreth vicioz gjigand, për fat të keq i mirëinstaluar në vendin tonë!
Në ditët e sotme është botërisht e ditur, që në një “garë” të thjeshtë midis të rinjve fituesi i paracaktuar nga shefat do të jetë pikërisht më i paafti midis tyre. Kjo për faktin e vetëm se ai dudum është marjoneta perfekte, i cili të kursen lodhjen, me paaftësinë e tij nuk i rrezikon postin askujt, memecëria e tij e kthen në dëgjues perfekt (pa e marrë parasysh faktin se memeci nuk dëgjon dot), e njëmijë e një “arsye” të tjera që e nxjerrin “fitues”.
Mirëpo problemi kryesor që kompleton rrethin është se edhe vetë “Shefi” që e ka zgjedhur ka pothuaj karakteristika identike me të riun e plakur, pasi në të njëjtën mënyrë sillet edhe ai me shefat e tij, madje njësoj sillen edhe këta të fundit me eprorët e tyre, ç’ka na bën të mendojmë se Shqipërinë e sotme e komandon “Lobi i Servilave”!
“Të jesh gjithmonë i ndershëm me veten, është një ushtrim i vështirë”, thoshte Sigmund Frojd.
Një makineri gjigande antivlerash po instalohet dita-ditës nga lukunia e të paaftëve, që po ngrenë një hierarki në botën e skllevërve modern të cilët vijnë vërdallë si hiena të jargavitura gati të shqyejnë çdo fije të karakterit njerëzor të mbetur!
Turmat e këtyre dallkaukëve të Shqipërisë së sotme, i ngjajnë katërcipërisht në formë e përmbajtje, ideologjike e kulturore lukunisë së eksituar që dymijë vjet më parë shpëtoi Barabën për të vrarë Krishtin, e këta nuk meritojnë asnjë falje hyjnore se janë duke shkatërruar Shqipërinë!
Është kjo situatë, ajo që përditë po vret shpresën se ky vend mund të eci, është ndoshta kjo arsyeja se pse shqipëtarët sot po rimarrin rrugët e Europës njësoj si dy dekada më parë, pa pasur arsye madhore luftrash a fatkeqësish natyrore! Padyshim që për ne dhe të ardhmen e këtij vendi, ikja nuk është rruga e duhur, pasi është njësoj sikur të humbësh një betejë ende pa e luftuar.
Shqipërisë së sotme medoemos i duhet një lëvizje ideologjike, si ajo e viteve 90’,që veç të rinjtë mund ta bëjnë. Veçse kësaj here kundër një regjimi edhe më të rrezikshëm “Diktaturës së Antivlerave” dhe “Oligarkisë së Servilave” që po rrënojnë cdo ditë vendin tonë, si një murtajë për vlerat e vërteta dhe kapacitet njerëzore.
Natyrisht që kjo është shumë herë më e vështirë se ai revolucion i viteve 90’, pasi kësaj here na duhet një revolucion jo thjesht ideologjik por edhe spiritual, ku “Armiku” shpeshherë me sjelljet, janë vetë të rinjtë e Shqipërisë, pasi zgjedhin rrugën më të shkurtër e më të shëmtuar për të ecur përpara… Duke mashtruar veten e duke vrarë pak nga pak karakterin e pastër!

Please follow and like us: