Kleriku që kundërshtoi komisionerët e qendrës së votimit në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945
Imzot Frano Gjini, Ipeshkv dhe Abat i Mirditës, Filozof e Teolog shqiptar, i shpallur “Martir i demokracisë”, qe i pari klerik shqiptar i caktuar në këtë post të rëndësishëm fetar prej Vatikanit.
Ai qe një nga priftërinjtë shqiptarë që nuk iu nënshtrua asnjëherë regjimit komunist dhe nuk lejoi vënien e kishës në shërbim të pushtetit të diktaturës së proletariatit.
Si klerik novator dhe emancipuës, ai u vu në qendër të vëmëndjes të Sigurimit të Shtetit.
Në zgjedhjet e para komuniste të 2 Dhjetorit 1945, ai kundërshtoi hapur komisionerët e qendrës së votimit në Orosh: “Unë nuk votoj për këtë pushtet, që në plan të parë, në strategjinë e tij, ka zhdukjen e fesë. Jam klerik në shërbim të popullit dhe të fesë së krishtërë, për të cilën nuk më dhimbset jeta ashtu si edhe për Atdheun’’.
Imzot Frano Gjini u arrestua dhe mbas 16 muajsh tortura, në fund të marsit 1948, u pushkatua në Zall të Kirit. Fjala e tij e fundit, para pushkatimit ishte: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shipnija dhe pa ne!”
Për merita të veçanta Imzot Frano Gjini ka marrë urdhërin ‘’Skenderbej’’ dhe në vitin 1993, Presidenti Berisha i akordoi titullin “Martir i Demokracisë’’./Politiko.al/