Që të shkarkohesh nga President, më parë duhet të ngarkohesh si President
Arben Isaraj
Në një Kushtetutë të shkruar qartë në shqipen zyrtare, nuk është i nevojshëm sqarimi ligjor i njerëzisë.
Do të mjaftonte leximi me qetësi dhe dashuri i dy neneve, si më poshtë të saj.
***
Neni 88 i Kushtetutës
(Ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.04.2008)
1. Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
2. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës.
Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.
2/1. Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit.
3. Presidenti fillon në detyrë pasi bën betimin përpara Kuvendit, por jo më parë se të ketë mbaruar mandati i Presidentit që largohet. Presidenti bën këte betim:
“Betohem se do t’i bindem Kushtetutes dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar”. Presidenti mund të shtojë edhe: “zoti më ndihmoftë“.
4. Presidenti që jep dorëheqjen para mbarimit të mandatit të vet, nuk mund të kandidojë në zgjedhjen presidenciale që bëhet pas dorëheqjes së tij”.
Neni 91 i Kushtetutës
1. Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij.
2. Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë.
Në rast të vërtetimit të pamundësisë, Vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë.
***
Tani, lexuar si më sipër Kushtetutën dhe pa patur nevojën e sqaruesve ligjorë, kuptohet qartë se:
1. Procedura kushtetuese (pika 2/1 e nenit 88) për zgjedhjen si President të ri të Republikës së Shqipërisë, të shtetasit shqiptar Ilir Meta, KA NISUR.
2. Procedura kushtetuese për zgjedhjen e shtetasit Ilir Meta si President i Republikës së Shqipërisë përfundon, me betimin e tij përpara Kuvendit të Shqipërisë.
3.Afati i qëndrimit/mbarimit në detyrë të Presidentit të Republikës, nuk lidhet me datën e votimit në Kuvend, por me datën e betimit në Kuvend. (pika 2, neni 88).
4.Presidenti i ri i Republikës Ilir Meta, e fillon detyrën si i tillë, vetëm pasi bën betimin përpara Kuvendit (pika 3 neni 88).
Mosbërja e betimit përpara Kuvendit si “shërbëtor i interesit të përgjithshëm” e bën të pamundur ngarkimin e detyrës si President i Republikës, shtetasit Ilir Meta.
5. Kur vendi i Presidentit mbetet vakant, për shkak të pamundësisë për t’u betuar, zbatohet procedura kushtetuese e lejuar nga neni 91 i saj.
Zoti e ndihmoftë Presidentin “në procedurë” të betohet sipas Kushtetutës për t’i ngarkuar si President në detyrë.
Zoti na ndihmoftë e të kemi Presidentin që sipas Kushtetutës të jetë shërbëtor i interesit të përgjithshëm të shqiptarëve.
*Terapi ligjore: Nuk shkarkohesh nga një detyrë pa t’u ngarkuar ajo detyrë.