Belind Këlliçi: Është koha të ringrëmë PD dhe jo ta përçajmë atë
Kisha vendosur të hesht pas situatës tejet të vështirë që po kalon PD, familja jonë e madhe politike. Pas një humbjeje dërrmuese dhe një rezultati të cilin asnjë demokrat dhe opozitar nuk e meritonte dhe përfytyronte, mendoj se gjendemi në momentin ku askush nuk është i tepërt. Konflikti ynë në këtë moment i shërben vetëm Edi Ramës dhe atyre që sot mbrojnë qorrazi këtë situatë ku ndodhet PD dhe nuk duan asnjë zgjidhje e cila forcon PD, pasi si shërbëtorë të pushtetit të rradhës dhe për interesat e tyre klienteliste, duan ta shohin PD të shpartalluar kokë e këmbë. Këta shërbëtorë të Edi Ramës, kryesohen nga ata të cilët tentojnë ta përçajnë dhe më shumë PD, Neim Çili dhe marionetat e tij.
Megjithatë është e pamundur të ruash këtë qetësi që i shërben unitetit, pas shpifjeve, trillimeve dhe baltosjes së një prej deputetëve të zgjedhur të PD, uzinjolos i cili pasi humbi në çdo kuti votimi në fshatin e tij të lindjes, guxoi dje të baltosë FRPD dhe punën e saj në 1 vit e gjysëm.
Përpos baltës që bën pis vetëm ata të cilët tentojnë të zhvendosin debatin e rezultatit tjetërkund dhe nuk shohin nga vetja, unë dua të falenderoj çdo anëtar të FRPD, të cilët nuk reshtën një minutë së trokituri derë më derë, në çdo qytet e lagje të vendit, për të kërkuar çdo votë të qytetarëve dhe për të shpërndarë programin e PD, që kanë sakrifikuar çdo ditë, të heshtur në ‘çadrën e lirisë’ edhe pse një pjesë të mirë të tyre, nuk ju dha mundësia për të folur dhe thënë mendimet e tyre asnjëherë, për shkak të atyre që menaxhonin çadrën nga restoranti i hotel Rognerit.
Ne jemi organizata rinore politike më e mirë në vend, sepse në thelb kemi dinjitetin, idealin dhe vlerat morale të patjetërsueshme të cilat i mishëron më së miri partia jonë politike. FRPD është krenaria e PD në organizim dhe mënyrën e funksionimit të saj. Jo vetëm unë, por të gjithë kryetarët e degëve të FRPD në gjithë Shqipërinë, janë zgjedhur me parimin ‘një antar një votë’ në një garë reale dhe të vërtetë. FRPD ka zhvilluar me dhjetra protesta, ka qenë prezente në çdo aksion opozitar, ku nuk kanë munguar as arrestimet e anëtarëve të saj dhe dënimi i tyre politik nga gjyqtarët dhe shërbëtorët e Edi Ramës.
Aksioni opozitar i FRPD mishërohet më së miri dhe nga protesta më domethënëse e zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, ajo e 8 dhjetorit. Kjo protestë e zhvilluar në mënyrë paralele përpara 4 institucioneve të cilat rrënuan jetën e shqiptarëve në këto 4 vite, ishte e paprecedentë për asnjë forum rinor dhe ka marrë përgëzimet e veçanta të çdo qytetari opozitar në vend dhe çdo analisti që nuk i shërben Edi Ramës.
Të hedhësh poshtë kontributin dhe punën e mijra të rinjve, do të thotë se ke mision vetëm shkatërrimin dhe përçarjen. Të quash amorale garën e vërtetë të zhvilluar për kreun e FRPD, e cila duhet të shërbejë dhe si model për vetë garën brenda PD, është një kompleks inferioriteti nga i cili mesaduket nuk ka shpëtim. Por këtë nuk e arrin dot askush sot, sado të financohet nga Neimi, apo të ndjekë strategji të mbështetura nga strukturat e Mjaftit, që fatkeqësisht sot kanë ngritur krye dhe në PD.
Miqtë e mi, sot është koha të ringremë PD dhe jo ta përçajmë atë. Përbuzni dhe refuzoni me neveri këdo që hedh baltë qoftë edhe mbi anëtarin më të thjeshtë të PD dhe mos harroni se dinjiteti vlen më shumë se gjithçka. Sëbashku do ja dalim ta ç’rrënjosim këtë të keqe që na ka kapluar të gjithëve. Sot, nesër dhe në të ardhmen, do diskutojmë PD dhe fitoren e së djathtës. Neimin, idetë dhe uzinjolot e tij, i kemi mundur njëherë.