Albspirit

Media/News/Publishing

Flora Nikolla: Kur Sabato erdhi në Shqipëri

 Image result for ernesto sabato ne tirane

Ernesto Sabato, shkrimtari i madh argjentinas, me origjinë shqiptare mbërriti në Shqipëri në një ditë të mesit të prillit të vitit 1996, kur qielli grindej me retë lart në qiell.  Rinasi, i vetmi aeroport ndërkombëtar në veriperëndim të kryeqytetit shqiptar, priste pasagjerët e tij. Sabato zbriti thjesht, me kapelen e tij, vendosur gjysëm mënjanë, me syze të errëta  dhe një pardesy hedhur shkarazi në supet  e tij prej shkrimtari.
Nuk kishe stepje kur e njihje të madh dhe të largët. Gjindjen rreth tij e takoi lehtë si për t’i dhënë erën e nxehtë të vendit të tij, Argjentinës apo të Santo Lugares, një fshat rreth 40 kilometra larg Buenos Airesit, ku ai jetoi prej vitesh.
Ai është një vëndth me pak makina, me një shesh dhe me një kishë, me shtëpi qarkuar me kopshte. Jetoi deri ne fund te jetes se tij  në këtë shtëpi, një banesë e bollshme me një kopësht që ai  e quante  vendin e tij të prehjes.
Mbërriti në Shqipëri në një moshë kur vitet nuk premtojnë ndërmarrje të tilla që duan guxim dhe aventurë . Shkronjësi i karaktereve të paharruar të Martin Bruno, Juan Pablo, kishte mbërritur në Tiranë, pasi kishte kaluar në Paris, ku ishte ambientuar me klimën e kontinentit plak  për të qënë paskësaj i pranishëm në një ceremoni që do t’i dorëzonte çmimin ndërkombëtar “Kadare’ .
”Jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu sepse një e katërta e gjakut tim është shqiptar “, tha Sabato për ATSH-në në atë ditë prilli. Me prejardhje nga Kalabria e Italisë, i cilësuar  si i barazvlefshëm me Borges, Marquez, Cortazar,  atë ditë me re grindavece, ai  nuk harroi të tregonte se në studion  e tij kishte një gravurë veneciane te heroit të madh të shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Në fakt kishin kaluar disa muaj që ai kishte pohuar se do të vinte në Shqipëri për të marrë këtë çmim dhe që atëhere e kishte konsideruar këtë vizitë në Shqipëri “një rikthim të lumtur tek stërgjyshërit e mi’. “Unë e admiroj popullin shqiptar për qëndresën  e tij në shekuj”, ishte shprehur njeriu i madh i letrave.


– Me cilët nga personazhet tuaj do të mund të identifikoheshit sot,  e pyeta.

 Bëhej fjalë për personazhe që Atë e bënë të njohur në të gjithë botën me librat që ai shkroi  si “Tunel”, “Alejandra” dhe “Ëngjëlli i errësirrës”.Vështroi pak dhe tha: “Të gjithë janë mishërime të inkoshiencës sime, e cila asnjëherë nuk gënjen. Të gjithë jemi një përzierje e mirësisë, e së keqes, e ateizmit, e besimit, e bujarisë, e egoizmit, e mirësisë, e frikës dhe e trimërisë”.

-Çfarë ju shtyn kur shkruani?

-Instikti

-Asnjëherë arsyeja?

-Arsyeja nuk i shërben ekzistencës. Arsyeja i shërben teoremave dhe fabrikimit të aparateve . Shpirti i qënieve njerëzore në thellësinë e tij nuk është për gjëra të tilla.

Estet dhe filozof, kur  ka shkruar shumë esse e kritikë mbi artin në përgjithësi dhe proçesin krijues, Sabato tha paskësaj se përpara personazheve të tij, ndihej si përpara qënieve me mish dhe me kocka  dhe se e gjitha ishte një shprehje paksa e vështirë për t’u shpjeguar.

-Matilde është gruaja e vetme e jetës suaj apo keni patur edhe dashuri të tjera?

-Kam patur edhe dashuri të tjera si çdo qënie njerëzore. Disa më të forta se të tjerat. E çfarë? Kultura të mëdha në lashtësi kanë qënë poligame. Vetëm në këtë shoqëri hipokrite dhe borgjeze fshihet tendenca natyrale e qënies njerëzore.
Gjatë qëndrimit të tij disa ditor në Shqipëri , Sabato, larg pranisë së gazetarëve, vizitoi Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, Muzeun Arkeologjik në Durrës, ku u mësua të ishte shprehur  se kishte patur një rast të njihej me historinë e stërgjyshërve të tij . Unë doja të vizitoja edhe Muzeun Historik të Krujë, ishte shprehur Sabato, sepse ruaj një respekt të veçante për Skënderbeun, por ja që mosha bëka të vetën”.

Në një konferencë për shtyp ai u tha gazetarëve se “gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri kujtova shumë nënën  timë , e cila është me prejardhje shqiptare. E gjithë  Shqipëria më do shumë dhe unë i shpreh shumë mirënjohje”.
“Kur mora vesh se po qëndroja në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, kërkova menjëherë të më largonin që aty, unë nuk mund të qëndroja në atë tmerr”, tha Sabato, i cili kishte kaluar momente të vështira gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë. “Unë nuk kam ardhur në Shqipëri pikërisht prej kësaj diktature”, u shpreh ai.
Shumë vite më parë  kishte qënë ‘politika’ e tij që e kishte distancuar nga një mik dhe njëherazi nga një emër i madh i letërsisë së Argjentinës  dhe i botës, nga Borges.”Unë gjithnjë kam qënë i veçantë për të bërë armiq”, kishte thënë atëherë Sabato , duke iu kundërvënë  shkrimtarit të madh gjatë regjimit të Peronit.
Shkrimtari argjentinas, me origjinë shqiptare Ernesto Sabato vdiq në moshën 99-vjeçare në shtëpinë e tij në Santos Lugares, provinca e Buenos Airesit, ne qershor të vitit 2011. Dy javë më parë ai  kishte marrë një bronkit  dhe në moshën e tij kjo ishte fatale. Autori i “Tuneli” (1948), “Heronj dhe varre” (1961), etj, do mbushte 100 vjeç më 24 qershor , ndërkohë që disa vite më parë qeveria e Argjentinës i dorëzoi shkrimtarit Ernesto Sabato fitues i çmimit Servantes të letërsisë në 1984 (çmimi më i madh i letërsisë spanjolle), 320.000 dollarë për krijimin e një muzeu, i cili do të mbante emrin  e tij. Shtëpia e shkrimtarit më origjinë shqiptare në Santo Lugares, u quajt shtëpia Muze Sabato.

Please follow and like us: