Albspirit

Media/News/Publishing

Koloneli u qëllua me tre plumba! Kryeministri Bukoshi përqeshej me atentatin ndaj ministrit Krasniqi

FEJTON EKSKLUZIV, dy dekada i mbajtur në sirtar, nga vrasja e kolonelit Krasniqi, krimet dhe dështimet! (10)
Kur vetura në të cilën ndodhej ministri Krasniqi arriti te dera ku ndodhej Drejtoria Informative, ushtaraku zbriti që të hapte dërën, për të mundësuar futjen e veturës në oborr.
– Si është e mundur, dera nuk hapet, është e mundur të kem gabuar çelsin, pëshpëriste ushtaraku nga paknaqësia duke mos e kuptuar pse nuk po mundej ta hapte darën?!
Ai nxori çelsin nga dera duke e shikuar edhe një herë dhe kur u bind se nuk e kishte gabuar çelësin, e futi prapë në derë. Atë, por edhe dy udhëtarët e tjerë i befasuan personat e maskuar, të cilët me një shpejtësi të madhe, sikurse nëpër filma, disa çaste më vonë vranë ministrin Krasniqi. Vrasësit u larguan pa u trembur nga askush.
Pas krismave të revolës e tërë lagja u ngrit në këmbë. Edhe ushtarakët dolën nga objekti i Drejtorisë Informative. Tani ishte bërë tepër vonë, ata nuk mund të ndihmon asgjë, pos të konstatonin se ministri Krasniqi ishte i vrarë.
Dikush nga ushtarakët kishte arritur që vetëm disa minuta pas atentatit, përmes telefonit, të njoftonte kryeministrin kosovar për vrasjen e ministrit Krasniqi. Kryeministri me arrogancën që kishte, përqeshi një kohë atë që i dha lajmin duke mos besuar se lajmi ishte i vërtetë. Një ushtarak tjetër, me anë të telefonit mobil në të njëjtën kohë kishte njoftuar edhe disa nga ministrat e qeverisë kosovare si dhe përfaqësinë e Kosovës për atentatin.
Serembi ishte shtrirë në shtratin e tij dhe ashtu i përgjumur dëgjoi të shtënat. U ngrit dhe zbriti shkallëve dhe pa trokitur fare u fut në zyrën e Drejtorisë Informative. Aty gjeti drejtorin dhe Kujtimin duke rregulluar disa dokumente.
– Kam ndëgjuar krisma armësh dhe ato kanë qenë shumë afër, i tha ai drejtorit me një zë të shqetësuar.
– Edhe unë ndëgjova diçka, por mu duk se ishte diku më larg.
– Mendoj se është mirë të dalim dhe të shohim se çka ndodhi, kam përshtypjen se krismat vinin nga kjo lagje, insistonte Serembi.
Në objekt filloi zhurmë e madhe.
– E vranë ministrin, bërtisnin ushtarakët si të pa kokë. Të gjithë pothuajse kishin rënë në shok dhe bridhnin majtas-djathas nëpër oborr dhe nëpër ndërtesë, duke mos ditur nga t’ia mbajnë.
Serembi nuk u hamend shumë, rrëmbeu aparatin fotografik dhe ashtu gjysmë i zhveshur doli në rrugë. Ai fotografoi disa herë trupin e pa jetë të ministrit Krasniqi që shtrihej në ndërmjet automjetit të tij Opel Frontera dhe murit, në anën e djathtë të rrugës. Duke e fotografuar nga afërsia Serembi vërejti se ministri ishte qëlluar në fytyrë nga dy anë të kundërta dhe në gjoks.
U deshën vetëm disa minuta që policia të vinte në vend të ngjarjes. Viktima rrinte e shtrirë në dërmjet murit dhe veturës, derisa policët shqiptarë bënin pyetje vend e pa vend. Më vonë trupin e pajetë të ministrit Krasniqi e dërguan në morgun e spitalit të Tiranës.
Njëri plumb e kishte goditur në anën e djathtë të fytyrës që nisej prej qafës, kurse tjetri në mollzën e majtë, që nisej për në drejtim të kokës. Plumbat kishin krijuar një korridor të formës “X” brenda hapësirës së kokës. Ky ishte përfundimi i sjellë nga mjeku kujdestar në spitalin civil të Tiranës, nga i cili nuk ishte kërkuar të bëhej autopsia e as obduksioni i trupit të ministrit Krasniqi. Sipas tij, i ndjeri mbartë me vete në varr faktet që do të sillnin njerëzit para drejtësisë. Ai në kafkën e tij kishte njërin prej tre plumbave.
Ishte çudi se askush nga policia shqiptare nuk e ftoi personelin e mjekësisë ligjore për të përcaktuar vdekjen e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës Ahmet Krasniqi.
Në objektin e Drejtorisë Informative policë dhe zyrtarë të SHIK-ut sikurse edhe pesë ditë më parë, pothuajse të gjithë ishin të njëjtit persona që kishin qenë aty kur u bastis objekti. Tani ata merrnin në pyetje ushtarakët dhe interesoheshin se ndoshta dikush kishte ndonjë informatë që do të mund të ndihmote në kapjen e kriminelëve. Përralla!
Ndalohet botimi i këtij fejtoni pa lejen e gazetës SHQIPTARI.EU

Please follow and like us: