Albspirit

Media/News/Publishing

Bulevardi Stalin nr. 57/Kur seksi mes të huajve dhe shqiptarëve ndalohej me ligj

usine 001Libri “Bulevardi Stalin nr. 57”, rrëfimi tronditës i çiftit francez në Shqipërinë e viteve ’82-’89, si pedagogët e parë të huaj në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Udhëtimi i Elisabeth dhe Jean Paul Champseix në Tiranë, kishte impresione tronditëse, siç është dhe rrëfimi i mëposhtëm për familjen dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me të huaj, deri aty sa diktohej edhe jeta private, ku seksi me të huaj ishte i ndaluar; sjellja e kësaj atmosfere në librin që u ndalua të përkthehej, rikthehet me përkthimin e ish-studentes Irena Rambi

Nën mbikëqyrje

Në mungesë të kontakteve njerëzore, ne mësuam të vlerësojmë edhe fjalën më të pakët, edhe vështrimin më të shpejtë, edhe shprehjen më të vogël në dukje pa rëndësi, por që mund të interpretohej me mënyra të ndryshme. Edhe një buzëqeshje e lehtë e çante nganjëherë tymin e zymtë të marrëdhënieve tona të ngurta, duke na afruar me botën e të gjallëve.

Edhe pse në rrugë nuk na “njihnin” as kolegët dhe as studentët, nuk ecnim dot kurrë si të tjerët. Në 1982, të huajt ishin të rrallë dhe shumë syresh qarkullonin vetëm me makinë. Kur ne dilnim në rrugë, ishte tamam si shfaqje. Njerëzit ndalonin dhe kthenin kokat për të na parë, sidomos këpucët, të cilat shkaktonin kureshtje dhe zili. Gjatë vizitës sonë të parë në Muzeun Historik Kombëtar, ciceronia e llomotiste tekstin me sytë mbërthyer në këpucët e Elizabetës, të cilat megjithëse me model të thjeshtë, kishin një ngjyrë të bukur të kuqe të errët. Kur bënim fotografi në rrugë, shpesh rrethoheshim nga një grup kureshtarësh, të cilët komentonin pa të keq zgjedhjet tona dhe këndvështrimin që kishim zgjedhur për fotografitë.

Rrugëve nëpër rrethe, ardhja e një të huaji përbënte ngjarje të veçantë. Kur hynim nëpër dyqane, numri i vizitorëve trefishohej, kurse gratë e moshuara na afroheshin dhe na preknin si për të “shijuar” më mirë, si cilësinë e rrobave, ashtu edhe vetë qenien tonë reale.

Fëmijët, shumë kureshtarë, kërkonin të komunikonin me ne. Disa syresh na dilnin përpara disa herë, kishte edhe nga ata më të guximshmit që na ndiqnin nga pas, me kujdes që të mos i vinte re ndonjë i rritur, se mund t’i qortonte dhe t’i largonte. Nëpër rrugët pranë Hotel Tiranës ku vijnë punonjësit e ambasadave, fëmijët e kishin zakon të kërkonin çamçakëz ose stilolapsa. Nga ana tjetër, shpesh ndodhte të na dhuronin lule, nganjëherë të lëna në një cep të makinës. Në parkun e Tiranës kishte grupe fëmijësh që na vinin rrotull, deri sa më i guximshmi na afrohej për të pyetur për orën. Gjithë qejfin e kishin të gjenin se nga vinim dhe të bënin shaka me theksin që kishim kur u përgjigjeshim në shqip.

Më kot përpiqeshim të visheshim thjesht, të ecnim me hapin e ngadaltë të turmës orientale, të mos ecnim dorë për dore ashtu siç i ka hije burrit dhe gruas, aha, asgjë nuk ecte, të gjithë kalimtarët e kthenin kokën nga ne. Tirana ishte një kryeqytet i vogël dhe numri i kufizuar i të huajve e bënte të mundur të dalloheshin më “të rinjtë” dhe të kundroheshin për të spikatur modën e fundit.

Që të shëtisnim të qetë, patëm vendosur të dilnim mbrëmjeve për të famshmen xhiro. Vendosëm edhe ne të marrim pjesë në këtë traditë mesdhetare, pra në vajtje-ardhjen në bulevard nga ora 18 deri në 21. Mendonim se në muzg do të kalonim incognito. Në atë kohë, vajzat nuk merrnin pjesë në këtë shëtitje rituale, kështu që u gjendëm të dy kapur dorë më dorë, mes një turme tërësisht mashkullore. Kështu ramë edhe më tepër në sy, aq sa na u desh të largohemi tinëz, duke u futur në një rrugicë, e cila na çoi në një lagje të humbur, nga ku me zor e gjetëm rrugën e kthimit…

Vetmia na u shtua edhe më shumë nga ankthi se na përgjonin. Kur patëm mbërritur në pallat, intendenti i Universitetit i pati hequr të gjitha perdet, sepse sipas tij ishin të palara. Mirëpo të gjitha dhomat, përveç asaj të gjumit – uf, kishte shpëtuar nderi – binin nga rruga. Pa perde ndiheshim edhe më të ekspozuar ndaj mbikëqyrjes së kureshtarëve dhe agjentëve të Sigurimit. Me gjithë kërkesat tona, “pastrimi” i perdeve zgjati mbi një muaj. Patëm vendosur të bëjmë humor me këtë gjë dhe enkas merrnim poza përpara dritareve. Kur i fiknim dritat e dhomave që shihnin nga rruga, e kishim për racion që të na binte telefoni dhe të dëgjonim nga ana tjetër të njëjtin zë që përsëriste: “Alo! Alo!”. Sigurimi donte të dinte se mos i bënim vizitë ndokujt në pallat.

Atë vit në Francë pati dalë filmi E.T dhe ne na dukej vetja pak si ai personazhi kryesor, që kishte frikë nga të tjerët, ndërkohë që ishte ai që i tmerronte ata, dhe që përsëriste vazhdimisht: “Shtëpia”, “shtëpia”…

 

Kundër familjes patriarkale

Më në thellësi, pushteti rreket të ndryshojë mentalitetet, konceptet dhe besimet, e ndeshet doemos me qelizën bazë të shoqërisë: familjen. Partia Komuniste përpiqet ta zvogëlojë pushtetin e kundërshtarit të vetëm që i mbetet dhe që është njëkohësisht zona e vetme e lirisë për shqiptarët.

Si në çdo shoqëri tjetër klanore, lidhja me familjen është e skajshme. Ajo është vlera më e lartë e shoqërisë. E kemi shumë të vështirë t’u shpjegojmë studentëve që fjala “mik” nuk do të thotë “kushëriri i preferuar”. Ata habiten kur dëgjojnë se mund të duash më shumë miqtë se sa anëtarët e familjes. I hapin sytë me çudi kur u themi se në moshën e adoleshencës, fëmijët reagojnë kundër familjes dhe që në çdo tre familje në Paris, njëra ka vetëm një anëtar. Etnocentrizmi i tyre është aq i fortë sa zor të përfytyrojnë zakone të tilla.

Shqiptari tregohet ashtu siç është vetëm brenda familjes. Modeli i tij i vetëm i jetesës është të martohet, të ketë familjen e vet dhe të jetojë me të vetët. Fakti që ne nuk kishim fëmijë disa vjet pas martesës, i çudiste. Edhe studentët që zakonisht janë të turpshëm, na bënin pyetje për këtë. Argumenti sipas të cilit martesa nuk do të thotë doemos të bësh menjëherë fëmijë, se duhet të mendohesh përpara se të kesh një fëmijë, se të jesh grua nuk do të thotë vetëm të bëhesh nënë, nuk duket se ngre peshë veç në shikimin e disa vajzave “të përparuara”. Për vit të ri, nuk e mbajnë dot veten dhe na urojnë: “Me një djalë”!

Familja shqiptare mbikëqyret nga afër nga pushteti. Ja se ç’shkruhet në një fletërrufe në Shkodër, në mars të vitit 1987:

“Shokë (ndjekin 11 emra dhe mbiemra),

“Gjuha jonë, qysh prej origjinave ilire e deri në ditët tona, na ka lënë trashëgim emra të bukur dhe plot kuptim. Kurse ju, shokë, keni zgjedhur t’i quani fëmijët: Stela, Esmeralda, Elvis, Bruno, Joziana, Mirsada, Denis, Stanislas, Fabiola, Sonila… Me këto emra doni të tregoni se jeni të kulturuar dhe modernë, por nuk e kuptoni se po bëni gabim ndaj shoqërisë dhe fëmijëve tuaj. A nuk do të kishte qenë më bukur, që në vend të emrit Stela, t’i kishit dhënë vajzës emrin e bukur shqiptar Yllka, kurse ti shok që e ke quajtur vajzën Sonila, nuk e di që kjo do të thotë Gjumashe, e kështu me radhë me emrat e tjerë ? Për pasojë, ju paralajmërojmë, edhe ju të tjerët, se duhet të hiqni dorë pa vonuar nga moda e emrave të huaj. Nderojini fëmijët, duke u dhënë atyre emra shqiptarë ose ilirë. Ja disa prej tyre, që kanë kuptim dhe tingëllojnë bukur: Dritan, Besmir, Ermal, Erlis, Jeta, Sidrita, Ardita, Nertila, Rrezearta, Admir etj. Mund të gjeni edhe të tjerë në fjalor dhe të jeni të sigurt, se kur të rriten, fëmijët do t’ua dinë për nder.”

“Përshëndetje revolucionare

“Organizata e rinisë së shkollës së mesme të përgjithshme ‘Jordan Misja’”

Kur na panë duke kopjuar tekstin e fletërrufesë, disa kalimtarë u ndalën ta lexojnë. Shumicës i vinte keq që po lexonim diçka të tillë. Një ushtarak i ri na tha me keqardhje: “Mos ua vini veshin këtyre”, kurse një burrë i moshuar mori një pamje të zhgënjyer.

Shqipëria ka qenë për një kohë të gjatë një shoqëri familjesh patriarkale egzogame. Në vatrën familjare jetonin të vjetrit, prindërit dhe djemtë e martuar. Vetëm vajzat largoheshin nga familja për të jetuar me familjen e burrit. Kjo familje e bashkuar dhe solidare ishte një kundërshtar i fortë për partinë komuniste, që diti me shumë shkathtësi t’i përdorte për vete të metat shoqërore të klanit: Autoritarizmin e patriarkut, mungesën e ndjesisë shoqërore, përbuzjen ndaj grave dhe dënimin e individualizmit.

Partia komuniste u përpoq ta zhdukë klanin duke e thërrmuar atë. Në ideologjinë shqiptare, familja patriarkale paraqitet si “arkaike dhe reaksionare”. Ajo duhet zëvendësuar me familjen –bazë të përbërë nga prindërit dhe fëmijët e pamartuar. Lindshmëria e lartë në Shqipëri, si dhe shkatërrimi i shtëpive të mëdha patriarkale në qytet, e përshpejtuan këtë ndryshim të shoqërisë. Ndërtimi i apartamenteve të vogla nëpër pallate të mëdha, i detyruan familjet të ndahen. Prona private ekziston dhe shumë prej tyre e kanë të vetën shtëpinë. Njerëzit i pushton një ndjenjë e madhe pikëllimi, kur shtëpinë e madhe me oborr e zë plani dhe shkatërrohet. Në këtë rast, pronarët shndërrohen në qiraxhinj në pallat. Në vitin 1979, 20,5 % e familjeve kishin 1 deri në 3 anëtarë. Përsëri, fëmijët nuk pranojnë t’i lënë prindërit të plaken vetëm dhe kur nuk është e mundur që të gjithë djemtë të mos jetojnë dot me ta, njeri prej djemve të martuar i merr me vete.

Shoqëria urbane shqiptare kalon nga familja patriarkale në atë që etnologët e quajnë familja –bazë (një djalë rri në shtëpi), zhvillim pra i pazakontë. Kjo prirje është shumë më pak e përhapur nëpër fshatra, me gjithë ndërtimin e pallateve në disa fshatra të reja. Gjithsesi, mes fshatrave dhe fushave, ka shtëpi të mëdha patriarkale. Në 1979, 59,4 % e familjeve kishin 4-7 anëtarë dhe 20,1 % ruanin 8-15 anëtarë. Këto gjenden në zonat klanore të veriut të Shqipërisë.[1] Partia e dinte se këto shndërrime do e lëkundnin psikologjikisht shoqërinë tradicionale shqiptare. Babai kishte dikur pushtet të plotë dhe kur mblidheshin patriarkët e klaneve, vendimet e tyre ishin të padiskutueshme. Ky këshill i të moshuarve mbante emrin domethënës “Toka”. Me regjimin e ri, fshihej autoriteti i vjetër dhe i prekshëm patriarkal, duke i lënë vend zhvillimit të kultit të personalitetit të Enver Hoxhës nga ana e komunistëve. Ai paraqitet si një patriark i lartë, karakteri gjenial i të cilit ngrihet në qiell. Portreti i tij zë vend në çdo shtëpi, sikur të jetë anëtar i familjes dhe nëpër këngët për fëmijë quhet “xhaxhi”. Nuk mjafton të konsiderohet se është i drejtë në gjykime, por duhet quajtur “udhëheqës i dashur”. Një parullë thotë: “Emri i Enverit është i shtrenjtë në gjirin e çdo familjeje shqiptare”. Nëpër shkolla portreti i tij është kudo, madje edhe fëmijët fare të vegjël kanë një repertor të plotë mbi xhaxhin Enver. Por, mos të harrojmë Partinë, ja si nis një këngë fëmijësh: “Partia, nëna jonë e madhe…”

Në një shoqëri klanore, ai që nuk ka familje është i huaj. Asnjë lidhje qytetare nuk i lidh individët me njëri–tjetrin dhe të lejohet të dëmtosh dikë, në rast se ky akt mundëson favorizimin e familjes. Thashethemet janë një plagë e vërtetë shoqërore. Nëpër pjesët teatrale bëhet vazhdimisht fjalë për tradhti dhe letra anonime. Për shembull, kur komentoja Zherminalin, nuk e kisha aspak të nevojshme të shpjegoja shumë jetën nëpër fshatrat e minatorëve, të gërryera nga thashethemet. Edhe vetë Hoxha i pati ndaluar ato në një tekst, duke i vlerësuar si “antimarksiste”. Megjithëse sistemi politik përfiton paq nga dyshimi që mbisundon, nuk mund të themi se është ai krijuesi i tij.

Mërzitje për vdekje

I gjithë trupi diplomatik mblidhet me rastin e 1 majit. Vitin e parë të qëndrimit tonë në Tiranë, ftesat zyrtare na mbërritën në Fakultet. Një koleg na çuditi kur na tha se do bënim mirë të niseshim një orë përpara parakalimit, megjithëse banonim vetëm dhjetë minuta larg në këmbë nga bulevardi. Qysh në agim, një autobus e bllokoi rrugën përpara pallatit tonë dhe këmbësorët bllokoheshin nga policët. Me ftesë në dorë, mundëm të kalojmë mes përmes sheshit qendror totalisht të shkretë, por nuk na u lejua të ecnim drejt për në bulevard. Na u desh kështu të ndiqnim një rrugë të tërthortë të vizatuar në ftesë, që e stërzgjati rrugën. Ftesën na e kontrolluan disa herë dhe na u deshën rreth 45 minuta ecje për të mbërritur deri në tribunë.

Parakalimi bëhet kryesisht për t’u filmuar. Kortezhi niset nga lart bulevardit, ecën me hap përpara tribunës dhe pasi ka kaluar më tej, radhët shpërbëhen fare. Nuk parakalon populli; janë nënshtetasit, të cilët duke parakaluar, brohorasin për udhëheqësit e tyre. Qendra e tribunës ku janë vendosur udhëheqësit është më e lartë, krahu majtas i rezervohet trupit diplomatik, kurse djathtas “miqve” të Shqipërisë dhe shqiptarëve të dalluar. Turma e njerëzve përgjatë bulevardit kufizohet nga një gardh i ngushtë rojesh, që qëndrojnë krah më krah. Parakalimi ndjek gjithmonë të njëjtin rend. Një grup i përbërë nga të gjitha kategoritë: Veteranë, ushtarakë, fëmijë, gra, studentë pret mbërritjen e udhëheqësve, duke i përshëndetur me valëvitjen e luleve artificiale të kuqe. Hidhen parulla me zë të lartë, mbahet fjalimi zyrtar dhe nis parada. Atë e hapin një grup sportistësh me flamuj të kuq që mbajnë portretet e Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit dhe Enver Hoxhës në krahë. Pastaj vijnë minatorët, fshatarët e kooperativistët, ushtria me batalionet e grave, vithet dhe gjinjtë e lakuara të të cilave, ndjekin ritmin e hapit ushtarak, dhe në fund, intelektualët. Fëmijët e mbyllin paradën duke lëshuar tullumbace: me këtë mbyllen festimet. Tre janë personat, të cilëve iu drejtohen brohoritjet: Dikur Enver Hoxha, kurse tani Ramiz Alia dhe dy lektorët e frëngjishtes. Studentët tanë nuk harrojnë kurrë të na përshëndesin. Kulmi i shfaqjes, që e presim të gjithë me padurim është kur para nesh shfaqet parulla: “Imperializmi amerikan, sovjetik dhe kinez…”, me ç’rast, gjithmonë diplomatët e vendeve të lindjes dhe kinezët largohen nga tribuna. I ngarkuari me punë i Rumanisë, nganjëherë vetëm zbret disa këmbë shkallë, pret që banderola të kalojë dhe rikthehet sërish në vendin e tij. 1 maj 1989, një parullë e re e damkos edhe perestrojkën. Pas parakalimit nuk ndodh ndonjë gjë e veçantë e gëzueshme ose popullore: me kaq mbaron edhe “festa”. Të huajt që qëndrojnë në Shqipëri dhe personat e rrallë që vijnë me shërbim, ankohen nga një ndjenjë e thellë mërzie. I huaji nuk ka me se të merret në Tiranë. Edhe ata më të dashurit, të paktë në numër, e kanë të vështirë të përzihen me shqiptarët në jetën e përditshme. Kafenetë dhe bufetë, pa asnjë zbukurim dhe jo fort të pastër, nuk të joshin fort pas xhamave të tyre të ftohtë. Pijet që shiten aty janë shumë të kufizuara dhe të vendit. Gjella më e përhapur është një lloj jahnie, që nuk të tërheq aspak nga pamja. Jo se i huaji që hyn aty nuk pritet mirë, jo, vetëm se të gjitha vështrimet mbërthehen mbi të dhe duket sikur e pyesin: “çfarë kërkon ky këtu?”. Personeli nganjëherë ka turp se mendon që prodhimet që ofrohen nuk janë të “denja” për udhëtarin e huaj. Më pati ndodhur një herë në një kafene të Tiranës, që kamerierja vendosi në vendin tim se rakia që kisha porositur nuk ishte e mirë dhe më shërbeu… një birrë. Restorantet nuk kanë shumë ç’të propozojnë, por megjithatë, kamerierët përpiqen me sa e kanë të mundur ta kënaqin udhëtarin e huaj. Sallat e kinemave, të lashta, me kolltukët prej dërrase që kërcëllijnë, shfaqin filma shqiptarë ose ose, filma të huaj të vjetër. Në orën dhjetë të mbrëmjes, Tirana është e shkretë…

Të huajt jetojnë larg shoqërisë shqiptare, jo vetëm për shkak të mjerimit, skamjes kulturore dhe kontrollit policor, por edhe sepse kur ata shfaqen në rrugë, kjo shkakton tollovi. I huaji këqyret, vëzhgohet, ai nuk mund të bëjë asnjë hap ose gjest pa u ndjekur me sy. Çdo i huaj e ndjen veten se është krejt i ndryshëm. Po nuk e fole gjuhën, dhe shumica e të huajve nuk e flasin shqipen, ndjesia e të qenit i huaj mund të të bëhet e padurueshme. Shumë syresh e injorojnë me vetëdije të plotë shoqërinë vendëse dhe, për shembull, gratë e tyre nuk dalin fare nga shtëpia.

Jeta shoqërore e të huajve përqendrohet në dy vende të rezervuara enkas për ta. Njeri prej tyre është Dajti, hoteli më me emër i Shqipërisë, me një magji të akullt dhe akademike.

Aty pranohen vetëm shqiptarët e rangut të lartë dhe shoqëruesit e delegacioneve të huaja. Restoranti nuk ka pësuar asnjë ndryshim pozitiv në gjashtë vjet, megjithëse nganjëherë gjenden peshk ose bretkosa. Gjellët janë shpesh të ftohta dhe shërbimi i stërzgjatur e qesharak. Për shembull, një ditë që po i gëzohesha një pjate me kallamarë, kamerieri ma rrëmbeu nga dora sepse më kishin servirur gabimisht dy porcione. Pa një pa dy, e kaloi gjysmën në pjatën bosh të Elizabetës dhe ma ktheu pjatën time mbrapsht!

Godina është sidomos tërheqëse për katin nën tokë… për të huajt dekadentë, shqiptarët kanë krijuar një dabëllhane. Në këtë klub nate, të pagëzuar me eufemizëm “taverna”, luan një orkestër, shumica e muzikantëve të të cilës janë ciganë – uf, nderi i shqiptarëve qëndron lart! – orkestra pra luan me pikatore muzikë të ndaluar. Pjesë nga Xho Daseni dhe Bitëllsat ushtrojnë ndikimin e tyre të dëmshëm mbi një grup të kufizuar njerëzish. Të huajt e ambasadave vijnë të mbysin vetminë, kurse beqarët të zbusin instinktet e tyre në alkoolet kapitaliste. Subjektet e bisedave të këtyre elitave që vuajnë, janë dy: Shqipëria dhe femrat. Shqipëria është një subjekt larjesh hesapi dhe aty përfaqësuesit e vendeve të lindjes janë më të dhunshmit. Këta e urrejnë Shqipërinë sepse u kujton pamjen e tyre të mëparshme: vende staliniste, mbushur me mjerim dhe autoritarizëm. Nga ana tjetër, Shqipëria e vogël, të cilën ata e quajnë primitive dhe madje “prehistorike”, ka guxuar të bëjë atë që gjithsecili prej tyre e ka uruar ta bëjë vetë një ditë: të dëbojë rusët. Varfëria e Shqipërisë, me të cilën tallen haptazi e me përbuzje është padyshim rezultati i një pavarësie totale të saj ndaj Moskës. Duke folur kështu, mendojnë se tërheqin simpatinë e perëndimorëve. Sepse pas një farë kohe, ankesat dhe pija krijojnë një farë solidariteti, hapen zemrat, hapet dhe thesi: “Oooo, e dini se çfarë na kanë bërë prapë shqiptarët?…”

Marrëdhëniet seksuale mes të huajve dhe shqiptarëve janë të ndaluara me ligj dhe materialisht të pamundura. Gratë e huaja nuk janë të shumta në Tiranë, dhe me sa dimë ne asnjëra nuk është “e lirë”. Gratë e diplomatëve arabë dhe turq nuk dalin fare jashtë. Kështu që pështjellimi bëhet i prekshëm kur gjatë gjithë mbrëmjes as edhe një grua për be, qoftë edhe në krah të burrit, nuk shfaqet për ta ndriçuar të huajin e vetmuar në tavernën e zymtë. Atëherë taverna kthehet në një fortifikatë, ku shakatë pa kripë kompensojnë frustrimin e dhimbshëm. Loja më mizore është të pish një gotë me gruan, kur je i rrethuar nga meshkuj të vetmuar. Cilado qoftë bukuria e saj, të gjitha vështrimet e burrave përqendrohen aty dhe burri në fjalë, e ndien veten për një çast si majmuni që është duke dominuar një grup antropoidësh.

Please follow and like us: