Albspirit

Media/News/Publishing

Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA trondit “Nati”-n zviceran

Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA trondit “Nati”-n zviceran

Megjithatë, Federata e Futbollit Zviceran dekrohet: “Është e vetëkuptueshme se ne do të votojmë për pranimin e Federatës Kosovare të Futbollit në FIFA dhe UEFA”

Shaqiri1-630x354

Mundësia që pasnesër, më 3 maj Kosova të pranohet në UEFA dhe për pasojë edhe më 13 maj në FIFA është pothuajse e padiskutueshme. Dhe, ky realitet i ri nka ngjallur shqetësime në opinionin sportiv të Zvicrës. Një zhvillim i tillë do të mund të trondiste tablonë aktuale në kombëtaren zvicerane: asaj mund t`i ikin disa nga lojtarët e saj kyç, me prejardhje kosovare.

Gazeta Sonntagsblick ka shkruar sot gjerësisht lidhur me këtë mundësi. “Pas dy ditësh në Budapest UEFA do të marrë vendimin për pranimin e Kosovës. Ndërsa si konsekuencë, më 13 maj po këtë do ta bëjë edhe FIFA në kongresin e saj në Meksikë, transmeton albinfo.ch..

Kështu, Kosova pas dy javësh bëhet anëtare e FIFA-s dhe sipas të gjitha gjasave në shtator fillon me kualifikimet për Botërorin 2018 që mbahet në Rusi. Dhe pyetja e madhe me këtë rast është: a jua mundëson kjo lojtarëve si Shaqiri dhe Xhaka që ta ndërrojnë shtetin dhe që në kualifikimet për Botërorin 2018 të kalojnë  për Kosovën?

Këtë pyetje gazeta ia ka drejtuar UEFA-s, FIFA-s dhe vetë lojtarëve të përmendur. Përgjigja e UEFA-s ishte kjo: “Sapo UEFA të marrë një vendim, instancat përgjegjëse të saj do të diskutojnë lidhur me hapat vijues rreth kësaj çështje”. Po ashtu UEFA ka shtuar se nuk ka gatishmëri të flasë për skenarë hipotetikë.

Një devijim dhe jo qëndrim të qartë kishte dhënë edhe ish drejtori për medie i FIFA-s De Gregoriom në vitin 2014. Ai kishte thënë se mundësia është e madhe që Shaqiri me shoke, nëse duan do të mund të luajnë për Kosovën”.

“Por a po duan ata?”, pyet Sonntagsblick.

Shani Tarashaj, i fundit nga shqiptarët e “Nati”-t, i pyetur nga “Sportlounge” nëse përcaktimi për Kosovën për të do të ishte më i mundshëm se ai për Shqipërinë, ka thënë: “Kjo do të ishte diçka tjetër: Unë jam nga Kosova dhe jo nga Shqipëria”. Ndërsa Shaqiri para tri vitesh e gjysmë ishte shprehur se “Nëse Kosova do të bëjë një përfaqësuese futbolli, unë do ta rishqyrtoj këtë çështje”.

Edhe Granit Xhaka pati deklaruar atëbotë: “Do të më duhej që eventualisht ta rishikoj (qëndrimin për cikën kombëtare do të luante)”. I vetmi ka qenë Valon Behrami, i cili kishte qenë i qartë: “Unë kam vendosur njëherë për një shtet për të cilin luaj futboll, unë do të luaj gjithmonë për Kombëtaren e Zvicrës”.

Por, shkruan më tutje gazeta, në Kosovë shpresohet më ndryshe. Atje supozojnë me njëfarë sigurie se Shaqiri e Xhaka me shokë mund ta ndërrojnë kombëtaren, ashtu sikur kishin vepruar në vitet `90 lojtarët e Ish Jugosllavisë, që kishin kaluar të luanin për shtetet e reja, si Kroacia, Bosnja ose Sllovenia.

Gazeta citon gazetarin sportiv Kushtrim Krasniqi i cili thotë se “Federata kosovare beson se të gjithë lojtarët mund ta ndërrojnë kombëtaren sepse ne jemi federatë e themeluar rishtas, përcjell albinfo.ch. Trajneri i kombëtares do të ftojë të gjithë lojtarët me rrënjë nga Kosova sapo të bëhemi anëtar i UEFA-s dhe FIFA-s”, thotë Krasniqi.

Ndërkaq kryetari i Federatës Zvicerane të Futbollit, Peter Gillieron, në cilësinë e anëtarit të komisionit të FIFA-s për përfaqësueset kombëtare ka vizituar para disa javësh Kosovën. Atje ka takuar edhe kryeministrin kosovar. Mirëpo ai ka thënë për sonntagsblick se nuk mund të japë deklaratë mediale para se të japë raport në FIFA dhe UEFA.

Sidoqoftë, shkruan gazeta, Federata e Futbollit të Zvicrës mbështet pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Sekretari i saj gjeneral thotë: “Qeveria Zvicerane ka qenë ndër të parat që ka njohur politikisht Kosovën. Është e vetëkuptueshme se edhe ne do të votojmë për pranimin e Federatës Kosovare të Futbollit.  Por, me këtë nuk do të thotë se janë sqaruar të gjitha çështjet relevante për lojtarët dhe federatat përkatëse.

 

Please follow and like us: