Albspirit

Media/News/Publishing

Si vdiq Enver Hoxha…

Detajet /Ja si vdiq Enver Hoxha…(VIDEO+FOTO)

Mëngjesin e 9 prillit 1985 Sokol Hoxha, djali i vogël i Enver Hoxhës, ishte ende në shtrat në shtëpinë e pushimit në Vlorë, kur një oficer i sigurimit trokiti në derën e tij: Enver Hoxha ishte rëndë dhe ai duhej të kthehej në Tiranë.

Enver Hoxha kishte rënë në vdekje klinike që atë mëngjes, rreth orës 9.00, ndërsa një infermier po e lante, siç dëshmon Nexhmije Hoxha:

“Ishte ora 9 pa pak kur u futa në dhomë me gazetën “Zëri i popullit” në dorë […] kur po ndiqja veprimet e infermierit dhe po prisja të mbaronte, për një sekondë, Enveri u drodh dhe iu var koka mbi gjoks […] Unë brofa në këmbë dhe bërtita: Enver! Pastaj e tmerruar pashë infermierin që, duke e shtrirë me nxitim, më tha: Shpejt, shpejt mjekët, dhe filloi frymëmarrjen artificiale me gojë. Unë shtypa me forcë dhe papushuar, në formë alarmi, zilen që kishim drejtpërdrejt me dhomën e improvizuar të mjekëve dhe ata arritën më vrap…”.

Por ekipi i mjekëve nuk mund të bënte asgjë. Ata e gjetën atë të shtrirë jo në krevat, siç dëshmon zonja Hoxha, por në dysheme. Në momentin e fundit ishte orvatur të hidhte dy hapa, i shtyrë nga një vrull dhe fuqi e fundit, por nuk kishte arritur dot. Ishte shembur në tokë, çuditërisht në një skenë identike me atë të orëve të fundit të idhullit të tij, Josif Viserianoviç Stalinit. Përpjekjet për t’ia kthyer zemrën në punë funksionuan përkohësisht, por përmendja nuk ndodhi dot. Njeriu që kishte sunduar Shqipërinë për 41 vjet me radhë kishte hyrë në dy netët e fundit të jetës së tij, dy netët më inkoshiente të saj. Ai nuk u zgjua më kurrë.

Enver Hoxha ndërroi jetë në ora 2 e 10 minuta duke gdhirë mëngjesi i 11 prillit 1985. Ndërroi jetë pa thënë asnjë “fjalë të fundit” dhe pa u ndarë me asnjeri. Byroja Politike kishte pritur dy net rresht në mjediset e shtëpisë, gjysmë e përgjumur dhe, padyshim, e shqetësuar. Askush nuk e dinte ç’do të ndodhte më pas. Hoxha e kishte lënë vetë emrin e trashëgimtarit të tij. Lideri i ri ishte përcaktuar, vërtet, por askush nuk mund të thoshte në do të kishte talentin dhe dhuntinë që Hoxha kishte pasur për të sunduar përdhunshëm popullin e tij.

Mjekët Ylli Popa dhe Petrit Gaçe ndodheshin në dhomë kur ai ndërroi jetë. I takoi Gaçes që t’i jepte lajmin Ramiz Alisë, i cili në ato momente qëndronte në dhomën ngjitur me ministrin e Punëve të Brendshme Hekuran Isai. Ylli Popa e kujton kështu atë bisedë në një moment mjaft kritik:

“Shkuam atje, ata prisnin pas derës edhe na pyetën:

-Hë si është?

-Shoku Enver mbaroi, u tha Petriti!

Atëherë Hekuran Isai i tha Ramizit:

-Të na rrojë Partia!

Ishte formulë kjo në atë kohë. Me një interval disa sekondash i tha sërish:

-Të rroni ju, shoku Ramiz!”

Me instinktin e njohur të një diktature Ministri i Brendshëm i ishte përkulur liderit të ri: Hoxha nuk jetonte më.

Please follow and like us: