Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Shënime dhe mbresa nga “Oxhaku i Këlcyrës” i Mero Bazes

Në një postim në Facebook, poeti, shkrimtari dhe pedagogu Sadik Bejko ka ndarë disa mbresa pas leximit të librit “Oxhaku i Këlcyrës”. Ja çfarë shkruan ai:
E lexova menjëherë.
Për kthjellimin nga aq fantazma e mjegulla që ma frynin kokën prej vitesh. Janë vendet e mia kalaja e Tepelenës, e Këlcyrës, e Beratit. Si ai foshnja që e fshin me trup tej e tej shtëpinë para se të ngrihet në këmbë, ashtu këto kala i kam shkelur, i kam prekur me sy, ka dëgjuar për to, kam kënduar polifoni, po dhe më kanë trembur, më kanë shtypur, me errësirën e lagësht të llohërave historiko-fantastike, si dhe me sorrat e kukuvajkat në kamaret e gërmadhave e të mazgallave ulëritëse.
Më pëlqeu historiani që nëpër mugun e kohërave vëren shtrirjen e sundimit turk, konvertimin dhe adoptimin e elitave bizantine në islam, praktikën e shpërndarjes së pushtetit sulltanor të timareve gjer në strukturat më të imta lokale mbi bazën e tri kritereve: të mbash rendin, të mbledhësh taksat, të sigurosh trupa.
Më tej formësimi i oxhakësisë shqiptare, rivalitetet vrastare dhe krushqitë shpesh të pëgjakura.
Më pëlqeu tipizimi i beut shqiptar: një aristokrat yni… por edhe i llojit të vetë, me tipare të aristokracisë evropiane … si Konica, si Eqerem Beu, Ali Këlcyra etj.
Libri ka analiza, zbërthime gojëdhënash, dekodim legjendash, ndreqje të lajthitjeve historike. Një mendje e ftohtë, dyshuese, që i zbret gjërat në tokë, në pëllëmbë të dorës, aq sa është e mundur.
“Oxhaku…” ka dhe një përmasë tjetër, më intime, autori herë-herë është dhe pjesëmarrës dhe dëshmitar.
Në kapitujt e fundit, përmes portreteve dhe historisë së dy grave, të fundmet e dinastisë, narrativa analitike e historianit shndërrohet në dëshmi të hollësishme, në fakte të ngjyruara emocionalisht, në sekuenca të ndriçuara si të pamjeve gati filmike.
Këtu historia këmbehet me letërsi.
Shumë e përmbajtur, por penë e ngjyer në tragjedi. Tragjedi të jetuara nga shumë e shumë njerëz, të cilët nuk kanë pasur fatin të kenë ekuivalentin letrar a filmik në Shqipëri.
Lexova shpejt, pa i dhënë vetes kohë të mendoj e as të shkruaj. Këto përshtypje janë të hedhura ashtu, në të shkruar e sipër.
Urime autorit për këtë libër.

https://www.gazetatema.net/kulture/shenime-dhe-nga-mbresa-oxhaku-i-kelcyres-i-mero-bazes-i599526