Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe në shumë zëra – Rrënjët dhe e Ardhmja e Etnokulturës Shqiptare

Bisedoi Rafaela Prifti

Në javët dhe ditët e kremtimit të pavarësisë (iso)polifonia do jehojë në salla e skena të qytezave e qendrave të bashkësisë shqiptare anë e mbanë Amerikës. Është e udhës që për këtë thesar të trashëgimisë muzikore dhe për botën etnokulturore në kohën e globalizmit të flasësh me Prof. Dr. Bardhosh Gaçen, etnologun dhe studiuesin e njohur të shkencave albanologjike. Horizonti i njohurive dhe përvoja profesionale e Prof. Dr. Gaçes, ku përfshihen 73 ekspedita kërkimore, janë të mbrujtura me vlerat shpirtërore të figurës së tij shumëdimensionale. Ai e konsideron hapjen e një polemike historike për shtrembërimet që i bëhen identitetit tonë kombëtar si temë kyçe për studiues të huaj dhe shqiptarë.

Ju keni botuar mbi gjashtëdhjetë studime e punime për mjeshtrit e instrumenteve tona tradicionale dhe ato frymore dhe për trashëgiminë kulturore shqiptare veçanërisht të Labërisë. Një prej tre mjeshtërve të njohur dhe tashmë të popullarizuar botërisht nga filmi i regjisorit Kris (Chris) Nolan, Odisea, dhe ansambël me muzikantë janë këto ditë në Amerikë për festimet e pavarësisë. Mjeshtrin Vendim Kapaj, ju e keni cilësuar “monument i labërishtes në lëvizje” për teknikën e veçantë frymore dhe traditën shumëvjeçare të paraardhësve prej të cilëve ai mësoi cylen dyjare. A mund të na jepni një vështrim të përmbledhur këtu?

Prof. Gaçe: Pikëtakimi i botës homerike dhe kulturës shqiptare dhe studiuesve amerikan si M. Perri dhe A. Llojdi daton nga vitet ’30-’40 të shekullit të kaluar, kur ata gjetën gjurmët homerike në rapsoditë kreshnike të malësive shqiptare. Për publikun e gjerë, njohja u popullarizua me filmin “Odisea” të regjisorit britanik Chris Nolan, ku fyelli i mjeshtrit Vendim Kapaj, ekzekuton një pjesë instrumentale të mrekullueshme, e cila i ka rrënjët në kulturën antike ilire. Trashëgimia e instrumenteve popullore në Shqipëri dhe veçanërisht në Jug është pjesë e genit tonë artistik. Usta Vendim Kapaj ka dyzet vjet që ushtron muzikën instrumentale popullore. Përpara tij, Labëria ka mjeshtër të mëdhenj të tillë, si: Tartar Zeka në Kuç, Ali Dino në Gusmar, Selim Hasani, Artist i Popullit, në Brataj, Pilo Andoni në Dukat, Milto Kolagji në Pilur, Nazër Kongjoni në Mesaplik dhe shumë vise të tjera të krahinës, në të cilat shtrihet një hapësirë e konsiderueshme baritore. Tipari i rrallë në kulturën popullore të Labërisë është “avazi me culedyjare” dhe meloditë me fyell të mjeshtrit Selman Pazaj në Vranisht. Disa nga instrumentet të prodhuara në gur prej tij, sot ndodhen në muzetë e Vjenës, Selanikut, Milanos, Napolit, Barcelonës, Athinës dhe Londrës. Në këtë traditë u përgatit dhe mjeshtri i rrallë Vendim Kapaj, i cili duke pasur një talent të spikatur, jo vetëm i imiton avazet muzikore të Labërisë, por ka krijuar motive dhe intonacione, me të cilat ai është paraqitur në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, në festivalet ndërkombëtare në Francë, Gjermani, Spanjë, Itali, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Poloni, ku i ka mahnitur dëgjuesit e shumtë. Me talentin e tij, ai e ka gjurmuar këtë muzikë popullore nëpër stane në Shashicë, Çipin, në pllajat e Beunit, ku jeta blegtorale të jep një lëndë të pasur për muzikën e këtij instrumenti. Te muzika e filmit “Odisea” teknika e tij e veçantë frymore, e aplikuar prej tij për më shumë se 40 vjet, përcjell lartësinë emocionale dhe jehonat e kohës së ngjarjeve. “Odisea” në këtë kuptim është shpërfaqje e rrënjëve të identitetit. Ky identitet nuk duhet dëmtuar me -izma. Shkencëtarët e mëdhenj të Evropës, si Kaufman, dhe shqiptarë, si: B. Krutaj, S. Shituni, K. Loli, R. Sokoli dhe të tjerë, këtë muzikë tradicionale e përcaktojnë si polifonia shqiptare dhe jo si iso-polifoni, pasi isoja është një nga zërat e saj, sepse ne kemi edhe këngë e valle polifonike pa iso. Madje do thosha se kompozitori  Ludwig Goransson mund të shkonte edhe 30 km. më në jug të Vlorës, në bregdet, të vizitonte dhe “Shpellën e Ciklopit”, të cilën e pati vizituar në vitin 2000 aktori i famshëm Bekim Fehmiu. Në Himarë, ai u befasua nga vizita në “Shpellën e Ciklopit” një monument kulture, ku ka dëshmi të pasura që flasin për gjurmët arkeologjike si vendbanim i lashtë pellazgo-ilir.

Ju keni shkelur çdo cep të Shqipërisë, nga Veriu në Jug, për të mbledhur folklorin dhe dëshmitë historike. Cilat janë momentet që do veçonit si më sfiduese në karrierën tuaj?

Prof. Gaçe: Qysh në rini, i inspiruar nga dijetarët shqiptarë, si: E. Çabej, Sh. Demiraj, Z. Sako, Rr. Zojsi, B. Kruta, Gj. Shkurtaj, A. Uçi, E. Lafe, R. Memushaj, etj, u mora me gjurmimin dhe hulumtimin e etnologjisë dhe folklorit në Veri dhe në Jugun e Shqipërisë. 73 ekspedita kërkimore më krijuan një përvojë të gjallë, që nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Nikaj-Mërturi, Zadrima, Devolli, Shpati i Elbasanit, kosovarët e Shijakut, çamët e Fierit dhe Vlorës, Dangëllisë së Përmetit, Mallakastrës, Gramshit, bregdetit të Himarës dhe viseve të Labërisë, krijuan një begati të kësaj pasurie etnokulturore të shqiptarëve, në të cilat bazohen studimet e mija gjatë gjithë jetës, deri sot. Pas vitit 1990, pata fatin të jem në ekspeditat etnokulturore ndër arvanitasit e Greqisë, arbëreshët e Italisë së Jugut, tek shqiptarët e Bullgarisë dhe Ukrainës, në viset shqiptare të Malit të Zi, në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit, Fushë-Kosovë, Drenicë, Rugovë e deri në Rozhajë, ku lahutarët dhe këngët kreshnike ishin ende të gjalla në vatrat shqiptare. Po kështu kam shkuar dhe tek shqiptarët në Zarë të Kroacisë. Në këto shtegtime etnokulturore punova dhe bashkëpunova ngushtë dhe me dijetarë të rëndësishëm të dijes etnologjike, etnokulturore dhe folklorike, si: Antonio Belushi, Aristith Kolia, Françesko Altimari, Vangjel Lapis, Aleksandër Stipçeviç, Rexhep Qosja, Anton Çetta, Sadri Fetiu, Idriz Ajeti, Latif Berisha, Hamit Xhaferi, Vehbi Bexheti, Aleksandër Novik, Matteo Mandala dhe shumë studiues dhe gjurmues të tjerë të fushës. Studimet në botën arbërore për mua, por edhe mjaft studiuesve të tjerë shqiptarë, kanë hapur një vizion të ri të studimeve albanologjike. Kam ndjerë kënaqësi të madhe kur u ftova nga UNESCO-ja në takimin ndërkombëtar të teatrit antik në Epidamnus të Greqisë, apo në 500-vjetorin e poetit turk Jonuz Emre në Eskishehir të Turqisë, pastaj pjesëmarrja në Kongresin e Evropës Juglindore në Sofje, në Bullgari, në takimin “Europea Dragan” të Romës për marrëdhëniet e Shqipërisë me Mesdheun, në takimin e Barit në Itali për lashtësinë e popujve të Mesdheut, si dhe në Konferencën Ndërkombëtare në Barcelonë apo Lublin të Polonisë, për kulturën dhe turizmin në Mesdhe dhe në Evropë.

Ju keni mbi 60 vepra si studime historike, monografi dhe përmbledhje poetike, mbani titullin “Profesor Emeritus” i Universitetit “Ismail Qemali” dhe Akademik i jashtëm për kontributin tuaj të vyer në albanologji, etnokulturë dhe histori. Meqë jemi në muajin përkujtimor të pavarësisë, në monografinë historike “Ata që shpallën pavarësinë kombëtare” (botuar pesë herë), ku është fokusi i sotëm për sa i takon kësaj fushe?

Prof. Gaçe: Kam punuar si mësues në Veri të Shqipërisë, në Akademinë e Shkencave në Tiranë, pedagog në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës dhe kam botuar studimet në mjaft revista shkencore brenda dhe jashtë vendit, sidomos ato të karakterit etnokulturor, albanologjik dhe histori. Janë mbi 68 vepra, një pjesë e të cilave, si: “Ata që shpallën Pavarësinë”, “Letërsia bashkëkohore arbëreshe”, “Letërsia moderne shqipe”, (Poezia), “Gjurmime etnologjike dhe folklorike” (1-4 vëllime), “Vlora – 100 vjet poezi dhe prozë”, “Letërsia shqipe për fëmijë”, “Kënga popullore qytetare e Vlorës”, “Universi poetik i Fatos Arapit” (monografi), “Ali Asllani- princi ilirik i poezisë shqipe”, “Himara në breg të detit”, një pjesë e mirë e të cilave janë ribotuar nga 3 deri në 5 herë gjatë këtyre kohëve. Duke vënë re mangësinë e botimeve historike, si dhe mjaft studime të cunguara, duke shfrytëzuar arkivin e Stambollit, Vjenës, Napolit, Vatikanit në Romë, si dhe Arkivin e Shtetit në Tiranë, vërejta që gjendeshin pasuri të mëdha dhe të paeksploruara kombëtare. Në vitet ’90, kur botova librin me studime dhe dokumente “Lëvizja kombëtare në Vlorë 1878-1912”, vura re, se mjaft arkiva familjare të pasura dhe të pashfrytëzuara, si ai i Ibrahim Shytit, Hamza Isait, Spiro Jorgo Kolekës, Jani Mingës, Halim Xhelos, Ymer Radhimës dhe mjaft të tjerë, janë burime të rëndësishme për historinë jo vetëm të Vlorës, por edhe atë shqiptare. Vepra historiografike “Ata që shpallën pavarësinë kombëtare” ngjalli një etje të madhe të njerëzve, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, si dhe në diasporën në botë, ku ndriçoheshin për herë të parë themeluesit e shtetit shqiptar. Kjo është një temë e hapur dhe për kohët që vijnë. Kur gjeta në Londër një kopje të botimit të parë të “Kujtimeve” të Ismail Qemalit, i sugjerova Nermin Vlorës, të botohej në italisht 2000 copë, anglisht 1000 copë dhe shqip tri herë nga 2000 copë.

Si mbrojtës autoritar i rrënjëve pellazge-ilire të zonave si Himara dhe Labëria, si duhet t’u përgjigjet shkenca shqiptare tentativave moderne për tjetërsimin e kësaj historie?

Prof. Gaçe: Në truallin shqiptar ka mjaft elemente të kulturës së lashtë me qendra, qyteza arkeologjike, manastire, objekte kulti dhe mitike, për të cilat është shkruar pak. Këto rrënjë pellazgjiko-ilire, në Bregdetin e Himarës dhe Labëri janë dëshmi dhe relikte, por gërshetimi i kësaj pasurie etnokulturore me studimet bashkëkohore e turistike është ende i vobektë. Disa botime të Akademisë së Shkencave janë jo vetëm të cunguara, por edhe mjaft të varfra për të pasqyruar kohët dhe njerëzit. Së shpejti, do të nxjerr nga botimi vëllimin “Himara në breg të detit”, një trevë e pasur në marrëdhëniet me Mesdheun dhe ndikimin e kulturave të ndërsjella për të cilën është shkruar pak. Hapja e një polemike historike për shtrembërimet që i bëhen identitetit tonë kombëtar është temë kyçe. Studiues të huaj, por edhe shqiptarë, në botimet e sotme po bëjnë përpjekje për të dhënë vepra dinjitoze, të tilla si “Arbrit e Jonit” nga Prof. Pëllumb Xhufi.

Mbi etnokulturën dhe ruajtjen e identitetit, libri juaj mbi këngën qytetare vlonjate dhe studimet e tjera folklorike vënë në pah pasuritë tona të mëdha shpirtërore. Si t’i ruajmë trashëgimitë tona në epokën e globalizmit, si temë që e trajtoni ne disa punime, përshirë librin Kënga popullore qytetare e Vlorës?

Prof. Gaçe: Në epokën e globalizmit dhe sidomos të emigrimit biblik të shqiptarëve pas vitit 1990, si në vendet e tjera të botës dhe në brendësi të Shqipërisë, është krijuar një realitet tjetër social-kulturor; po deformohen mjaft këngë tradicionale me anë të turbofolkut, janë zhdukur muzetë, janë dëmtuar monumente historike e kulture, që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore shqiptare. Mungesa e kujdesit për Shpellën e Shkruar të Lepenicës, Shpellën e Skotës në Velçë, Shpella e Trenit në Korçë, drurët e rrallë dhe vendet e shenjta janë dëmtuar, pasi shumë vendbanime janë rrënuar tashmë. Në studimet e mia etnologjike, folklorike dhe letrare tashmë përfshihen dhe marrëdhëniet e emigracionit me vendlindjen. Është një kulturë e re, e cila po krijon një fizionomi të veçantë të identitetit kulturor të shqiptarëve. Ky realitet i ri, emigrimi i shqiptarëve në Evropë e vende të tjera, ka bërë që vetë gjuha shqipe te fëmijët e emigrantëve të bjerret, por edhe njohja e traditave, zakoneve, riteve, miteve, ka pësuar zvetënim.

Vështrimi juaj për diasporën dhe rolin e saj në ruajtjen e trashëgimisë kulturore e shpirtërore, një temë që zë vend qendror në veprimtarinë tuaj si studiues dhe historian?  

Prof. Gaçe: Mërgata shqiptare, diaspora ne Amerike, vatranët që ktheheshin në vendlindje dëshmonin për shqiptarizmin e madh të “Vatrës”, edhe lidhjet e ngushta të shqiptarëve me SHBA-të. Kjo dëshmohet në këngët polifonike të Labërisë ku kam ndeshur këngë për Uillsonin e madh të Amerikës, për Nolin, me përcaktime për ata që kthenin nga Amerika, si: “Sino amerikan”, “Hito-Sadik – vatrani” etj. “Vatra” ka qenë dhe mbetet një dritësim për botën shqiptare në zhvillimet demokratike dhe kulturën e përbotshme.

Këtu do ta përfundojmë bisedën me shprehjen: Të paçim, Profesor Bardhoshi!