Albspirit

Media/News/Publishing

Hakmarrja e Llallës ndaj prokurorit Arben Dollapaj

Arben Dollapi,ish-drejtori i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithme me një vendim të papritur është transferuar si prokurori i thjeshtë në Prokurorinë e Apelit në Shkodër. Lëvizja e prokurorit Dollapi, është projektuar nga kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili pak kohë më parë ka pasur një konflikt verbal me prokurorin Arben Dollapi. Media mëson se konflikti mes kryepropkurorit dhe Arben Dollapit, është kryer lidhur me mënyrën se si Llalla po menaxhon punën dhe drejton Prokurorinë e Përgjithshme. Dollapi, që njëherësh është dhe anëtar i Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme ka kundërshtuar hapur në disa mbledhje të këshillit vendimet e kryeprokurorit Llalla, me argumentin se këto vendime të ndërmara nga numri një i akuzës, i shkonin për shtat interesave personale dhe politike të kryeprokurorit Llalla.

Dollapi ka qenë kundër transferimeve të disa prej prokurorëve, që cilat ai i quan të paligjshme dhe shkrirjen e disa departamenteve shumë të rëndësishëm të prokurorisë së Përgjithshme.

Mirëpo ky zë kundër në Këshill, është sulmuar me veprime konkrete nga kryeprokurori Llalla, i cili ka vendosur të futë emrin e Arben Dollapit, në listën e prokurorëve që duhet të transferohen. Dhe në fakt ashtu ka ndodhur.

Me kërkesë të kryeprokurorit Llalla, gjatë ditës së djeshme është zhvilluar një mbledhje urgjente e Këshillit të Prokurorisë, ku anëtarët e këtij këshilli kanë marrë propozimin për transferimin e Dollapit në Shkodër, për të qënë pjesë e prokurorisë së Apelit të këtij qyteti.

Propozimi i Llallës është hedhur në votim, dhe 6 nga 7 anëtarët e këshillit kanë vendosur pro transferimit të prokurorit Dollapi në Shkodër.

Ky i fundit si anëtar i këshillit e ka ndjekur mbledhjen në pozicionin e të “pandehurit” dhe jo si anëtar këshilli dhe ka dhënë kundërshtimet e tij, por askush nga kolegët e tij në këshill ska marrë në konsideratë pretendimet që ka pohuar Arben Dollapi, por kanë vendosur të 6 anëtarët pro transferimit të tij në Apelin e Shkodrës.

Lidhur me këtë çështje Gazeta “Shqiptarja.com” kontaktoi në telefon me prokurorin Arben Dollapi i cili pranoi të ishte transferuar në Shkodër me urdhër të kryeprokurorit Llalla.

Po është e vërtetë që këshilli sot të ketë marrë një vendim për transferimin tim. Nuk kam pse e fsheh. Jam transferuar me argumentin e riorganizimit të organikës së prokurorisë pasi prokuroria e Apelit Shkodër ka nevojë për prokurorë. Dhe për këtë u gjet Arben Dollapi, që është zëri kundra i Adriatik Llallës në këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme. Riorganizimi i strukturës është bërë brenda 20 ditësh, vetëm e vetëm për të më hequr. Ndërkohë që riorganizimi bëhet vetëm një herë në vit. Unë i kuptoj kolegët e mi në këshill se kanë qënë nën presion kur kanë votuar. Madje u tentua të ndryshohej dhe orari i mbledhjes me qëllimin e vetëm që unë si anëtar këshilli të mos isha pjesë e kësaj mbledhje, pasi ishte zgjedhur një orar kur unë duhet të isha në gjykatë”- ka pohuar prokurori Arben Dollapi.

Më tej ky i fundit ka shtuar se po bën 23 vite prokuror dhe se ka lëvizur në 6 prokurori. Dollapi nuk pranon mënyrën e transferimit të tij në Shkodër, pasi sipas tij vetë Llalla për nevojat e Prokurorisë së Përgjithshme ka kërkuar një buxhet financiar në ministrinë e Financave për shtimin me 4 prokurorë të rinj në këtë prokurori.

Ndërkohë që nga ana tjetër vendos transferimin e tij nga Prokuroria e Përgjithshme në Shkodër. Dollapi shton për gazetën “Shqiptarja.com” se për këtë transferim të paligjshëm i ka shkruar dhe presidentit Nishani, nga i cili në ditët në vijim pritet dekretimi ose jo i transferimit të Dollapit në Shkodër.

Nëse prokurori Dollapi do transferohet në Shkodër, atëherë prokuroria e Përgjithshme do ti duhet të organizojë sërisht mbledhje për një anëtar të Këshillit, pas largimit të Dollapit, i cili është zgjedhur në këtë këshill si përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme.

Transferimi i Dollapit në Shkodër, vjen pas dy transferimeve të tjera në këtë rreth të kryeprokurorit Llalla, atij të prokurorit Shkëlqim Hajdari dhe Prokurorit të Krimeve të Rënda Anton Martini.

http://shqiptarja.com/pdf/new/Fjala%20para%20Keshillit%20te%20Prokurorise.pdf

Please follow and like us: