Albspirit

Media/News/Publishing

Mogherini: Kosova tashmë është Europë

“Kosova është Europë dhe jemi duke punuar për perspektivën e integrimit evropian të Kosovës, tha sot në Prishtinë shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, pas takimit me Kryeministrin Isa Mustafa.

 

I pranishëm në këtë takim ishte edhe eurokomisioneri për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopulos.

“Sot kemi bërë hap shumë të madh dhe shumë të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës. Jam e lumtur që qytetarët e këtij vendi janë pjesë e Evropës sepse e di që gjatë e keni pritur”, tha Mogherini. Mogherini u shpreh se bashkë me institucionet e vendit do të punojnë për integrimin e Kosovës në BE.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se “Kosova ka nevojë për Evropën dhe Evropa do jetë më e plotë me Kosovën”. “Biseduam për proceset e tjera integruese të Kosovës, për përkushtimin për luftën ndaj krimit të organizuar dhe luftën ndaj terrorizmit, duke forcuar marrëdhëniet me fqinjët”, theksoi Mustafa.

E ardhmja e Kosovës, shtoi ai, është në gjirin e Evropës. “Sa i takon liberalizmit të vizave është një arritje e madhe nga ana e Kosovës. Ky vendim historik për ne i hap perspektivën Kosovës. Kemi biseduar edhe për forcimin e marrëdhënieve me fqinjët, por Serbia duhet të heqë dorë nga pengesa që po i bënë Kosovës, duke tentuar ta ndalë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha Mustafa.

Kreu i qeverisë kosovare u shpreh se “Serbia duhet të heqë dorë nga pengesa që po i bënë Kosovës, duke tentuar ta ndalë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”. Një ditë pasi Komisioni Europian propozoi heqjen e vizave për qytetarët kosovarë, dy zyrtarët e lartë të BE-së mbërritën rreth mesditës në Prishtinë dhe do takohen edhe me krerë të tjerë të shtetit, Presidentin Hashim Thaçi e kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Në Kuvendin e Kosovës, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini, do të pritet e flasë edhe në një seancë solemne. Adresimi i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë/Zëvendëspresidente e Komisionit Europian, Federica Mogherini, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, është e vetmja pikë në axhendë. “Krenare me propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka shkruar Mogherini në tëitter dje duke paralajmëruar vizitën në Prishtinë “për të festuar dhe punuar për rrugën përpara”. Mogherini dhe Avramopulos janë pritur në Aeroportin e Prishtinës nga Përfaqësuesi i BE në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, me përfaqësues të tjerë të qeverisë së Kosovës. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini është ndërmjetësuese e udhëheqëse e dialogut të nivelit të lartë kryeministror drejt normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd në Bruksel, ku janë zhvilluar 30 raunde. Ajo pason Baroneshën Catherine Ashton. Takimi i parë kryeministror Kosovë-Serbi në Bruksel është zhvilluar në 19 tetor 2012, ndërsa raundi i fundit në 27 janar 2016.

Please follow and like us: