Albspirit

Media/News/Publishing

Clark: Shpresa e madhe për ta bërë Kosovën një yll të shndritshëm

Edukimi i të rinjve, shpresa e madhe për ta bërë Kosovën një yll të shndritshëm

Gjenerali Wesley K Clark foli për shqiptaro-amerikanët, në një mbrëmje ku u përgëzua dhe u mbështet puna e Fondit të Edukimit Kosovë Amerikë

 

Një takim i mbajtur në New York, javën e kaluar, nënvizoi rolin e arsimit për të ardhmen e Kosovës dhe mbështeti e nderoi punën e Fondit të Edukimit Kosovë Amerikë (KAEF) për sponsorizimin e shkollimit të të rinjve në SHBA.
I organizuar nga Këshillat Amerikanë për Arsimimin Ndërkombëtar, me titullin: “Për të krijuar një Europë të re nëpërmjet arsimimit”, veprimtaria kishte si të ftuar kryesor, Gjeneralin Wesley K Clark.
Ushtaraku i shquar, ish-komandant i NATOs dhe tashmë në pension është një biznesmen i njohur, merr pjesë në shumë fushata sensibilizimi dhe ka kandiduar në 2004 për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Shqiptarët e njohin më mirë nga koha kur si komandant ushtarak i NATO-s drejtoi luftën kundër Jugosllavisë dhe çlirimin e Kosovës. Qysh atëhere ka mbetur një mik i saj dhe i shqiptarëve në tërësi.
Arsyeja se pse KAEF ishte në qendër të vëmendjes në një veprimtari të tillë ishte puna e madhe e këtij fondi për të financuar studimet në SHBA të studentëve nga Kosova. Programi i këtij fondi është nga më të suksesshmit në botë. Jo vetëm që këta të rinj përgatiten akademikisht në një vend që ka universitetet më të mira të botës, por ata mbeten të lidhur me njëri-tjetrin pas studimeve, gjejnë mundësi punësimi dhe biznesi që ndihmojnë veten dhe Kosovën dhe bëhen pjesë e një klase të re intelektuale e profesionale që premton shumë për të ardhmen e Kosovës.
Në “Battery Gardens” në New York City, drejtuesi i mbrëmjes, Gazmend Gjonbalaj e vendosi këtë punë që po bën KAEF dhe rëndësinë e saj në kontekstin e rolit të arsimit në vendet e pasluftës në përgjithësi. Shembulli që sjell KAEF ilustron sesa vendimtar është arsimi për fatin e një vendi të tillë.
Kosova i kishte dhënë këtij aktiviteti rëndësinë e duhur. Përveç Konsullit të Përgjithshëm në New York, Ylber Kryeziut dhe stafit të tij, të pranishëm ishin edhe Drejtori për Kulturën dhe Arsimin në Ministrinë e Diasporës, Avdyl Lipoveci si dhe Këshilltari i Lartë në këtë dikaster, Kushtrim Sheremeti.
Gjenerali Clark nuk i kurseu fjalët lavdëruese për KAEF dhe i falenderoi shqiptaro-amerikanët që e mbështesin atë. Ai madje tha se e ka përmendur suksesin dhe efikasitetin e këtij programi kur ka folur me udhëheqës shtetesh me të cilët qëllon të bisedojë.
Ish-komandanti i NATO-s kujtoi lidhjen e tij me Kosovën që nga koha e luftës dhe pas saj dhe e pranoi se jo gjithshka kishte vajtur mirë aty dhe në rajon, por këmbënguli se vështirësitë dhe problemet janë pjesë e procesit. Duke sjellë si shembull fushatën në vijim presidenciale në SHBA, ai nënvizoi se vështirësitë janë të ngjashme në vende e shoqëri të ndryshme. Ai tha se nuk duhej vlerësuar thjesht momenti por procesi në tërësi.
“Prandaj dua që të mendoni për këtë që kur ndiqni politikën në Kosovë, apo lexoni gazetën Illyria…, kujtohuni se kështu shkojnë gjërat në të gjithë botën”.
Ish-ushtaraku i njohur, i cili gjatë veprimtarisë, foli në veçanti për gjendjen në Europën Lindore dhe rrezikun e kthimit korruptues të Moskës në rajon.
“Asnjë vend nuk duhet të jetë nën thundrën e një tjetri”, tha ai duke nënkuptuar përpjekjet e Rusisë për të krijuar raporte vartësie me vende të tjera, sidomos ato që dikur ishin pjesë e kampit sovietik.
Por Clark mbetej optimist. Ai solli si shembull tolerancën dhe bashkëjetesën e njerëzve me origjinë, etni, fe dhe kultura të ndryshme në Amerikë si një fryt të demokracisë moderne, që në fund do të triumfojë. Në këtë kuadër, arsimimi do të luajë një rol të madh dhe sidomos ndjekja e shkollave amerikane nga të rinjtë e Kosovës ishte një kontribut i madh që Kosova të bëhej “një yll që shkëlqen shndritshëm”, siç u shpreh ai.
Mbrëmja pati disa çaste të bukura, ndër të cilat ishte edhe nderimi Amy Manning nga McGuireWoods LLP me “Çmimin Mbështetës e Komunitetit David Gotaas” (që jepej për herë të parë e që do të shërbejë për të nderuar individë apo organizata që dëshmojnë udhëheqje në mbledhjen e fondeve, mbështetje personale me mentorim apo mundësish stazhi si edhe për përforcim programesh nga KAEF).
Për ata që nuk e dinë David Gotaas ishte një anëtar i Bordit të të Besuarve të Këshillave Amerikanë dhe mbështetës i madhi KAEF-it, i cili ndërroi jetë në maj 2015, në moshën 64-vjeçare. Ai mbështeti bujarisht programin, mori pjesë në ceremonitë e diplomimit dhe besoi fuqimisht në mundësitë e KAEF-it për të shndërruar Kosovën. Anëtarët e familjes së tij ishin gjithashtu të pranishëm.
Znj. Manning dhe firma e saj, McGuireWoods LLP, u zgjodhën për mundësinë e shkëlqyer të një stazhi për studentin Arben Limani, gjatë studimeve të tij në Kolegjin e Drejtësisë të Chicago-Kent dhe për aktivitetin për tregëtinë të organizuar me ish-presidenten Atifete Jahjaga, në nëtor 2015.
Gjatë mbrëmjes e mori fjalën edhe Fjolla Kondirolli, aktualisht bursiste e KAEF-it, e cila studjon në Cornell, që foli për përvojën e saj dhe planet për të ardhmen e saj dhe të Kosovës. Më tej, Dan Davidson, doktor i shkencave dhe President i Këshillave Amerikanë, tregoi se deri tani KAEF ka sjellë 80 studentë në 40 universitete, nga më të mirët në SHBA, të tillë si Brandeis University, Harvard University, Georgetown University etj. 69 të diplomuar prej këtij programi tani shërbejnë në detyra udhëheqëse në qeveri, biznes dhe media në Kosovë.
Mbrëmja e bukur përveçse shpalosi edhe njëherë rëndësinë e arsimit në Kosovë, si një vend i pasluftës dhe nderoi mbështetjen ndaj veprimtarisë së KAEF-it dha edhe fryte konkrete me mbledhjen e më shumë se 50,000 dollarëve për fondin që të vijojë punën e tij të nderuar.

k8

Gazmend Gjonbalaj, General Wesley Clark, Elena Romanova

Nga e majta, Gjenerali Wesley K Clark, Gena Morina Bajrami dhe Vehbi Bajrami, botues i gazetës “Illyria”.

Gjenerali Clark dhe Ylber Kryeziu, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York.

k11kaef plus

KAEF Committee Co-Chair Michael Hora, Sally Gotaas, Amy Manning.

k4

k5

k10

k9

k1k6

Please follow and like us: