Albspirit

Media/News/Publishing

Grupi “Everbright” blen Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës

Ditët e fundit Grupi “China Everbright Limited” (“Everbright” ) publikoi se Keen Dynamics Limited(KDL), që investohet nga “Everbright” dhe “Friedmann Pacific Asset Management Limited” nënshkroi marrëveshje për blerjen e të drejtës së menaxhimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Në bazë të marrëveshjes, KDL do të ketë të drejtën e menaxhimit të aeroportit deri në vitin 2025. Aktualisht ky projekt është në fazën e pranimit nga qeveria shqiptare dhe me realizimin e tij pritet që Kina të bëhet vendi më i madh investues në Shqipëri.

Në intervistën ekskluzive për Radion e Jashtme të Kinës, drejtori ekzekutiv i Grupit “Everbright”, Chen Shuang vlerësoi rëndësinë e marrëveshjes me Shqipërinë.

Chen vuri në dukje se Shqipëria ka epërsi gjeografike, pasi është porta e rrugës detare së mandafshit në Evropë. Nisma “Një brez, një rrugë” e iniciuar nga presidenti i vendit, njëherësh sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës, Xi Jinping në vitin 2013 krijoi mundësi për bashkëpunime me interes reciprok në fushën e projekteve të mëdha. Sipas tij, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka potencial të madh dhe do të ndikojë në suksesin e mëtejshëm të Grupit “Everbright”, në fushën e investimeve. Nën kornizën e nismës “Një brez, një rrugë”, “Everbright” krijoi fondin e katërt, Fondi i Infrastrukturës i “Everbright-it”, fokusohet në investimet infrastrukturore jashtë vendit. Blerja e të drejtës së menaxhimit të të vetmit aeroport ndërkombëtar në Shqipëri shënon projektin e parë që realizohet nëpërmjet këtij fondi.

Cheng Shuang tha në intervistë se pas studimit dhe kontakteve me palën shqiptare, “Everbright ” hartoi planin fillestar për zhvillimin e ardhshëm të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Sipas tij hapërsira e zhvillimit të aeroportit është e madhe dhe kushtet aktuale të tij janë të favorshme për realizimin e planit zhvillimor. Cheng shtoi se nëse realizohet rindërtimi i aeroportit do të ketë përfitime të mëdha me kosto të ulët.

“Plani për rindërtimin e aeroportit do të zhvillohet në bazë të atij aktual, pasi dhe sipërfaqja ekzistuese ofron mundësi zgjerimi. Dëshirojmë të zhvillojmë më tej kapacitetet e këtij aeroporti”, theksoi drejtori ekzekutiv i “Everbright”, Chen Shuang.

Ai theksoi ndër të tjera se administrimi i aeroportit do të vazhdojë të kryhet nga ekipi aktual. Lidhur me këtë Cheng Shuang thekson se “Është një mënyrë e mirë shfrytëzimi e grupit ekzistues profesional për të vazhduar administrimin e kompanisë së re.”

“Bordi i drejtorëve do të përgjigjet për hartimin e strategjisë të zhvillimit të ardhshëm të aeroportit dhe do të dërgojë menaxherë për të administruar asetet. Ky grup ka aftësi të mira në drejtim të blerjes së të drejtës së menaxhimit aeroportual dhe e njeh mirë prirjen e zhvillimit të tyre si dhe gjendjen e përgjithshme në Evropë. Grupi që administron Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës është gjerman dhe jam takuar disa herë me drejtorin ekzekutiv të tij, i cili më duket shumë profesional”, thotë për CRI shqip CEO i “Everbright”.

Drejtori ekzekutiv Chen ndër të tjera vuri në dukje se po studjohet fluturimi i avionëve “charter” për turistë nga Pekini në Tiranë.

“Me ngritjen e nivelit të jetesës, shumë kinezë vizitojnë vende të ndryshme të botës. Shqipëria dhe vendet rreth saj kanë burime të pasura turistike. Për shkak të marrëdhënieve të vecanta diplomatike midis Kinës e Shqipërisë në shekullin e kaluar, turistët kinezë kanë dëshirë të vizitojnë Shqipërinë”, shprehet Chen. Ai mendon se duke shfrytëzuar bashkëpunimin midis kompanive ajrore dhe “Everbright” mund të hapet linja ajrore Pekin-Tiranë, në mlnyrë që avionë “charter” të plotësojnë kërkesat e klientëve kinezë për turizëm në Shqipëri. Në këtë fushë Grupi “Everbright” ka epërsinë e vet.

Cheng Shuang tha ndër të tjera se “Në strukturën e “Everbright” përfshihet dhe një kompani e cila jep avionë me qira dhe është e vetmja e regjistruar në bursën e Hong Kongut. Madje ajo është kompania e vetme në Azi e aeroplanëve e regjistruar në bursë, me të cilën kemi marrëdhënie të mira bashkëpunimi. Si fillim mund të përdoren avionët “charter”, kështu do të hyjmë në Evropë”.

Drejtori ekzekutiv i Grupit “Everbright” Chen Shuang duke folur më tej për planin e menaxhimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës tha se do të krijohet qendra logjistike në bazë të projektit të aeroportit.

“Shpresojmë që Shqipëria të bëhet nyje e transportit të mallrave kineze. Ky projekt është hapi i parë i yni në Shqipëri, ndërsa më pas do të krijohet qëndra logjistike për të nxitur investimet kinezë në këtë vend.”

Sipas Chen, një karakteristikë e theksuar e Shqipërisë është eksportimi i krahut të punës. Pas krijimit qëndra logjistike në Shqipëri do të tërheqë krahun e punës, duke ndikuar në rritjen e punësimit në Shqipëri. Nga ana tjetër, mallrat kineze nëpërmjet Shqipërisë do të transportohen në vende të ndryshme të Evropës, duke nxitur zhvillimin e ndërmarrjeve kineze jashtë vendit dhe të nismës “Një brez, një rrugë”.

Fondi i Infrastrukturës i Grupit “Everbright” fokusohet në ndërtimin e infrastrukturës, bazuar në biznesin aeroportual, në këtë mënyrë do të nxitet zhvillimi i mëtejshëm i tregtisë përkatëse. Si vend me perspektivë të mirë investimesh, me burime turistike në zhvillim dhe pajisje turistike, Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e “Everbrightit”. Chen Shuang vuri në dukje se pas mbarimit të projektit të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, Shqipëria do të bëhet qëndra e zhvillimit të këtij biznesi në këtë rajon.

“Nëse qeveria shqiptare do ta miratojë blerjen e aeroportit, ka mundësi të zhvillojmë këtë linjë biznesi dhe të kryejmë të tjera blerje në vendet rreth Shqipërisë. Në të ardhmen do të formohet “Grupi i Aeroporteve” për Europën Qendrore e Lindore dhe kjo është jo vetëm në favor të ndërtimit të infrastrukturës, por edhe për eksportimin e aeroplanëve të prodhuar nga Kina. Ashtu si Kina po eksporton në vende të tjera trenin dhe hekurudhën e shpejtësisë së lartë, në të ardhmen ne mund të eksportojmë edhe aeroplanët”, u shpreh në intervistën ekskluzive për CRI shqip drejtori ekzekutiv i Grupit “Everbright”, Chen Shuang. (Çang Çuo/ Eda Merepeza)

Please follow and like us: