Albspirit

Media/News/Publishing

Ngjela: Enveri nuk donte një disident si Kadareja

TEMAT KRYESORE

  • Libri “Kadare i denoncuar” i Dashnor Kaloçit, sjell 32 dokumente nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së
  • Dje gjatë promovimit avokati, Spartak Ngjela,  u shpreh se Kadare ka qenë krejtësisht i sulmuar, por nuk ka bërë asnjë lëshim individual

“Kadare i denoncuar” i autorit Dashnor Kaloçi u promovua dje. Dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të Partisë së Punës Shqiptare, të klasifikuara “Tepër Sekret”, proces-verbale të mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, analiza, kritika, dëshmi, raporte, relacione, akuza, sulme e denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, botohen në këtë libër. Dje gjatë promovimit të librit, të pranishëm për të referuar rreth tij ishin: Spartak Ngjela, Sadik Bejko, Henri Çili dhe vet autori i librit, Dashnor Kaloçi.

Spartak Ngjela: Kadare ka ruajtur inteligjencën e tij, i ka bërë shërbim vetes dhe kombit të tij

Avokati Spartak Ngjela teksa tregon se e ka lexuar librin thotë se, libri nuk është në lartësinë e duhur, në funksion të ndjekjes. “Të jemi realist, janë pak dokumente. Por universiteti thotë se do të vazhdojë. Ndjekja ose përplasja e Ismail Kadaresë me regjimin ka tjetër përmasë. Nuk kishte mundësi ta pranonte regjimi e as zhdanovizmi Ismail Kadarenë”. Sipas Ngjelës, Ismail Kadare ka meritë, që s’ka asnjë vepër zhdanoviste. “Problemi është si e kanë pranuar, përse është pranuar? Unë them që e ka thyer me talent. Talenteve të mëdhenj, edhe diktatorët e mëdhenj u trembeshin. Nuk është problemi nëse Ismail Kadare ka qenë i përkëdheluri i diktaturës, siç thonë të patalentuarit”.

Më tej shton se në Rusi, në kohën e Carit thoshin se ka dy carë: Një ishte Tolstoi dhe tjetri vetë Cari. “Kështu duhej thënë edhe këtu. Ismail Kadare shpëtoi nga fati, sepse ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’ u bë bestseller në Francë dhe në Perëndim. Enver Hoxha nuk ishte aq budalla, sa të mos e kapte as këtë, që nuk mund t’i lejonte vetes një disident në përmasa perëndimore”. Por sipas tij, Kadareja ka qenë në luftë, kjo del edhe nga libri, sepse është fenomen në ambientin shqiptar.

Në një ambient oriental është fenomen perëndimor. “Letërsia shqiptare nuk ka qenë lindore, deri në momentet që erdhi komunizmi, por komunizmi donte t’i jepte një ngarkesë shtesë, ta shfrytëzonte për veten e vet, me anë të një metode sovjetike, që quhet realizmi socialist. Ismail Kadare ka një konflikt të madh me Ministrinë e Brendshme, por nuk del shumë saktë në libër, sepse nuk kishte sesi. Ishte lufta e madhe midis një talenti, dhe antitalentit që përfaqësonte vet regjimi”. Teksa citon kritikën e Arshi Pipës, që i bëri veprës “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”: “Fakti që kjo vepër letrare ka vlerë letrare është kundër regjimit”.

Sipas Ngjelës, kjo është maksimë e njohur sot. Nuk është çështja që je kundër regjimit se ke dalë dhe ke folur kundër tij, por sepse ke krijuar një metodë në funksion të një lirie. Kështu e koncepton Ngjela. “Reaksioni që ka sjell ‘Dimri i vetmisë së madhe’, nuk është parë me shumë vëmendje. Te ‘Dimri i vetmisë së madhe’, letërsia nuk njeh personazhe individuale, njeh autorin.Ka ngritur figurën e Enver Hoxhës, por më duket se nuk njohin romanin, ai është fiction. Enver Hoxhën ai e ka personazh, nuk e ka personazh historik. Po t’i qëndrojmë ngjarjes normale, është autori që luftën në atë roman e ka me Sigurimin e Shtetit. Merreni shikojeni. Ne që e kemi jetuar e dimë edhe arsyen, në atë moment kishte një moment liberalizmi në Shqipëri. Mendohej që do sundonte kjo strukturë në Shqipëri, por Enver Hoxha e ndryshoi”.

Ngjela shton më tej se, ne nuk themi pse e ndryshoi strukturën e regjimit Enver Hoxha. “Dimë një fakt, që Shiraku ka thënë se ne pranuam Enver Hoxhën në 1971-1972, hapur. Por na vuri kusht Titua dhe kjo kuptohet që ai njeri donte një mbrojtje… Në këto momente Ismail Kadare hodhi ‘Dimrin e vetmisë së madhe’ dhe mendonte se do t’i liberalizonte, por ‘Dimri i madh’ ka një ide shumë të madhe: Është sovrani i shtetit me sovranin e letrave, që janë përplasur në atë roman. Sovrani i letrave i thotë sovranit të shtetit, që ti nuk je sovran se nuk drejton dot kështu, se ai nuk është Enver Hoxha.

Por ai ishte një roman dhe vlerat artistike të një romani nuk janë vlera historike, si vepra e Hamletit”. Megjithatë sipas Ngjelës në këtë libër ka konflikte të mëdha, sepse ky libër krijoi konflikte tek artistët. Doli doktrina, pse të lejohet ky dhe të mos lejoheshin ata. Kjo parë me syrin e Ngjelës është luftë e një niveli të ultë nga intelekti, por ashtu ishte regjimi, problemi nuk qëndron te fajësimi i njerëzve. “Ai ishte regjimi, dhe ashtu ishte ndërtuar koha, shëmtimi drejtonte. Një spiunazh total ishte Shqipëria dhe secili luftonte. Kishin krijuar një pikë statike këta, morale, që ishte Enver Hoxha dhe regjimi i tij. Të gjithë godisnin njëri-tjetrin, dhe secili do të godiste në funksion të kësaj pike”. Edhe nëse nuk ishin të angazhuar si spiunë, sipas Ngjelës, ishin të angazhuar në një luftë politike, për të eliminuar shkrimtarë, që i kishin rivalë, kundërshtarë.

“Kjo vjen në këtë korpus dokumentesh. Gjithsesi unë mendoj se është një fenomen perëndimor, që këta nuk duan ta lejojnë të lulëzojë. Ajo konstatohet edhe sot. Është lufta orientale që i bëjnë një fenomeni oksidental, pavarësisht nga mbulesa inkoshinte, që u vjen zor për ta kuptuar. Çështja është që ka një vlerë ndërkombëtare në letërsinë shqiptare, Ismail Kadare, hajde ta ruajmë. Por unë dhe sot shikoj se kanë një farë smire. Jo po konkurron, jo po çmimi Nobel”. Sipas tij, shqiptarët nuk e kuptojnë, që çmimi Nobel për letërsinë, në Shqipëri më shumë  vlerë u jep njerëzve, sesa Ismail Kadaresë. “Nuk arrijnë ta kuptojnë, sepse nuk e kanë koshiencën e zhvillimit në kuptimin koshiencës kombëtare.

Pse? Jo. Kemi atë që, ku jam unë dhe ku janë të tjerët”. Gjithsesi avokat Ngjela mendon se fakti që ka nisur kjo rrugë, grumbullimi i fakteve për konfliktet e brendshme, qoftë edhe në sferën e letërsisë dhe të arteve, është mirë për katarsisin që duhet të bëjë shoqëria shqiptare. “Është shumë mirë që e filluan me një figurë, i cili ka qenë i goditur. Nuk ka qenë i goditur nga regjimi. Pse kush është ai që nuk e kupton që ‘Pallati i ëndrrave’, ishte Komuniteti Qendror? Faji i Ismail Kadaresë është që se kupton njeriu i thjeshtë se ç’është Komiteti Qendror?! Pyetjet janë, përse nuk e persekutuan? Përse nuk e goditën kur e kuptuan? Ky është një problem që i takon historisë për ta zgjidhur”. Sipas Ngjelës, Kadare e ka bërë detyrën e vetë, ka shpëtuar letërsinë e tij në një kohë shëmtimi dhe kjo nuk është pak.

“Ne e konstatojmë, që ka qenë krejtësisht i sulmuar, por nuk ka bërë asnjë lëshim individual. Unë deri tani nuk i kam gjetur asnjë lëshim individual. E ka ruajtur inteligjencën e tij, i ka bërë shërbim vetes dhe kombit të tij”. Ka dhe një diferencë tjetër në optikën e regjimit të vjetër, ku edhe konceptin patriotik e ka ndryshe nga regjimi. Sipas Ngjelës, këtë e pa bërë në aspekt historik, sepse i është dashur të revokojë historinë. “Të gjitha këto i ka pasur në kundërshtim me frymën e atëhershme të regjimit. Kjo del edhe në këtë vëllim, që unë mendoj të mos mbetet me kaq, por të vazhdojë. Mund të ketë edhe gjëra të tjera në shumë aspekte, te personalitete të tjera shqiptare, që nuk i kanë lejuar të krijojnë personalitetin e tyre”.

Please follow and like us: