Albspirit

Media/News/Publishing

Reforma territoriale – Financat: Mbi 60% e fondeve për vendorët shkon për pagat e punonjësve

Nga: Aurora Sulçe

Reforma territoriale nuk po shoqërohet me mirëadministrim të fondeve nga Bashkitë e reja. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në tremujorin e parë të këtij viti mbi 60% e fondeve të pushtetit vendor janë përdorur për pagat e punonjësve. Artan Shkëmbi, Drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale Administrative shpjegon se janë shtuar kompetencat e Bashkive dhe rrjedhimisht edhe numri i punonjësve në varësi. Por sipas tij, shqetësuese janë lëvizjet masive te punonjësve nga administrata vendore, ku një pjesë e tyre janë me statusin e nëpunësit civil.

Rreth 60% e shpenzimeve që Bashkitë e reja kanë bërë në muajt e parë të këtij viti kanë qenë për pagat.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, shpenzimet e pushtetit vendor arritën në 5.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 1.1 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Brenda totalit të shpenzimeve, fondi i pagave ka pësuar rritje të ndjeshme, ku përgjatë tremujorit të parë shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore të pushtetit vendor arritën sa 62 përqind e krejt totalit të shpenzimeve.

Artan Shkëmbi: Me shtimin e funksioneve të reja në fushën e arsimit, janë më shumë se 7 mijë punonjës që i janë shkurtuar institucioneve qëndrore dhe i janë shtuar Bashkive dhe sigurisht që shpenzimi që kryhej deri dje për këta punonjës nga qeverisja qendrore, tashmë kryehet nga qeveria lokale.Jo vetëm kaq, por edhe 267 punonjës të Bordeve të Kullimit tashmë nuk paguhen nga Qeveria qëndrore, 100 punonjës të Inspektoriatit të Pyjeve paguhen nga qeverisja lokale dhe po ashtu të gjithë punëtorët e mirëmbajtjes së rrugëve rurale që deri dje kanë qenë pjesë e buxheteve të Këshillave të Qarkut, sot janë pjesë e buxheteve të Bashkive.

Ndërkaq Bashkitë e reja pritet të përballen së shpejti edhe me një faturë të majme financiare për shkak të lëvizjeve masive të punonjësve nga administrata.

Artan Shkëmbi: Për fat të keq në ato Bashki ku ka pasur ndryshime politike të Bashkive ka pasur lëvizje në masë, por nuk përjashtohen edhe disa Bashki të tjera që megjithëse i takojnë të njëjtës forcë politike sërish kanë larguar një pjesë të mirë të stafeve. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për stafe politike që duhet të largohen apo mund të largohen me largimin e drejtuesit, por bëhet fjalë për punonjës që duhet të zbatohet kodi i punës, por akoma më keq për punonjës që kanë statusin e nëpunësit civil.

Qëllimi kryesor i reformës territoriale që ndërmori Qeveria ishte rritja e mirëadministtrimit të fondeve, ku ulja e numrit të njësive vendore do të shoqërohej edhe me shkurtim të shpenzimeve, kryesisht nga kostot e personelit, të cilat më pas do të përdoreshin për investime.

SHPENZIMET E PUSHTETIT VENDOR

(Burimi: Ministria e Financave)

3 mujori i parë 2016        5.7 mld lekë

Rritja vjetore                           1.1%

Please follow and like us: