Albspirit

Media/News/Publishing

Për inferiorët mediatikë të Greqisë

Arben Llalla

Pas deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke ka një farë ngazëllimi dhe zelli për ta përcjellë këtë kumt, thua se ka ndodhur fundi i botës. Makina inferiore e propagandës që është instaluar në Shqipëri qysh prej çerek shekulli të paktën duhet të ndiqte reciprocitetin e përçimit të lajmit si ndodh rëndom në gazetari. Pa dëshiruar të bëj analistin, komentatorin, sepse ky nuk është lëmi im i veprimtarisë, më ka bërë përshtypje që një sërë mediumesh dje folën pak ose aspak për Kongresin e PDIU-së, tezat e hedhura atje, programin e shpalosur e padyshim edhe për përshëndetësit, mes të cilëve kryeministri Edi Rama. Heshtje e plotë. Përse? Sepse dikush me pushtet politik apo ndonjë tjetër që drejton Ekzekutivin foli copë për Çështjen Çame. Nuk duhet shkruar asnjë rresht, sepse ndoshta në ambasadën e Greqisë ndonjë shkrues mban shënim dhe e nis në Athinë.

Pikërisht, këto media sot janë ekzaltuar që reagoi Ministria e Jashtme greke. Nuk përbën lajm për ne. E dinim qysh dje që do reagonin. Kështu ka ngjarë përherë, por një makinë e vërtetë bën jehonë një deklarate, tek e fundit armiqësore ndaj shqiptarëve. Theksoj ndaj shqiptarëve jo çamëve, sepse nuk po flasim vetëm për 27 qershorin e vitit 1994, por për dhunën, genocidin, rrëmbimin e pronave në mënyrë sistematike të shqiptarëve në Greqi.

Le të bëjmë për një çast sikur e besojmë që nuk ekziston Çështja Çame, ashtu si thotë deklarata e së dielës nga Athina zyrtare. Po për shqiptarët e Kosturit, Follorinës, Konicës, Selanikut dhe gjetkë çfarë do të themi? Këta “patriotë” mediatikë a e dinë që Faik bej Konica është pa nam e nishan sipas Greqisë. Nuk ekziston as çështja e tij. Një nga gurët themelues të gazetarisë shqiptare, publicistikës, diplomacisë është muhaxhir pas vdekjes.

Po mirë, nuk ka Çështje Çame, nuk ka Çështje Shqiptare për Greqinë, po Çështja Hebre a ka vallë? Për tre orë i çuan në kampet naziste të përqendrimit hebrenjtë e Epirit. Bashkë me ta shumë familje të shqiptarëve të Çamërisë. Po, për sllavomaqedonët, po për pakicat turke e kështu me radhë? Sërish edhe për ta nuk ka një çështje në Greqi. Ky është shteti i vetëm në botë që krenohet se nuk ka minoritete. Atëherë një shtet me këtë mendësi si do të ketë mundësi të pranojë që ka një Çështje Çame?

Kjo është arsyeja që unë them se ka ardhur koha të bisedojmë si të barabartë me Greqinë, jo si inferiorë e me frikë në zemër. Nëse nuk ia dalim duhet aplikuar e famshmja diplomaci publike. Ne jemi dy shtete anëtare të NATO-s. Ndaj, në këtë ministral të NATO-s duhet folur për Ligjin e Luftës që nuk pengon Çështjen Çame, por Çështjen Shqiptare, si e shpjegova më lart. Dy vende anëtare të NATO-s nuk mund të jenë në luftë, ndaj ky paradoks duhet shoshitur një herë e mirë. Ka ardhur koha që Greqia ose na pranon si fqinj të mirë prej Traktatit të Miqësisë, ose të na shpallë armiq dhe të aplikojë Ligjin e Luftës.

Dje, në Kongresin e PDIU nuk ndodhi ndonjë gjë skandaloze që ka habitur grekofonët e medias, thjesht u fol për Çështjen Shqiptare me të njëjtin bindje si për Çamërinë, ashtu edhe për Plavën, Gucinë, Preshevën, Shqipërinë, Kosovën, sepse izolimi i një çështje në sinore krahinore do të thotë vdekje e një çështje.

 

Please follow and like us: