Albspirit

Media/News/Publishing

Një javë në Parajsë

Dr. Andon Dede

NEW YORK – Nga përrallat që më kujtohen nga fëmijëria, është dhe një që tregonte për parajsën. Mbase më ka ngjitur më shumë ajo se lidhej edhe me varfërinë tonë ekstreme. Ndofta dukuria ka në vetvete ndonjë shkak mitik. E dimë prej Mitologjisë se si mbijetojnë në ndërgjegjen e njeriut mitet origjinare që e kanë humbur pothuajse tërësisht kuptimin fillestar. Qysh nga zanafilla e vet njeriu ka ëndërruar dhe kërkuar një “ishull të lumturisë”, njëfarë parajse tokësore ku të jetë i çliruar prej gjithë sa i duket mjerane në jetën e vet të zakonshme. A thua se ka hequr dorë sot nga përjetime të tilla? Mendoj se jo. Apo, për të qënë më i saktë, varet nga individi, nga përvoja e formimi i secilit.
Unë e kam kaluar gati gjithë periudhën e shkollimit nëpër konvikte, me atë pjatën e gjellës dhe copën e bukës të racionuar. Më vjen si tani në mendje, në konviktin e Përmetit, kur kishim për mëngjes një gotë çaj dhe ndonj copë djathë apo një lugë marmelatë ose reçel. Sa për kurjozitet: copa e dhjathit, i bardhë apo kaçkavall, nuk qe më e madhe se një kokërr arre. Më tepër e lëpinim se e kafshonim. Dhe me fantazinë time, që sa po hidhte shtat, duke përsiatur, thosha me vete: “A do të vijë vallë ndonjë kohë që të pi çaj dhe të ha djathë, sidomos kaçkavall, sa të dua?!” Dhe përgjigjesha po vetë: “Absolutisht jo! Kurrë!”. Të them të drejtën, më dukej një ëndër e parealizueshme, se nuk do të vinte kurrë ajo kohë që të haje e të pije sa të dëshëronte e bardha zemër.
Në fshat, ku kalova fëmijërinë, bulmeti qe me bollëk akoma pa filluar marrëzitë e kooperativave e të tufëzimeve. Por, as nuk është momenti të zgjatem se sa kemi vuajtur, më pas, në ato vite, për një kile djathë, një shishe qumësht apo një pako gjalpë. Më zë tmerri kur kujtoj ngritjet në mesnatë për të zënë radhë; furnizimet me lista; lutjet deri në përunjësi për një copë mish më shumë e kështu me radhë…Por, siç thashë, nuk dua të merrem me këto. Gjetkë doja të dilja me atë përrallën që tregonte për parajsën. Më janë fiksuar në mendje detaje të tilla: ngado që shkoje, në çdo rrugë e rrugicë, nëpër pemë e nëpër gardhe, në dyer e nëpër shkallë, kudo, vareshin sallamra, kremviçe, copëra djathrash nga më të mirët, karamale, llokume e lloj-lloj ëmbëlsirash të tjera. Ty nuk të mbetej gjë tjetër veç të zgjatje dorën e t’i merrje…Hajde fantazi, hajde!
Dhe ja tani, kalojmë nga ajo përralla me parajsë, tek një “parajsë” tjetër e vërtetë, nëse për ta klasifikuar si të tillë një vend do të nisemi nga kriteri që përmëndëm më sipër, pra, që të kesh për të ngrënë e për të pirë ku të duash, sa të duash e çfar të duash, qysh kur çohesh në mëngjez e deri sa të të rëndohen sytë për gjumë pas mesnate. Dhe, mos pandehni se është fjala vetëm për të shkuar në sallën e restorantit apo të ndonjë lokali tjetër. Jo! E thashë edhe një herë: kudo, edhe pa dalë nga dhoma e gjumit, tek ecën në rrugë , në rërë ndërsa shullëhesh në diell, madje edhe në ujë brenda tek po noton apo je shtrirë mbi ndonjë dyshek gome…Po e them pa e tepëruar se realiteti që provova për një javë në Punta Kana, një risort modern buzë detit në bregun lindor të Republikës Domenikane, ia kalonte dhe atyre përshkrimeve të përrallës që u tregova më lart. Po të mos e kisha përjetuar vetë atë mrekulli, si zor se do ta besoja po të ma tregonin të tjerët.
Jam i vetëdijshëm se dhe me këtë habi apo mbresa entusiaste që po shpreh, unë nuk po dal prapë nga vetja. E di se për shumë e shumë të tjerë, jo vetëm këtu në Amerikë por dhe në Shqipëri, resorte të tilla si ky që po rrëfej unë nuk janë të panjohur. Madje, në Shqipëri, një dorë e mirë politikanësh e biznesmenësh, mbase e kanë mënyrë jetese të zakonshme ngrënie-pirjen e pakufizuar, në kohë e hapësirë. (Nuk është fjala për në shtëpinë e tyre, se, shyqyr Zotit, dhe mua tashmë nuk më mungon gjë). Megjithatë, unë do të vazhdoj të tregoj për “parajsën” time, që e shijova, për fat të keq, vetëm një javë. Ma do mëndja se nuk jam i vetëm që mbrekullohem nga “parajsa” të tilla tokësore.
Mbase nuk gaboj po të them se shpesh, shumë njerëz, kur planifikojnë pushimet, kanë parasysh, në mos motiv kryesor edhe kuzhinën, ushqimin, të ngrënët, atë që mund ta quajmë turizmi gastronomik. Jo rastësisht, në kanalin “Travel”, të SHBA-së, ka një rubrikë të posaçme për ushqimin e gatimin, në vende të ndryshme të botës. Sidoqoftë, unë këto mbresa personale i fokusova në këtë dimension, dhe jo pa qëllim. Të tjerat i gjen përmes një klikimi në Internet, me lehtësinë më të madhe ndaj dhem për të mos u zgjatur, nuk do ndalem në to.

 

1. Udhëtimi i parë në “parajsën” tokësore: Resorti “Dream” ( Maj 2008 )

Ishim me pushime pra, në resortin “Dream”, në Punta Kana të Republikës Dominikane. Për resorte të tilla kisha lexuar e kisha parë jo vetëm reklama turistike por dhe episode filmash, ku “Daj Samët” amerikanë shkonin nëpër këto “republika të bananave” dhe jetonin si mbretër. Por, e përsëris: ndryshe ta lexosh në libër apo ta shikosh në ekran dhe ndryshe ta përjetosh apo ta shijosh vetë.
Në fillim u nisa thjesht për të njohur një vend të Amerikës Latine, apo të zonës së Karaibeve, ndonëse ata që ma sugjeruan më përgatitën shpirtërisht për shumë më tepër se kaq.
E veçanta filloi që në aeroportin e Punta Kanës me ndërtesat e mbuluara me kallam e me kashtë, si kasollet e Myzeqesë tek ne. Sapo hyje në aeroport, dy vajza të reja e të bukura, veshur me kostumet karakteristike të vendit, të uronin mirëseardhjen duke të buzëqeshur, ndërkohë që fotografi po shkrepte aparatin pak më tej.
Hyjmë në aeroport për procedurat e zakonshme që ndonjëherë të plasin shpirtin. Një grup muzikantësh me sombrerot e mëdha “alla meksikane”, këndonin e u binin veglave tërë pasion e, sikur të detyronin që të futje dorën në xhep e të hidhje diçka në kutinë që kishin vënë aty pranë, edhe sikur të mos e kishe fare në plan një gjë të tillë.
Nisemi për në resort. Akoma nuk po binte erë “parajsa” e premtuar.
Një parantezë e vogël: Para se të nisesha, e bisedova këtë udhëtim turistik me dy koleget e mija të punës që janë me orgjinë nga Republika Dominikane, me Mairën dhe Rosën. Pas urimeve të zakonshme, për raste të tilla, që të dyja, duke ndryshuar në fytyrë, si me dhimbje, shtuan: “Ju do të kënaqeni në risorte, por jashtë tyre do të përballeni me një realitet tjetër, krejt të ndryshëm nga ai, me një kontrast të madh…”. Më theri në zemër pohimi i tyre…Lexuesi e kupton menjëherë sepse: m’u kujtua vendi im hallemadh…Por, le të vazhdojmë kronikën që nisëm.
Rruga nga aeroporti për tek risorti qe e asfaltuar, por tërë gropa sa që vetëm mjeshtëria e shkathësia e rrallë e shoferit, Karlos, që na mori, bëri që të mos na dilnin zorrët përjashta, për të thënë më të paktën e mundëshme. Përballemi apo edhe parakalojmë makina të llojeve e markave të ndryshme, të vjetra e të reja, por dhe me kafshë e qerre. Tromaksemi e sa s’na pushoi zemra kur shohim një çift në një motor, jo vetëm pa kaskat mbrojtëse, por, gruaja po mbante në duar një bebe të vogël. Mjaftonte një frenim apo një rrëshqitje sado e lehtë, që të ndodhte tragjedia…( Kujtoni Amerikën ku fëmijët nuk lejohen edhe në makinë brenda të pasiguruar me rrip apo me karrige të posaçme). Anash rrugëve, dyqane të vogla, me tabelat e shkruara keq, me hekura mbrojtës të shëmtuar…Besomëni se po të më merrnin sy mbyllur e të më çonin diku atje; të m’i hapnin sytë e të më pyesnin se ku ndodhesha, pa e vrarë mëndjen fare, do të përgjigjesha pa hezitim: “Diku midis Lushnjës e Fierit”. Jo vetëm nga rrugët e dyqanet por edhe nga gjithçka tjetër. Po ata njerëz si të tharë në tym, të parrojtur e të veshur keq; që presin kryqëzimeve për makina; që i luten shoferit për t’i marrë e që tepër të kënaqur kërcejnë sipër në karroceri…Unë mbase nuk jam i saktë kur bëj një analogji të tillë, se, me ç’më kanë thënë apo dhe nga sa jam informuar nga media, dhe në Shqipëri nuk është më ajo gjendje si dikur…Nga të dy anët e rrugëve janë ndërtuar vila të bukura që mund t’i kishte zili secili nga ne. Dhe këtu, tek jemi duke shkuar në risortin e Punta Kanës, krahas shtëpive pocaqi shohim herë pas here dhe vila madhështore që kontrastonin tmerrësisht me mjedisin përreth.
Ja dhe risorti i shumëpritur. Rrethuar me mure dhe me rojet tek porta, ai më la përshtypjen e një reparti ushtarak, të ndonjë baze amerikane, siç na i kishin paraqitur dikur në dokumentarët që “demaskonin” Imperializmin e përtej oqeanit. U hap një derë e madhe që u mbyll përsëri sapo hymë. Do të kalonin vetëm pak sekonda dhe përjetimi i një “detyrimi ushtarak” do të shuhej e vendin e tij do e zinte kënaqësia e pushimeve të jashtzaknshme: Një kamariere e re, simpatike, duke të buzëqeshur, nuk pret sa të regjistrohesh por të afron një tabaka me gota shampanje për të të uruar mirëseardhjen. Pikërisht, përmes asaj porte, ne kaluam njëkohësisht edhe nga “ferri” që lamë pas tek “parajsa” e shumëpritur.
Buzëqeshja e kamarieres qe një refren që do të përsërritej tek të gjithë punonjësit që do të na shërbenin aty: tepër të dashur e të gatshëm për çdo gjë. Edhe pse gjithçka përfshihej në pagesën që kishim bërë, për respekt, mirësjellje, pse jo dhe për keqardhje, ne iu jepnim ndonjë tip për çdo shërbim.
Kjo qe vizita e parë në Punta Kana që na hapi oreksin për tu rithyer aty përsëri.

 

2. Udhëtimi i dytë: Resorti “Majestic Colonial” ( Prill 2012 )

Risortet atje nuk kanë shumë ndryshim nga njeri tjetri. E keqja e këtij udhëtimi të dytë qe se më mungonte partneri, im-dhëndër Tani, në të pirë e në të ngrënë. Duhet të luftoja në të dyja “frontet” me forcat e mija. Isha vetëm me time shoqe, Kostandinën, “armike” e të ngrënit me bollëk dhe sidomos e pijeve alkolike. Më duhet ta përballoja tërë atë mrekulli me një “opozitë” të fortë. Megjithatë, jeta na ka mësuar edhe hiletë e nevojshme për të përballuar situata të tilla. Por, për hir të së vërtetës duhet të pranoj se e pagova shtrenjt: u shëndosha aq shumë sa mezi lidhja e zgjidhja këpucët. “Jo, nuk do të vij më kurrë këtu! Edhe sikur të kem ndonjë ofertë falas!” u betova dhe nuk po bëj shaka. E pamundur t’i rezistosh tërë atyre ushqimeve e pijeve. Edhe në Bibël thuhet, në fund të lutjes së përditëshme: “:…dhe mos më shtjer në ngasje…”.Ndaj, për të mos rënë në ngasje, më mirë nuk po shkoj fare dhe pikë! ( “Vuajtje e tortura të tilla paç përherë!” mund të më uronte/mallkonte dikush, me apo pa të drejtë).
Por…kurrë mos thuaj kurrë. Kjo do të ndodhte dhe me Punta Kanën. Pa më pyetur mua, ime shoqe prenotoi një udhëtim tjetër në këtë vend të bekuar dhe nuk gjeta forca për ta kundërshtuar. Me ne u bashkuan dhe çifti Koila, Beni dhe Dafina.

 

3. Udhëtimi i tretë: Resorti “Majestic Elegance” Maj 2016

Ka plot gjëra të përbashkëta me dy udhëtimet e mëparshme por dhe shumë ndryshime. Aeroporti nuk është më i mbuluar me gjethe palmash e i hapur, si dikur, por i stilit modern, njëlloj si aeroportet e tjera. Ka humbur apo ka fituar? Do të thosha : të dyja bashkë, modernia përherë e “vret” traditën, sado tërheqëse qoftë ajo. Edhe rrugët nuk janë më ato duke kapur standartet bashkëkohore. Shoferi ynë i mikrobuzit, Francesko, turret me shpejtësi drejt risortit, pa shqetësimet e dikurshme të Karlos.
Njerëzit janë po aq të dashur e të gatshëm për çdo shërbim, por…diçka ka ndryshuar edhe tek ata: tashmë janë familjarizuar me bakshishet dhe po të mos ua jepje, s’iu vinte mirë, ndjenin boshllëk. Madje një nga menaxheret që na dha sqarimet e rastit, si pa të keq, edhe na porositi se si e kur t’ua jepnim. Bota lëviz në çdo drejtim.
Ushqime e pije si përherë por, tani, “frenat” i përdorim përherë e më shpesh. Beni nuk ma prish, më shoqëron në çdo gotë që kthej, disa herë edhe kundër dëshirës së vet. “Sakrifikon” për mua dhe i jam mirënjohës edhe pse i uroj që të tilla “sakrifica” paçim gjithmonë për njeri tjetrin. Shpresoj që të tjera “parajsa” si këto do na i krijojnë mundësitë për ‘sakrifica” të reja në të ardhmen.

Please follow and like us: