Albspirit

Media/News/Publishing

Në vitin 2015 u larguan nga shërbimi 739 nëpunës civilë

largimet nga punaSipas raportit të depozituar në Kuvend, nga 739 nëpunës civilë të larguar, 423 prej tyre janë larguar nëpërmjet aktit të “dorëheqjes”. Raportohen se për këtë vit janë marrë 329 masa disiplinore

Miratimi i ligjit të ri “Për Statusin e Nëpunësit Civil” para 3 vitesh nuk ka sjellë efektet e duhura për garancitë e qëndrueshmërisë së administratës publike, sa i përket pjesës së punonjësve që zotërojnë status të Nëpunësit Civil. Kjo pasi gati 3 vite pas miratimit të këtij ligji, lëvizjet e nëpunësve me status nuk kanë qenë të vështira, gjë që e vërteton edhe vetë raporti vjetor i Departamentit të Administratës Publike për vitin 2015 dhe i paraqitur në Kuvend. Kështu, sipas të dhënave që ofron ky raport, gjatë vitit të shkuar janë larguar nga shërbimi civil gjithsej 739 nëpunës civilë ose thënë ndryshe afro 10 për qind e të gjithë nëpunësve civilë. Sipas këtij raporti, arsyet apo shkaqet e largimit janë të ndryshme, por mbizotëron akti i “dorëheqjes”. Më konkretisht, rezulton se 423 nëpunës civilë janë “dorëhequr”, 167 nëpunës civilë kanë dalë në pension, 97 janë larguar për shkak të masës disiplinore ‘largim nga shërbimi civil’, 39 nëpunës civilë janë larguar si pasojë e dy vlerësimeve të njëpasnjëshme negative dhe 13 janë larguar pasi janë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Masat disiplinore

Gjatë vitit 2015 janë dhënë gjithsej 329 masa disiplinore. Në krahasim me vitin 2014, vihet re që numri i masave disiplinore është më i vogël. Konstatohet një ulje e numrit të masave disiplinore ‘largim nga shërbimi civil’ dhe vërejtje nga eprori direkt, dhe një rritje e numrit të masave disiplinore mbajtje deri në 1/3 e pagës për një periudhë deri në 6 muaj, si dhe pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë deri në dy vjet, përfshirë rritjen në shkallën e pagës. Dhe më konkretisht për 97 nëpunës është marrë masa e largimit nga shërbimi civil (vendim i komisionit disiplinor), për 172 nëpunës të tjerë është marrë masa e mbajtja deri në 1/3 e pagës për një periudhë deri në 6 muaj (vendim i komisionit disiplinor), për 33 masa e pezullim deri në 2 vjet, nga e drejta e ngritjes në detyrë, përfshirë rritjen në shkallën e pagës (vendim i komisionit disiplinor) dhe për 27 raste vërejtje nga eprori direkt. Përsa u përket çështjeve gjyqësore, gjatë vitit 2015 DAP ka marrë pjesë në 116 të tilla dhe nga to të fituara nga DAP në shkallë të parë janë 47, të humbura në shkallë të parë 7, në proces ankimimi në Gjykatë të Lartë 44, të humbura në Apel 22 dhe në disa raste të tjera janë pushuar paditë. Ndërkohë janë zbatuar gjithsej 24 vendime gjyqësore të formës së prerë, për të cilat Departamenti i Administratës Publike ka nxjerrë aktin e emërimit të nëpunësve civilë.

Rekrutimi

Bazuar në nenin 18, të ligjit nr. 152/2013, të ndryshuar, administrimi i shërbimit civil bazohet në planin vjetor të pranimit, i cili, për institucionet e administratës shtetërore, miratohet nga Këshilli i Ministrave brenda muajit shkurt të çdo viti. Në zbatim të këtij detyrimi ligjor në periudhën tetor – dhjetor të vitit 2014, Departamenti i Administratës Publike kërkoi dhe mblodhi nga të gjitha ministritë e linjës dhe Kryeministria, nevojat për rekrutim për secilin sistem, për vitin 2015, bazuar kjo në: Vendet realisht vakante në momentin e planifikimit të nevojave për rekrutim; mbushjen e moshës së pensionit të nëpunësve civilë; parashikimin e vendeve të reja në shërbimin civil, si pasojë e planifikimit për ndryshime të strukturave dhe organikave të institucioneve dhe ecurinë e krijimit të vendeve vakante në shërbimin civil për arsye të tjera. Pas grumbullimit të nevojave për rekrutim në total gjatë vitit 2015 u shpallën 1005 pozicione vakante (që përfaqësojnë 552 procedura konkurrimi), ose 9.2% pozicione më shumë nga planifikimi, për shkak të mobilitetit brenda shërbimit civil. Ndërkohë që numri total i aplikantëve për të gjitha procedurat e lëvizjes paralele, pranimit nga jashtë shërbimit civil dhe ngritjes në detyrë gjatë vitit 2015, ishte rreth 20.000. Nga numri total i aplikantëve, 11.000 prej tyre ose 55% e numrit total të aplikantëve, u kualifikuan për të vazhduar në fazën e dytë të vlerësimit, pra mesatarisht 11 aplikantë për një pozicion pune. Në përfundim të procedurave të konkurrimit, për 1005 pozicione vakante, rezultuan fitues 695 kandidatë, nga të cilët 555 në kategorinë ekzekutive dhe 140 në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese. Ndër ndryshimet e bëra në ligjin nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, ishte edhe dhënia e mundësisë që në raste të veçanta për pozicione të kategorisë së ulët apo të mesme drejtuese, të konkurronin edhe kandidatë nga jashtë sistemit të shërbimit civil. Si rezultat, përsa i përket zbatimit të procedurës së plotësimit të pozicioneve të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese edhe me kandidatë nga jashtë sistemit të shërbimit civil, në përfundim të të gjitha procedurave të konkurrimit dhe emërimit për këto kategori: Nga 115 emërime në kategorinë e ulët drejtuese, 18 prej tyre ishin kandidatë nga jashtë shërbimit civil dhe nga 32 emërime në kategorinë e mesme drejtuese, 7 prej tyre ishin kandidatë nga jashtë sistemit të shërbimit civil.

 

Në 2017, pagat e nëpunësve civilë sipas sistemit të ri të vlerësimit

Gjatë vitit 2015, puna në fushën e pagave është përqendruar në drejtim të zbatimit të detyrimit ligjor për përgatitjen e projektakteve për Këshillin e Ministrave, për miratimin e pagave të nëpunësve/punonjësve të institucioneve të administratës publike. Në këtë kuadër janë përgatitur dhe më pas miratuar nga Këshilli i Ministrave disa vendime që synojnë të arrijnë një reformë të pagave për nëpunësit civil. Ndërkohë, do të theksonim se ndër ndryshimet e rëndësishme të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil” është edhe ndryshimi i strukturës së pagave të nëpunësve civilë. Sipas nenit 34 të këtij ligji, paga e nëpunësit civil duhet të përbëhet nga elementet si vijon: a) paga bazë e kategorisë; b) shtesa për klasën, së cilës i përket pozicioni i punës; c) shtesa për kushte pune. Gjithashtu, për çdo klasë të pagës duhet të zbatohen disa hapa në rendin rritës, mbi bazën e: d) vjetërsisë në shërbimin civil; e) rezultateve të vlerësimit të punës; f) përfundimit me sukses të veprimtarive të formimit profesional për çdo hap të pagës.

Për të vënë në funksionim strukturën e re të pagave si më sipër, DAP thekson se kërkohet një studim i thelluar i sistemit që do të përfshijë: Analizën e elementeve dhe niveleve aktuale të pagave dhe kalimin nga sistemi aktual i pagave në sistemin e ri të miratuar me ligjin nr. 152/2013, të ndryshuar; klasifikimin e pozicioneve të shërbimit civil, për të përcaktuar qartësisht se cilës klasë i përket çdo pozicion; përcaktimi i veprimtarive të detyrueshme që duhet të merren në konsideratë për rritjen në hapat e pagës; përcaktimin e numrit të hapave të pagës për çdo klasë; llogaritjen e kostos për kalimin e sistemit aktual të pagave në sistemin e ri të pagave.

Kjo reformë është përfshirë edhe në Strategjinë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike, 2015–2020, si një ndër aktivitetet e saj të rëndësishme, duke përcaktuar edhe afatin për realizimin e studimit në periudhën 2017–2018. Gjithashtu, për të realizuar këtë reformë, Departamenti i Administratës Publike ka filluar punën gjatë fundit të vitit 2015, (punë e cila do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2016), në mënyrë që të mund të sigurohet asistenca e nevojshme teknike për realizimin e studimit.

 

0.3 për qind e nëpunësve të administratës janë funksionarë politikë

Nga afro 90 mijë nëpunës të të gjitha kategorive që ka administrata shtetërore, 0.3 për qind e tyre janë funksionarë politikë. Këtë fakt e bën të ditur Departamenti i Administratës Publike në raportin vjetor të vitit 2015, ku deklaron se në totalin e punonjësve të administratës shtetërore, 0.3% janë nëpunës me statusin e funksionarëve politikë. Këta, në rolin e drejtuesve politikë dhe të këshilltarëve. Ndërkohë që 9.8% e tyre janë nëpunës me statusin e nëpunësve civilë dhe 89.9% janë nëpunës me statuse të tjera (kod pune, arsimtarë, ushtarakë të forcave të armatosura, punonjës me statusin e policisë së shtetit, mjekë dhe infermierë etj). Në totalin e pozicioneve të punës që përfshihen në legjislacionin e nëpunësit civil, 1.3% janë pozicione të kategorisë së lartë drejtuese, 4.1% janë pozicione të nivelit të mesëm drejtues, 21.4% janë pozicione të nivelit të ulët drejtues dhe 73.1% janë pozicione të nivelit ekzekutiv (specialistë).

 

Please follow and like us: