Albspirit

Media/News/Publishing

Rama sulmon ashpër gjyqtarin që pezulloi Çakon: Ky killer me pagesë ka liruar nga burgu 7 persona

Pas ministrit të Brendshëm, Samir Tahiri së fundi edhe kryeministri Rama ka sulmuar akoma më ashpër gjyqtarin Arjan Aliaj që dha vendimin për pezullimin e drejtorit të Policisë, Haki Cako. Rama e quan “killer me pagesë” gjyqtarin Aliaj, për të cilin thotë se ka liruar nga burgu të paktën 7 njerëz të dënuar për vepra të rënda penale. Më poshtë reagimi i plotë i Ramës:

Kush është gjykatësi që vendosi pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë? Një personazh aq thellë i zhytur në kënetën e sistemit të drejtësisë sa vetë Këshili i Lartë i Kënetës e ka shkarkuar për korrupsion dhe mospërmbushje të detyrës!

Ky killer me pagesë apo me flamur partie i drejtësisë ka liruar nga burgu të paktën 7 herë njerëz të dënuar për vepra të rënda penale; vrasje, përdhunime, grabitje me armë… Po si mundi të kthehet në detyrë ky lloj personazhi që me vendimet e tij kriminale arriti të vërë në pozitë të vështirë edhe vetë sistemin e korruptuar të drejtësisë?! Kujt i duhej rikthimi nga i ndëshkuar në gjykatës i këtij shkelësi profesionist të ligjit, që ka dhënë të paktën 7 prova se çekiçin e drejtësisë e përdor për t’i shtypur kokën drejtësisë?

Thjeshtësisht e hidhur është përgjigja: Ky derdimen pa din e as iman e rimori çekiçin në dorë sepse u duhej atyre që sot nuk e duan Reformën në Drejtësi, për të shtypur drejtësinë për hesap të interesave të tyre!

Please follow and like us: