Albspirit

Media/News/Publishing

Gjykatësi komenton presionin e Ramës: Kam ruajtur gjykatën me mitraloz në 97!

Fyerjet, denigrimi, sharjet dhe akuzat që artikuloi Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm duket se nuk merren aq seriozisht nga njerëzit e drejtësisë, të mësuar me reagimin e njerëzve që akuzohen për krime. I pyetur nga gazetarët se a ndjehet nën presion për çështjen e skandalit të përgjimeve, Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hysni Demiri thotë se nuk e imagjinon dot si mund t’i bëjë presion dikush.

“Unë jam gjyqtari që kam fjetur 97 ditë me mitraloz në gjykatën e Gjirokastrës në 97 dhe nuk e kuptoj si mund t’i bëhet presion Hysni Demirit” u shpreh gjykatësi duke folur në vetën e tretë për veten.

“Ju e keni anatemuar edhe në televizor figurën time, është puna juaj, por gjyqtarët që kanë një stash të gjatë, kanë bërë një përzgjedhje shumë të shkëlqyer. Nëse politikë në Republikën e Shqipërisë, kjo trileçja që i thëm unë, e ëmbël, PD, PS, LSI ngërthehen me njëra tjetrën, zbërthehen, krijojnë lobe, ne jemi lidh me gjënë më të fortë që ka planeti. Me ligjin dhe duke qenë se ne zbatojmë vetëm ligjin, nuk kemi asnjë lloj frikë. Gjyqësori në çdo vend të botës konsiderohet si dhëmbët e hekurt të një shtetit. Shteti vetë përpiqet t’i dobësojë dhëmbët e tij. Atëherë kush fiton? Krimi dhe vetëm krimi!”ishte përgjigja e Hysni Demirit për presionet e qeverisë. Në gjykatën e Apelit pritet të merret vendim për pezullimin e Haki Çakos, një proçedurë që duket se do të zgjasë disa muaj për shak të ngarkesës që kanë gjyqtarët.

Please follow and like us: