Albspirit

Media/News/Publishing

Pezullimi i Çakos – Gjykata e Tiranës i përgjigjet Tahirit: Pse u ndryshua gjyqtari i planifikuar

Gjykata e Tiranës iu kundërpërgjigj akuzave të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, sipas të cilit gjyqtari Arjan Aliaj mori vendimin për drejtorin e Policisë, duke mos qenë gjyqtar i gatshëm.

Por, Gjykata e Tiranës thekson se në bazë të ligjit kërkesat penale gjatë hetimeve paraprake nuk i nënshtrohen shortit por gjykohen nga gjyqtari i gatshëm i caktuar me Urdhër të Kryetarit të Gjykatës sipas planifikimit.

“Edhe masat e sigurimit te dhëna nga gjyqtari A.Aliaj me datë 06.06.2016 ndaj shtetasve H. Çako, A. Duka dhe E. Xhelilaj në aspektin procedurial klasifikohen si kërkesa penale të paraqitura nga Prokuroria gjatë fazës së hetimeve paraprake”, thuhet në njoftim.

Ashtu sikurse deklaroi Tahiri, edhe Gjykata e Tiranës thekson se gjyqtari i planifikuar për të zhvilluar masat e sigurimit për datën 06.06.2016 ka qenë Adriatik Bocaj.

“Por në mëngjesin e datës 06.06.2016 ora 08.15 min gjyqtari Adriatik Bocaj ka paraqitur një kërkesë drejtuar Kryetarit të Gjykatës ku kërkonte përjashtimin nga masat e sigurimit për arsye serioze shëndetësore të familjarit të tij. Ky gjyqtar ka venë në dijeni me shkrim Kryetarin e Gjykatës për pamundësinë për të qenë prezent në detyrë për shkak se duhet të ishte prezent në ndërhyrjen kirurgjikale në kokë të vëllait të tij dhe planifikonte që të mos jetë në gjykatë edhe në datat 07 dhe 08 Qershor”,thuhet në reagim.

Gjykata e Tiranës sqaron se në përputhje me ligjin dhe kompetencat, kryetari i Gjykatës ka zëvendësuar gjyqtarin Bocaj dhe gjyqtarin Arjan Aliaj dhe se arsyet e zëvendësimit janë dhënë në urdhrin Nr. 8406 dt. 06.06.2016.

“Theksojmë se ky zëvendësim i bërë brenda të gjithë kompetencave dhe detyrimeve që ligji i ngarkon Kryetarit të Gjykatës është bërë përpara se të paraqiteshin kërkesat e Prokurorisë për masat e sigurimit për punonjësit e policisë të paraqitura disa orë më vonë”, thuhet më tej.

Please follow and like us: