Albspirit

Media/News/Publishing

Pse e mashtroi tifozerinë korçare presidenti Ardjan Takaj

Pse e mashtroi tifozerinë korçare presidenti Ardjan Takaj

Skuadra e Skënderbeut, prej dy javësh është përfshirë në skandalin e trukimeve. Ka qenë citynews që ka zbardhur e para akuzat e UEFA-s ndaj Skënderbeut, të përgatitura  sipas një raporti 72 faqesh. Për këtë raport, Skënderbeu është vënë në dijeni disa ditë përpara fundit të kampionatit, kur titulli ishte ende në lojë.

Burime zyrtare dhe të mirë konfirmuara i thanë citynews në atë kohë se Skënderbeu është përfshirë në akuza të ashpra trukimesh. Korçarët e Skënderbeut, në fund u dënuan nga UEFA me një vit përjashtim dhe një gjobë të majme, e cila ishte vërtetimi i skandalit se presidenti Ardjan Takaj dhe stafi i klubit për disa ditë mashtruan në mënyrë sistematike opinionin publik dhe tifozerinë korçare.

Presidenti Takaj pranoi hetimin 24 orë pas denoncimit të citynews.al, ndërkohë që hetimi dhe dijenia për akuzat ishin të hershme, por presidenti i ka fshehur për të shmangur reagimin e tifozerisë korçare sepse akuzat, në çdo rast, janë përgjegjësi e drejtuesve të klubit.

Presidenti  Takaj fshehu akuzat dhe me vonesë, në mënyrë të qëllimshme, duke krijuar një frymë përçarëse në sportin shqiptar, ai akuzoi kundërshtarët e kampionatit dhe shkarazi foli për ndeshjet e Chapmions League. Ai nuk tha as një lajm mbi të vërtetën sportdashësve korçar. Nuk i tregoi sa ishte raporti, gjoba, çfarë hetimi ishte kryer dhe për faj të kujt.

Gjithçka u bë publike vetëm pas insistimit të citynews disa ditë më parë, kur erdhi edhe vendimi final i UEFA-s, që fatkeqësisht e dënonte Skënderbeun me një masë përjashtimi 1 vjeçar. Por, Takaj nuk mundi ta mbante të fshehtë, ashtu sikundër mbajti hetimin dhe dënimin për disa kohë.

Për disa ditë rresht, ai fshehu të vërtetën. Nuk i jepte opinionit publik asnjë sqarim, megjithëse kishte gjithçka në dorë. Sot ai dhe stafi i tij qurraviten nëse mediat thonë diçka më shumë.

Së pari, që të ketë moral, një njeri i akuzuar për shitblerje dhe trukime, minimalisht duhet të sqaronte dhe të ndante të vërtetën me tifozët, gjë të cilën nuk e bëri, por thjesht luajti me disa deklarata manipulative.

Ajo që mund të thuhet si një e vërtetë e madhe është një fakt: cili është ai tifoz i vetëm korçar që në këto 4 vite të drejtimit të Takaj, nuk ka folur njëherë të vetme dhe të mos ketë akuzuar për trukime apo rezultate të manipuluar.

Ndjesa për këtë ankth dhe rrëmujë të shkaktuar prej drejtuesve të klubit, do të ishte minimumi që duhej të bëhej, jo sot, por disa ditë më parë. Ndjesë e shoqëruar me sqarim, e cila në fakt nuk ndodhi kurrë.

Sot, pas gati 3 javë  ankth, tension dhe pritje, presidenti Takaj kërkon të justifikohet me vendimin e KAS. Të gjithë shpresojnë që KAS të mos dënojë Skënderbeun. Por i vetmi i dënuar është Takaj, i cili ka njollën e turpit jo vetëm të akuzave të qytetarëve por edhe të UEFA-s.

Sot, pas gati 3 javësh, ende qytetarët korçarë nuk kanë mundur të shohin një të vërtetë, atë të akuzave nga UEFA. Sepse Takaj, si një frikacak i ka fshehur të gjitha akuzat, qofshin këto edhe të pabaza. Një njeri i moralshëm do ti bënte publike. Vetëm një frikacak dhe manipulator kërkon ti largohet të vërtetës.

Edhe një herë, shpresojmë dhe urojmë që Skënderbeu të mos dënohet, jo për një president të akuzuar, por për nderin dhe respektin e tifozëve, sepse presidenti, ndoshta e ka vendin diku tjetër dhe jo në drejtimin e ekipit.

Tifozët të mos e presin vendimin me gjaknxehtësi, por të kërkojnë të vërtetën dhe ti kërkojnë llogari zyrtarisht ekipit për gjithçka ka ndodhur sepse janë këta tifozë që kanë dalë nga stadiumi me kokë ulur dhe kanë akuzuar në jo pak raste dhe kanë akuzuar ekipin për rezultatet./ citynews

Please follow and like us: