Albspirit

Media/News/Publishing

Si “u zhduk” pajisja italiane e përgjimit

Më 13 maj të këtij viti, fuoristrada tip BMW me targa italiane, me pajisjen e përgjimit të instaluar në brendësi të saj, doli nga Drejtoria e Përgjitshme e Policisë së Shtetit. Libri i hyrje –daljeve në ambientet e Forcës Operacionale shënoi orën 12.10 kur mjeti u largua nën drejtimin e specialistit të Forcës Operacionale, Entiol Xhelilaj. Në të njëjtën orë, dy Oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës gjendeshin në katet e sipërme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me një mandat për ta sekuestruar pajisjen e përgjimit, pasi ajo ishte futur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri e po ashtu dyshohej se ishte përdorur në mënyrë të paligjshme për të kryer përgjime. 10 minuta pasi ata kishin hyrë në zyrat e selisë së Policisë së Shtetit, mjeti u largua fshehurazi tyre. Prej asaj ore, BMW –ja e Interforcës italiane nuk u kthye më aty ku kishte qëndruar në pjesën më të madhe të kohës, që prej futjes së saj në Shqipëri, më 11 mars të këtij viti. “Automjeti në periudhën para kësaj date (12 maj) rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambjenteve të Forcës Policore Operacionale”, shënuan prokruorët në dosjen hetimore. Një e dhënë kjo që përgënjeshtron shefin e policisë italiane, Alessandro Pansa, i larguar nga detyra si për koincidencë ditët kur në Shqipëri shpërtheu skandali i pajisjes së përgjimit, me një vendim që ishte marrë në prill të këtij viti nga qeveria italiane, pak javë pasi pajisja kishte hyrë në Shqipëri dhe ishte zbuluar nga Shërbimet Sekrete shqiptare. Pansa, me një shpjegim të pakërkuar, i drejtohej kryeprokurorit Adriatik Llalla për t’i shpjeguar si dhe përse u soll pajisja e përgjimit në Shqipëri. Ai e garantonte se ajo kishte qenë gjatë gjithë kohës në duart të italianëve dhe kur nuk përdorej, mbahej në territorin e ambasadës italiane ku i ka zyrat misioni Interforce. Por prokuroria thotë se pajisja jo vetëm ka qëndruar edhe në ambiente të tjera jashtë ambasadës, si në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë apo edhe në Drejtorinë e Burgjeve, por ajo është përdorur për përgjime, me një mekanizëm që manipulon valët e antenave celulare. Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar zyrtarisht misionit Inteforce ta dorëzojë pajisjen, në bazë të ligjeve shqiptare. Ajo i ka garantuar autoritetet italiane se Dy specialistët e policisë italiane që e kanë futur atë në Shqipëri nuk janë pjesë e hetimit, sipas marrëveshjes së vitit 2007 që u garanton atyre imunitet. Por Interforce ka refuzuar. Pajisja e përgjimit është copëza që i mungon “puzzle-it” hetimor. Sekuestrimi i saj është tashmë misioni kryesor i prokurorisë. Ajo nuk ka dalë jashtë Shqipërisë. Mjeti BMW nuk figuron i regjistruar në dalje në asnjë nga pikat doganore shqiptare dhe pajisja nuk mund të çmontohet prej saj. Referuar të dhënave të ish –shefit të policisë italiane, Pansa, ajo duhet të gjendet në ambientet e ambasadës italiane, pranë zyrave të misionit Interforce. Burime të besueshme thanë për Lapsi.al se shefi i këtij misioni, Michele Grillo, i përfolur si i përfshirë drejtpërdrejtë në këtë skandal, i ka humbur kontaktet me autoritetet shqiptare. Prokuroria shqiptare nuk ka autoritet të kontrollojë në mjediset e ambasadës. Por hyrje – daljet nga selia diplomatike në rrugën “Papa Gjon Pali II” po mbahen nën vëzhgim. Referuar hetimeve të kryera, prokuroria ka zbuluar se pajisja është përdorur për të përgjuar, jashtë misionit trajnues që ajo ka patur. Hetimet pritet të zbulojnë edhe personat që kanë qenë nën përgjim. Të paktën në dy raste makina me pajisjen e instaluar ka qenë në dorë të specialistit të Forcës Operacionale, Entiol Xhelilaj, i cili tashmë gjendet në gjendje arresti, me vendim të gjykatës. Shefi i tij, Artion Duka, është gjithashtu në arrest shtëpie. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki çako, është i pezulluar nga detyra me vendim gjykate. Prokuroria e Tiranës, veç urdhërit për sekuestrimin e pajisjes po i vijon hetimet, psi dyshon se “pas veprimeve të kundërligjshme të përgjimit, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë”. Hetimet nuk përjashtojë arrestime, në nivele të larta. Prokuroria dhe SHISH kanë deklaruar se pajisja ka cënuar sigurinë kombëtare.

 

Please follow and like us: