Albspirit

Media/News/Publishing

Livres d’artiste, grafikat socialiste dhe simbolet e varreve

maksi2Një rast unik në Shqipëri, piktori Maks Velo me “livre d’artist”, nga përvoja franceze në Tiranë, me librin e shtypur me dorë, përballë studentëve të UET  rrëfen ditarin e imazhit, dhe simbolet misterioze në varrezat e Vuksanlekajt. Para studentëve, Velo ka sjellë “librarinë” e tij të realizuar në Francë, duke rrëfyer këtë marrëdhënie, se si ofrohet kjo për lexuesin. Ndërsa Universiteti Europian i Tiranës i ka ofruar Velos bashkëpunim, duke i propozuar realizimin e librave falas në laboratorin e grafikës në UET

Pak ditë më parë, piktori Maks Velo në një bisedë në promovimin e librit të tij me poezi “Tapeti im i kuq”, shoqëruar me vizatime, tha se shenjat që lexonte tek njeriu primitiv, figura që i ka lënë më shumë gjurmë e shpëtoi nga realizmi socialist. Ka një alkimi imazhi se si ky piktor ka mbijetuar për të perceptuar etnosin në një gjendje të kulluar.

Për ta ndarë këtë përvojë, Velo është treguar i gatshëm që të jetë pjesë e projektit të studentëve të grafikës në Universitetin Europian të Tiranës, të cilët janë në procesin e diplomimit. I ndodhur në laboratin e ateliesë së pikturës në UET, Velo ka vendosur përballë studentëve një raport bisede për të angazhuar jo vetëm si artist por dhe zëra që kontribuojnë në trashëgimi, dhe që krijojnë një imazh model të edukimit sa i takon pronësisë intelektuale. Kështu Velo ka prezantuar katër çështje mjaft interesante që lidhen jo vetëm me përvojat e reja, por dhe me raportet e interpretimit.

Katër temat që ka paraqitur lidheshin me:

1-Livre d’artist, një rast unik në Shqipëri, pasi deri tani vetëm piktori Maks Velo njihet si praktikues, me përvojën e sjellë nga Franca.

2- Misteret e varrezave të fshatit Vuksanlekajt, simbolet mbi guret e varreve kur ende nuk ishte lëvruar shkrimi.

3-Një vështrim mbi grafikat e realizmit socialist dhe propaganda, një rast që zbulon librin e parë të deritanishëm të Velos për këtë fushë, duke ia dhuruar studentëve si ndihmë në procesin e tyre mësimor.

4-Pronësia intelektuale. Me këtë temë Velo duke sjellë raste konkrete të shpërdorimit të punës së tij personale, vjen në ndihmë studentëve për t’u ndërgjegjësuar mbi pronësinë intelektuale, dhe të drejtat duke vlerësuar se ky edukim duhet nisur nga auditoret e universiteteve.

Livre d’artist, ose libër autori

Në Shqipëri termi francez “livre d’artist” ende nuk ka përfshirë valën e artistëve shqiptarë, përveç piktorit Maks Velo, që e ka praktikuar këtë përvojë dhe ka marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare me prezantimin e librave unike të bërë me dorë.Para auditorit të studentëve të UET-së, Velo ka shpjeguar se ç’është ky libër, që është punuar krejtësisht me dorë, po që nuk ka tekst. Sipas Velos pikërisht duke qenë një punë e tillë, në këtë moment merr rëndësi të jashtëzakonshme, duke u quajtur ndryshe një ditar figurativ.

Velo ka sjellë përvojën që ka pasur në Francë ku edhe ka zhvilluar këtë formë të të pikturuari, një punë e bërë me litografi. Libri i parë që ka treguar mban 18 kopje, të shtypur me dorë, në letër të posaçme, që i përket prillit 1996.

Puna konkrete me livre d’artist ose libër autor, lidhet me dy gurë litografikë, duke e përdorur fletën e letrës nga të dy anët. Duket një punë shumë sakrifikuese, e rëndë që për një piktor kërkon impenjim, sidomos në shumëfishimin e tyre me dorë. Për këtë arsye, pjesa pragmatiste që Velo u ka rrëfyer të rinjve lidhej me pagesën, se si kjo funksiononte në shtetin francez. Piktori ka treguar se si subvencionohen këto “ditarë fotografikë” nga shteti, duke u krijuar lehtësi artistëve në prodhimin e tyre, pasi konsiderohen pasuri kombëtare si një rast që ruan traditën më të hershme të prodhimit të librit, që vjen prej kohës së Gutenbergut, një pamje e shtypit mesjetar kur librat dhe kopjet e tyre bëheshin në letër dhe me dorë. Po kaq rëndësi sa libri merr edhe kapaku i tij, duke marrë përfundimisht vulën e një botimi antikuar, që në kushtet e tregut të sotëm janë mjaft të kushtueshme.

Velo u ka treguar studentëve nga kjo përvojë se si erdhi cikli i lebërve, krahinës së Vlorës, duke e realizuar me dorë, në një bllok me letër të mirë. Janë sekuenca grafikash, me tush me ujë, si teknika e japonezëve, që dëshmojnë etnosin, mënyrën e jetesës së njerëzve, e kryesisht të krahinës së njohur të Vlorës, Labërisë. Kjo lidhje me “primitivitetin” e ka çuar Velon të jetë pjesëmarrës edhe në një ekspozitë botërore që është organizuar në Francë. Pedagogu i grafikës në UET, Shpend Bengu i ka propozuar për herë të parë artistit Maks Velo se Universiteti merr përsipër realizmin e veprës së Maks Velos, të projektit “livre d’artist”, që do të punohet në laboratorin e grafikës në bashkëpunim me studentët e UET, pa asnjë pagesë. Ndërsa Velo u ka sugjeruar studentëve që ta përdornin këtë praktikë të pikturimit, si një “luks” që punohet ngadalë, me kohë, kur ke dëshirë, dhe që i jep mundësinë artistit të përdorë teknika dhe të rikthehet për motive në të ardhmen.

Grafika e realizmit socialist dhe propaganda

Tema e dytë e bisedës me studentët e UET ishte dhe grafika e realizmit socialist. Një rast për t’u rikthyer në një situatë pamore ende të panjohur. Velo është marrë prej vitesh me këtë lëmë, mbi të cilën deri tani ka realizuar e botuar 20 libra, nga këto janë dy libra që konsiderohen kapitale për Arkitekturën, ku bëhet fjalë për betonizimin e arkitekturës, botuar nga UET. Edhe vetë Velo e ka vlerësuar këtë libër si fundamental në kontributet e tij, pasi është i vetmi, ku përfshihen mbi 80 artikuj që kronologjikisht tregojnë shkatërrimin që iu bë mjedisit tonë. Ndërsa libri i dytë renditet i rëndësishëm në kolanën e këtij piktori që lidhet me realizmin socialist, pasi shënon një kthesë. Deri në këtë kohë Velo thotë se piktura dhe skulptura jonë gjatë viteve të realizmit socialist tregoi anën e saj më të tmerrshme, me antiartistike. “Kur i pashë në Galeri m’u duk si në çmenduri, ca partizanë, peshkatarë, punëtorë…kjo u ngjallte tmerrin vizitorëve për vite të tëra”. Janë këto reflektime që e shtyjnë Velon të tregojë se mori gjininë më të papërfillur: grafikën. Aty ishte thesari, thotë piktori, pasi tregohet aftësia e këtyre artistëve që ishin të detyruar të bënin ato monstra por që këtu ishin të kontrolluar më pak.

Çuditërisht, nga ky reflektim, për piktorin, Grafika mbante vlerat më të mëdha, ndaj për të problem ishte se si ta mblidhte këtë pasuri imazhi pothuaj të injoruar. Megjithatë Velo thotë se arriti të realizojë këtë punë të vështirë ku ka arritur të mbledhë 1 mijë vepra dhe 150 autorë.  Piktori thotë se ekzistojnë ende vepra jashtë këtij botimi, megjithatë ka arritur të bëjë një punë orientuese duke reflektuar në disa ekspozita, e ndërruar këndvështrimin për gjithë artin. “Kjo ishte rëndësia, pasi doli që grafika e cila ishte më e shpërfillura kishte gjëra me shumë vlerë..Është një libër që mund të pasurohet, mund të bëhet nga të tjerët më e plotë, pasi kaq kisha mundësi, për të cilën punova prej ’94 deri më 2014, shumë e vështirë për materialet”.

Një nga faktet më interesante që ka shprehur Velo në këtë bisedë ishte ndërhyrja e studentëve mbi posterat politikë brenda burgut. Në këtë element Velo ka shprehur për herë të parë se në burg, të burgosurve  u ishte ndaluar ngjyra e kuqe, dhe se ishte e rrallë ta shihje këtë ngjyrë.

Varrezat misterioze të Vuksanlekajt

“Unë gjithë jetën jam tërhequr nga arti primitive”, në fakt ky rast i piktorit Maks Velo lidhet me gjithë konstruktin e vizatimeve të tij. Ashtu siç është shprehur më parë, Velo del para studentëve për t’i rikthyer nënvetdijen mbi gjurmë që ende mbahen të gjalla, ndoshta si më të fundit në këtë vend. Bëhet fjalë për prezantimin që u bëri simboleve që ka parë në varrezat misterioze të Vuksanlekajt. Ky vend ndodhet në Malësi të Malit të Zi dhe varrezat  cilësohen si monumente të një rëndësie të veçantë jo vetëm në Mal të Zi por edhe në rajon. Ata janë varreza pa emra dhe vetëm me simbole të gdhendura në gurë dhe që konsiderohen si të vetmet në hapësirën e Ballkanit.

Velo ka treguar se si dikur pat mbledhur një koleksion me skulptura të vogla, në dru nga barinjtë, por që në vitin 1986 ia mori Sigurimi, ndërsa 10 të tilla i kanë rezistuar ende. Mbi këtë gjurmë ka shkruar një seri artikujsh, si një realizim shkrimor pasi është marrë gjithmonë me këtë lloj arti. Velo u flet studentëve gjatë mbi këtë përvojë, se si është tërhequr nga këto gjurmë emblematike, vendosur nëpër portat metalike, shenja si zogu, gjarpri të gdhenur në gur, dyllë apo dru, në dekore lineare etj, duke eksploruar në tregues që kanë lënë gjurmë në 16 artikuj.

Ndërsa Varrezat e Vuksanlekajve në Malësi të Malit të Zi cilësohen si monumente të një rëndësie të veçantë jo vetëm në Mal të Zi por edhe në rajon. Ato janë varreza pa emra dhe vetëm me simbole të gdhendura në gurë dhe që konsiderohen si të vetmet në hapësirën e Ballkanit, në të cilat piktori ka dalluar fenomenin e gdhendjes në gur, dhe shton se nuk ka hasur në to ndonjë gdhendje shqiponje, edhe pse kishte shumë shqiptarë. Po ashtu vërejtja është se nuk ka hasur as shkrime mbi varre. Kjo e komplikon problemin, ka shpjeguar Velo, pasi zakonisht guri i varrit bëhet për të shënuar kur lindi ose vdiq, a ndonjë emër.

Në të gjithë varret thotë Velo, ska datë s’ka shkrim, por figurat janë mjaft interesante, duke i vizatuar dy herë. Një herë ka marrë impresionin direkt, e shihte gurin në mënyrë deskriptive, në milimetër, ndërsa më pas piktori ka treguar se ka realizuar tetë figura kryesore. Nga 25 varre që ndodhen në atë zonë, tetë prej tyre kanë figura, ka treguar Velo.

Piktori thotë se për këto varreza ende nuk ka asnjë reagim shkencor, as nga Akademia, duke shprehur shqetësimin se këto figura po dëmtohen nga koha, nga agjentët atmosferikë, dhe se duhen ndërhyrje që të ruhen unikalet e gurëve, e të kopjohen të tjera ekzakt siç janë gurët përmes teknikave të reja.

Interpretimin e tij, ka dhënë edhe pedagogu i Ateliesë së grafikës në UET, Shpend Bengu i cili është shprehur se është marrë prej shumë vitesh me këto simbole, madje duke sjellë shembullin e gjurmimit që na ka lënë edhe Edit Durham.

“Por siç dihet tashmë shqiptarët shumë vonë janë njohur me shkrimin, më tepër kanë komunikuar përmes simbolikave, qoftë nga religjioni apo udhëtarë që kanë qëndruar këtu, po ashtu dhe pjesa e Malësisë së Madhe apo dhe Thethi, që mund të vënë re se aty ka qenë një popull primitiv mund të vihet re se aty ka pasur disa njohuri qoftë nga kimia dhe ezoterizmi të cilat në të njëjtën kohë ishin shumë të zhvilluar edhe në Europë.  Në këto lëvizje, procese them se puna që ka bërë Maksi është e jashtëzakonshme sidomos e trajtuar grafikisht”. Se si janë krijuar këto simbole e shënuar mbi varre, gurë e porta te piktorët e shpjegojnë me mjeshtërinë e muratorit, të cilët mund të kenë krijuar simbolet e tyre ndërsa realizonin punët.  Bengu thotë se motivet si në Vuksanlekaj i ka hasur edhe në Shqipërinë e mesme, madje duke sjellë fakte se ka zbuluar së fundi në kalanë e Prezës, në një nga shtëpitë atje.

Please follow and like us: